Kjo recetë të sjellë shijen më të mirë dhe më të thjeshtë të pastës me karkaleca. Gatimet e thjeshta dhe plot shija na e bëjnë dhe ditën e bukur. Kjo recetë mund të përdoret për çdo lloj frute deti që keni, jo vetëm me karkaleca. Nëse e vendosni pastën për të zjerë njëlloj me tiganin ku do skuqni karkalecat dhe do përgatisni salcën, pjata do jetë gati në aq minuta sa do ju duhet të ziejnë makaronat 🤗. Përfundimi do jetë një pjatë që shijon më mirë sesa në restorant sepse do gatuani pa hile, vetëm me dashuri 😍🤗😋❤.

Përbërësit:
500 gr pasta (linguine)
12-14 karkaleca të mëdhenj
300 gr domate në formë pure (ato që shiten gati)
1 lugë çaji gjalp
Kripë
1/3 lugë çaji sheqer
Vaj ulliri
Hudhër
Majdanos

Përgatitja:
Në dy vatrat e zjarrit vendosim tenxheren me ujin e makaronava dhe tiganin ku do përgatisim harxhën. Fillimisht pastrojmë karkalecat dhe kokat e lara i shtojmë tek uji ku do ziejmë makaronat. Në tigan skuqim karkalecat 2 minuta nga secila anë. I heqim mënjanë.





Shtojmë përsëri vaj ulliri dhe hedhim hudhrat e shtypura. Sapo vaji aromatizohet shtojmë salcën, kripë, gjalp dhe sheqer. Kur salca fillon e lidhet shtojmë gjysëm garuzhde nga uji makaronave.

Makaronat i lëmë të ziejnë tek uji deri 2 minuta para kohës përfundimtare që na këshillon paketimi i tyre. I kullojmë dhe i shtojmë makaronat tek salca bashkë me karkalecat. Gatuajmë dhe 2 minutat e mbetura të kohës së makaronave në tigan. Heqim nga zjarri dhe servirim me majdanos të freskët.






Ne i gatuam këto pasta ditën e dielë, ditë që jemi të gjithë në shtëpi sepse duhen shijuar menjëherë 🤗😋. Ju bëftë mirë. ❤🙏

  











Unë nuk kam qenë ndonjëherë eksperte e pjatave të peshkut, por kam filluar avash avash t’ja marrë dorën e frymëzuar nga sarandiotja ime Rudina.
Këtë pjatë me shije deti e gatova gjatë ditëve që ishim ne plazh, sepse unë nuk jam dakort që kur je në plazh mund të hash ça të dalë përpara. Impenjimi im në këto ditë pushimesh është madje më i madh se në ditët e zakonshme kur jemi në Tiranë sepse fëmijët janë të predispozuar të hanë gjithçka që u serviret. Ditën që ju prezantova gatimin e kësaj pjate në instagram mora disa komente që pastat me vongole i pëlqejnë “të bardha”, domethënë pa domatet e vogla. Do e provoj dhe atë recetë patjetër meqë vera është e gjatë 🤗.
Këtë recetë mund ta bëni dhe me midhje, por meqë midhjet kanë shumë punë për tu pastruar vongole janë një opsion ideal dhe receta është gati në 9 minuta, aq sa i duhet linguinit të ziejë 🤗.

Përbërësit:
1 pako linguine
350 gr vongole
200 gr pomodorini
1 qepë ë vogël
4-5 thelpinj hudhër
1 tufë majdanos i freskët

Përgatitja:
Paralelisht me ujin që zjen për pastën, kemi vënë tiganin me vaj ulliri dhe 1 thelp hudhër për aromatizim. Shtojmë qepën e grirë shumë imët. Kur qepa “të vritet” pak shtojmë domatet e ndara përgjysëm. 
Pasi janë gatuar 2 minuta domatet, shtojmë vongolet, trazojmë dhe presim dhe 2 minuta derisa të hapet guacka e tyre.



