Sunday, September 23, 2018

Gjellë me bizele

Nuk është në traditën e familjeve tona (mami Lika dhe unë) që e diela të kaloj me një pjatë gjellë që konsiderohet si gjellë për ditët e javës.
Sot më kishte shkuar mendja keq për gjellë me bizele dhe e dielë apo jo do ta gatuaja patjetër. Nuk do e kalojmë të dielën vetëm me gjellë me bizele jo, keku me karrotë (linku këtu) do na ëmbëlsojë ditën për të voglin tim Luisin, i cili sot do jetë aq i uritur pas 2 ndeshjeve futbolli me Partizanin dhe Korçën.
Në përgjithësi unë gjellën me bizele nuk e gatuaj me domate, por me spec të kuq dhe salcë domatesh të koncentruar. Nuk i shtoj as patate (megjithë këmbënguljen e Bledit). Të vetmet perime që i shtoj janë karrota e grirë, një tufë qepë të njoma dhe një tufë kopër, të cilat ja shtoj kur gjella ka mbaruar tërësisht dhe aromat nuk vriten nga gatimi i tepërt. Mishi mund të jetë ose gic ose viç, rëndësi ka të jetë tule 😍. Ajo që preferoj tek gjella me bizele është që mishin mos t'ja vendos me thela/racione, por me copa të vogla në mënyrë që Luisi im tekanjoz ndaj mishit ta hajë "padashje" fshehur nën kokrrat e bizeleve 😍. Receta më poshtë 🤗.

Përbërësit për 4 persona.
2 qepë mesatare
400 gr mish tule në copa
800 gr bizele kokërr
2-3 karrota
1 tufë qepë të njoma
1 tufë kopër
1 lugë çaji salcë domatesh
1/2 lugë çaji spec i kuq
Vaj për gatim
Kripë

Përgatitja:
Grijmë qepën e thatë dhe e hedhim në tenxheren me presion ku do gatuajmë gjellën. E lëmë qepën të kaurdiset për 5 minuta dhe shtojmë mishin. Vendosim kapakun e tenxheres pa e mbyllur dhe e lëmë mishin dhe qepë të gatuhen për rreth 30 minuta sa qepa të tretet dhe të ketë tharë ujin e vet.
Shtojmë specin e kuq të parin dhe më pas salcën. Trazojmë dhe hedhim bizelet me karrotën.





Përpara sesa të shtojmë ujin e lëmë bizelen për 15 minuta të vritet në zjarr të avashtë. Më pas shtojmë një gotë ujë, kripë dhe e vendosim gjellën të ziejë me presion.

Kur gjella është gati, shtojmë qepën e njomë të grirë dhe e lëmë të ziejë 4 -5 minuta pa kapak. 



 Fikim zjarrin dhe shtojmë menjëherë koprën. 
E lëmë gjellën në qetësi për 10 minuta dhe më pas servirim ose me sallatë jeshile ose me kos të freskët siç e shoqërova unë sot.






Ju bëftë mirë 🤗❤
SHARE:

Monday, September 10, 2018

Kulaç me fara

Ju kërkoj ndjesë që nuk ju kam shkruar për një kohë të gjatë. Pak stina e verës dhe pak instagrami që na ka marrë mendjen 😜. Ndërkohë ju vazhdoni të më lexoni përditë, pavarësisht se unë nuk kam qenë me ju ❤. Si për ta inaguruar sezonin po sjell kuleçët e pjekur me fara dhe fruta të thata, një recetë që është “dashuri” për adhuruesit e brumrave…si unë 😋. Nuk e prisja që kjo recetë të cilën e realizova më shumë për nepsin tim, do kishte kërkesa kaq të mëdha për tu postuar sa më parë. Kulaçi  me fara që mund ta përdorim dhe si simite në një darkë me miq “dinner rolls”, mund të shërbehet përveçse në versionin “gjalp e reçel” dhe si shoqërues perfekt i kapuçinos së mëngjesit. Nga më lindi ideja për këtë recetë? Ideja lind kur me shoqet nuk bën vetëm muhabete pune apo kalamajsh, por dhe çfarë të gatuajmë nesër. Nikoleta më frymëzon me gatimet, por siç i them unë me të qeshur, unë e çoj në perfeksion sugjerimin e saj. Dhe kjo recetë doli nga shpirti me përbërësit që mu gjendën dhe me intuitën që nuk ka si të  mos dal i shijshëm një gatim me produkte të thjeshta, por bio shqiptare. Lexoni recetën më poshtë dhe i gatuani menjëherë për të dashurit tuaj.
Përbërësit:
500 gr miell (+/-)
2 vezë
1 filxhan kafe vaj ulliri
1 filxhan çaji qumësht
150 gr djath i bardhë
½ lugë çaji sodë buke
½ lugë çaji sodë për pjekje
Kripë
2 lugë gjelle fara lini
2 lugë gjelle fara luledielli
2 lugë gjelle bajame të copëtuara
çdo lloj fruti të thatë apo farë që ju gjendet në shtëpi

Përgatitja:
Hedhim miellin në një tas dhe më pas shtojmë gjithë përbërësit e lëngshëm me radhë (vezë, vaj, qumësht, djathin e bardhë në copa) dhe më pas përbërësit e tjerë. Përizejmë dhe mbledhim brumin pak më i butë se brumi byrekut. Duart tuaja duhet të jenë të pastra. Shtoni miell nësë masa është e ngjitshme. Unë nuk e lashë brumin të vinte sepse nuk kisha kohë dhe meqë brumi ka sodë në përbërjen e tij mund ti fusni menjëherë në pjekje pasi ti keni dhënë format me duar.








Piqini në temperaturë 180 gradë në mes të furrës për rreth 50 minuta ose derisa kuleçët tuaj të marrin ngjyrë të artë. Provojini nëse kanë kulluar siç duhet, duke e ndarë një kulaç në mes. Ndërkohë gjalpi, djathi dhe rrushi të jenë gati se këto kuleç shijohen direkt e nga furra 🤩. T’ju bëjë mirë.❤










p.s. mos harroni të më ndiqni dhe në Instagram dhe Facebook me të njëjtin emër “Bonbon Taste”

SHARE:
Blogger Template Created by pipdig