Unë e mbaj veten për vajzë me shije fshati, por gjatë gjithë jetës time i kam bërë lëmsh emrat e shpesëve apo shpendëve të fshatit. Për leksionin më poshtë u bë shkas receta që do ju servir sot me rosën nga rrjeti i dyqaneve Natyral.

Leksion nga mami Lika:

Rosa bën rika. Rosa ka burrë rosakun. Rosa haet në çdo kohë/muaj të vitit. Rosës i marrim vezët për konsum.

Pata bën biba. Pata ka burrë patokun. Kur nuk kishim vezë rose hanim dhe vezë pate në kohën tonë – citon mami Lika 😊. Biba dhe pata në Myzeqe preferohet të konsumohet nga muaji Maj dhe gjithë beharin. Shprehja për Vit të Ri e myzeqarëve është: Përshesh pate, mish kaposhi.

 

Pas këtij leksioni kuptova që unë nuk paskam gatuar ndonjëherë rosë në shtëpinë time. Unë vetëm kam ngrënë rosë gatuar nga të tjerët 😊. Ajo që paska gatuar mami Lika gjatë gjithë muajve Maj ndër vite paska qenë Bibë 😊.

Një etapë e re në jetën dhe kuzhinën time ku filloj të gatuaj rosën për herë të parë, ndaj e fillova me rosën më të mirë në treg. Rosa nga rrjeti i dyqaneve Natyral rritet krejtësisht në gjendje të lirë dhe ka një shije perfekteeee. E them tani që po shkruaj këtë postim ku nga rosa jonë nuk kanë  mbetur as kockat se ja servirëm qenit të oborrit 😊. Kur produkti është i kësaj cilësie duhet ti gëzojmë të gjithë 😊.

Gatimi sot nuk është tradicional sepse nuk është recetë shqiptare. Është recetë e të preferuarit tim Jamie 😊.

Do ju sqaroj hap pas hapi gatimin, servirjen dhe si do e ruaj yndyrën që doli nga rosa.

Përbërësit për marinimin e Rosës:

Rosë nga rrjeti i dyqaneve Natyral

Kripë, piper miks, spec i kuq (jo djegës)

Perime:

3-4 Karrota

2-3 trupa Selino

1 kokërr qepë e kuqe

1 kokërr e plotë hudhër

Përgatitja:

Rosa vjen e pastruar nga dyqani bashkë me të brendshmet, tamam siç do na e sillte gjyshja nga fshati 😊. 


Me një thikë të mprehtë bëjmë çarje të lehta në formë rombi mbi të gjithë rosën. Fërkojmë trupin e rosës sipas radhës me kripë, piper miks që e bluajmë në moment dhe spec të kuq pluhur. E vendosim rosën në pozicionin shpina lart dhe gjoksi poshtë 😊, kështu mishi i gjoksit nuk do thahet gjatë fazës së parë të pjekjes. Shtojmë 150 ml ujë ose një gotë të vogël dhe e vendosim rosën bashkë me të brendshmet në anësore të tavës në mes të furrës, në temperaturë 180 gradë për rreth 1 ore e 20 minuta.








Pas kësaj kohe, e nxjerrim tavën nga furra, shtojmë perimet e grira në copa të mëdha dhe e kthejmë rosën me gjoks përpjetë si rosë nga Vlora 😊. 



E pjekim dhe rreth 30 minuta të tjera me perimet, duke hapur derën e furrës cdo 10 minuta dhe me lugë hedhim mbi gjoksin e rosës nga yndyra që rosa ka lëshuar në tavë. Në këtë mënyrë mishi i gjoksit të rosës do qëndrojë i butë dhe “juicy” ose i lëngshëm siç thotë Jamie 😊.










Pas pjekjes e nxjerim rosën nga furra dhe e kalojmë në një tave tjetër. Nxjerrim perimet dhe të brendshmet veçantë duke patur mundësinë të kullojmë yndyrën që ka dalë nga gatimi i rosës. Me një pjesë të yndyrës unë gatova oriz (pilaf) dhe pjesën tjetër do e ruaj në ngrirje se siç thotë dhe Jamie me yndyrën e rosës mund të pjekësh patatet ose perimet me të shijshme ndonjëherë 😊.