Ndërkohë që pastat janë duke zjerë i kullojmë 2 minuta para minutazhit përfundimtar, i shtojmë përzierjen që tashmë e keni mësuar tek Pasta Rudina, 3-4 thelpinj hudhër të grirë imët dhe gjysëm filxhan kafe vaj ulliri dhe bashkojmë me salcën tonë me vongole dhe i lëmë në zjarr të gatuhen duke i trazuar dhe për 2 minutat e fundit.


Majdanosin e fresket të grirë ja shtojmë pasi kemi fikur flakën. 
Pasta është gati për tu servirur dhe shijuar. Ju bëftë mirë. 






Rudina është motra ime (goca e xhaxhait) të cilës ja kam vendosur vet emrin 🤗 dhe jam krenare ❤. Rudina ka disa vite që më ka surprizuar jo me talentin e saj në kuzhinë se atë e ka pas të lindur, por me përkushtimin e saj për të gatuar dhe kur nuk ka më fuqi nga lodhja. Është një nënë e devotshme dhe fal shumë dashuri edhe përmes ushqimit që del nga duart e saj.
Unë me Dorinën, motrën tjetër të Rudinës e kemi shijuar shumë në fëmijërinë tonë të ngrënën bashkë, pasi Rudina dhe një vezë të skuqur me sallam, djath e domate e trajtonte si pjatë restoranti me 5 yje 😍. Dhe më jo nepsqari do bëhej me neps nëse sheh sesa me klas e shijon Rudina ushqimin hahaha, ndaj kur thotë Rudina e shijshme gatuaje, mos hezito 2 herë për ta provuar 😍.
Meqë Rudina jeton në Itali dua ta prezantoj tek Blog-u me një recetë tipike italiane, që i ngjan lazanjës, por që ka ca element më shumë dhe quhet “Pasta al forno” versioni i Rudinës 🤗. Këtë recetë unë e gatova kur më erdhi në shtëpi me familjen miqtë tanë Suela dhe Romir Zalla. Kjo tavë i  mbledh shumë mirë 8 vetë të rritur dhe mbetet po e servirët në darkë (meqë mundohemi të  hamë pak 😜). Ndaj gatuajeni për miqtë tuaj dhe do i kënaqni ata pa masë 🧡.
Shënim: kjo recetë është gatuar 1 ditë para se të filloja dietën 🙄😎
Për Pasta në Furrë na nevojiten:

Për kimën:
300 gr mish të grirë
300ml salcë domate pure
1 degë selino
1 karrotë
½ lugë çaji kanellë
Piper
Arrë moskat e grirë

Për beshamelin:
4 lugë gjelle gjalp
4 lugë gjelle miell
1200 ml qumësht
Arrë moskat

Të tjera:
Pasta rigatoni
300 gr mozarela
100 gr djath i grirë parmigiana
4 lugë gjelle vaj

Përgatitja:
Për përgatitjen e kimës dhe beshamelit, ju lutem referohuni këtu.

Tani që kemi gati pasta rigatonit të zjerë “al dente”, kimën, beshamelin, mozarelën e prerë në copa jemi gati të fillojmë shtrimin e tavës.
Fillimisht përziejmë rigatonin me kimën si në foto. 

Shtojmë 1 garuzhdë beshamel në fund të tavës dhe mbi të gjysmën e masës së pastës. Mbulojme me mozarela në copa dhe përsëri një garuzhdë beshamel. Hedhim gjysmën e mbetur të pastës, copat e mozarelës dhe gjithë beshamelin e mbetur.

  


Mbulojmë me djathin e grirë dhe vendosim në furrë në 200 gradë për 30 minuta ose derisa pasta të marrë këtë ngjyrë.


Lëreni pak të ftohet para sesa ta servirni dhe shijojeni me miq të mirë, verë të mirë dhe të qeshura pafund. Ju dua ❤❤❤.







Blogger Template Created by pipdig