Sunday, December 26, 2021

Bakllava me recetën Turke

Kur ju thashë se do ndaj me ju recetën e bakllavasë Turke në Instagram, e quajta recetë që e përdorim dhe ne dhe krushqia 😊. Dy krushkat mami Lika dhe mami Sonja ndajnë të njëjtën recetë turke të bakllavasë. Ajo që unë do ndaj sot me ju janë disa sekrete të krushkës çame, të cilat më pëlqyen shumë dhe nuk ngurova ti zbatoj në praktikë. Nusja (e bija krushkës 😊) kur provoi bakllavanë time tha: “jam shumë e lumtur që e ke qarë bakllavanë si mamaja ime dhe që e dokumentove këtë recetë për të gjithë ne, bashkë me sekretet e saj”.

Do kaloj menjëherë tek receta, por më parë dua t’ju them që megjithëse është baklava me recetën turke, përsëri kërkon vëmendjen dhe kohën e saj për tu pregatitur 😊. Me krahë të lehta dhe fillojmë menjëherë nga puna.

Përbërësit:

1 kg miell

5 kokrra vezë (2 të plota + 3 të verdha)

1 gotë vaj (jo ulliri)

1 gotë qumësht

1 lugë lëng limoni

Pakëz kripë

1 kg arra të shtypura

500 gr gjalp të tretur

 

Për shërbetin

1.5 kg sheqer

1.2 litra ujë

½ kokërr limoni

Dy shkopinj kanelle (opsionale)

10 kokrra karaifili (opsionale)



Përpara se të filloni përgatitjen e bakllavasë duhet që patjetër dhoma ku do e gatuani atë të jetë ë ngrohtë. Brumi i bakllavasë nuk “lëshohet” ose vjen siç duhet në një ambjent të ftohte.

Zëmë brumin e bakllavasë duke trazuar të gjithë përbërësit bashkë. Brumi del i butë dhe jo ngjitës. Nëse brumi duket i fortë ose i ujshëm sipas rastit shtoni ose pak më tepër miell ose pak më tepër qumësht. Pasi formojmë brumin e ndajmë atë në 4 pjesë të barabarta, duke i dhënë forma si shirita. Këto shirita i mbledhim me qese si në foto. I mbulojmë shiritat me një pecetë dhe e lëmë brumin në qetësi për të paktën 1 orë.






Ndërkohë grijmë arrat me mikser ose i shtypim me një shishe qelqi si dikur, duke i lënë në copa jo t’i bluajmë thërrime.

Fillojmë hapjen e bakllavasë duke marrë një nga shiritat të cilin do e ndajmë në 4 copë. Nga këto copa do presim 5 toptha brumi. Pra në total një shirit do na nxjerrë 20 toptha. I japim formë topthave si arra të vogla dhe i lyejmë me niseshte. 



Fillojmë i hapim topthat në rrathë të vegjël 15-20 cm. Petët e hapura i vendosim njëra mbi tjetrën duke i spërkatur me niseshte. Më pas hapim petët e mëdha ose duke bashkuar 5 petë bashkë ose 10. Unë e fillova me 10 petë njëherësh pastaj përfundova duke i hapur 5 e nga 5 😊.

Atëherë sekreti i parë i krushkës çame është:

Ndizni furrën tuaj në 120 gradë dhe mos e fikni atë derisa të mbaroj bakllavaja. Pasi shtroni petët e para të hapura të bakllavasë mbi tepsinë e lyer me gjalpë, futeni tepsine në furrën me 120 gradë dhe nxirreni tepsinë prej aty sa herë që do shtroni petë dhe futeni prap në furrë. Në këtë mënyrë petët do thahen duke ndihmuar në një pjekje perfekte dhe të kulluar të bakllavasë. Sa herë që shtroni petë në tepsi spërkatini ato me gjalpin e tretur.

Unë krijova 3 zemra me arra në bakllavanë time me 80 petë. Çdo 20 petë të hapura unë hidhja shtresën e arrave. Veproni kështu derisa të hapni të gjitha petët.









Në fund thërrisni burrin tuaj të bëjë një prerje perfekte të bakllavasë😊. Sivjet ne e premë thjesht sepse siç thonë dhe nikoqiret, prerja në formën e bukur të yllit, nxjerr më shumë cepa sesa copa të rregullta 😊. Pasi e presim bakllavanë i shtojmë gjalpin e mbetur me kujdes duke njomur çdo cep të saj.







Pjekja është proçesi më i rëndësishëm i bakllavasë dhe çdo temperaturë ose zgjatje në kohë varet nga furra. Unë veprova në këtë mënyrë. E vendosa bakllavanë në katin e parë nga fundi të furrës në temperaturë 150-160 gradë derisa gjalpi të fillojë të bëjë si bulëza anës bakllavasë dhe bakllavaja nga sipër fillon e merr ngjyrë të artë. Mu desh ta lija 1 orë në këtë temperaturë. Më pas e ula temperaturën në 120 gradë ku e lashë për 1.5 orë të tjera. Herë pas here rrotullojeni bakllavanë brenda në furrë që të marrë pjekjë të njëtrajtshme. Pas 1.5 orë në 120 gradë e lashë bakllavanë për rreth 4 orë në 100 gradë. Kur petët në copën më qëndrore të bakllavasë në mes të saj shkërmoqen si biskotë, bakllavaja është pjekur.










Ndërkohë që bakllavaja ishte në fund të proçesit të pjekjes unë vura shërbetin. Kini parasysh që për disa minuta të trazoni sheqerin në ujë në mënyrë që ai të tretet pa e vendosur tenxheren në zjarrë. Proçesi i tretjes së sheqërit në këtë mënyrë eleminon mundësine e sheqerosjen së bakllavasë. Vendoseni shërbetin në zjarrë, shtoni disa kokrra karaifili dhe shkop kanellë nësë dëshironi dhe lëreni atë të ziejë 14 minuta nga pika e vlimit. Hiqeni shërbetin nga zjarri dhe hidhni lëngun e një gjysëm limoni.

Sekreti numër dy i krushkës është ky: Hidheni shërbetin e nxehtë në një baklava të vakur, dmth jo të ftohur komplet. Në këtë mënyrë shërbeti përthithet më mirë sesa kur bakllavaja është e ftohtë dhe peta është e forcuar nga gjalpi. Kështu veprova dhe unë dhe fotot flasin vetë. Për shijen duhet të më besoni mua 😊. Pasi keni hedhur shërbetin, mbulojeni bakllavanë me letër alumini dhe mos e ngacmoni për të paktën 24 orë.








Gjak dhe Sharm dhe Festa të Gëzuara miq. Qoftë një Vit i Ri i mbarë për të gjithë ju. JU DUA




















SHARE:
Blogger Template Created by pipdig