Ja dhe servirja jonë. Po të ishte se do e haja vetëm orizin me rosë do ja kisha hedhur gjithë perimet mbi oriz, por duke qenë se janë dhe dy çunat që shijojnë i mbajta perimet veçantë për mua dhe bashkëshortin 😊. Rosa shoqëruar me pilafin dhe perimet e pjekura në lëngun e saj, një gatim aq festiv sa duhet renditur në listën e gatimeve kryesore që fillojmë e përgatisim përgjatë gjithë festave Nëntor – Dhjetor ose sa herë duam të impresionojmë të dashurit tanë 💓.

 Ju bëftë mirë.💓


















Besoj që më pëlqejnë të gjitha kuzhinat dhe të gjitha shijet, kjo është dhe një arsye përse jam ende duke shkruar për ushqimin dhe pas 3 vitesh e gjysëm. Kuzhina Meksikane të cilën kemi patur fatin ta kemi prej shumë vitesh dhe në Tiranë besoj është e preferuar e shumë prej nesh. Mua më pëlqen më shumë ta shijoj gati në ristorante sesa ta gatuaj vet sepse më duken receta me shumë përbërës. Këtë herë që kalova pranë tortillave në supërmarket (piteve të Enchiladas) vendosa ti blej (meqë ishin dhe pite integrale dhe me fara dhe të sjell një nga gatimet më të njohura në gjithë botën Enchilada. Vendosa të mos lodhem me receta internet, por sipas shijes dhe atyre që kam ngrënë në restorantet meksikane të sjëll një recetë të thjeshtë, të kollajtë e dashur për gjithë familjen. Receta bëhet dhe më e thjeshtë kur gjysma e harxhës fasulet e kuqe dhe misri u blenë të gatshme në versionin meksikan J. Ndaj shijojeni këtë recetë në fundjavat tuaja sepse preferohet të haet e ngrohtë. Fotot e përgatijes së harxhës nuk i kam bërë sepse mendoja që nukdo e ndaja me ju pa e testuar vet më parë. Por kur pash që gjerat po merrnn formë “meksikane” hahah vendosa ta ndaj recetën dhe fotot filluan nga ai moment. Mos të harroj një element të rëndesishëm, Nevila e Bake My Day Happy për vit të ri midis të tjerash më dhuroi dhe një përzjerje me erëza meksikane që ja shtova mbushjes.

Përbërësit për 4 persona
Gjoksi i plotë i një pule
1 qepë e vogël
1 spec jeshil ose i kuq
½ trupi preshi
1 kanoçe Mexicana me groshë te kuqe dhe misër
Erëza sipas dëshirës (pak të forta)
8 pite tortilla
Dy lloje djathrash të butë të grirë në rende
1 filxhan çaji salcë domate
Vaj ulliri




Përgatitja:

Në tigan skuqim lehtë qepën, preshin dhe specin e grirë.
Në një tenxhere kemi vendosur gjoksin e pulës, të mbuluar me ujë dhe erëza sipas dëshirës. Unë i shtova nenexhikdhe një përziejre erzash për pulë. Mishin e pulës e lëmë të ziejë 15-20 minuta. Më pas e bëjmë fije fije dhe e shtojmë tek tigani ku po skuqen perimet. Trazojmë mirë dhe shtojmë kanoçen Mexicana dhe erëzat. Rregullojmë me kripë dhe e heqim harxhën nga zjarri.
Fillojmë mbushjen e tortilave. Hedhim harxhën pranë mesit të petës, shtojmë një dorë djath sipër dhe i mbledhim si në foto. 

   






Pasi kemi mbaruar me gjithë tortilat, shtojmë sipër disa lugë gjelle pure domate, e mbulojmë me djathë dhe spërkasim sipër me vaj ulliri.




E pjekim enchilada në 200 gradë për rreth 30 minuta sa të marrë ngjyrë dhe djathrat të jenë tretur.
Servirni të ngrohtë. Ju bëftë mirë










 










Blogger Template Created by pipdig