Thursday, December 26, 2019

Liko Portokalli sipas Mami Likës



Kjo recetë të cilën ma keni kërkuar shumë prej jush, besoj do jetë dhe e fundit për 2019, një vit i cili në aspektin profesional, familjar, të miqësive dhe te ndjekësve ka qenë i mbarë. Vasilopita (ëmbëlsira që mban dhe emrin e babit tim) ka qënë receta me të cilën kam hapur blogun në 8 Janar 2019 dhe Liko Portokalli një nga gatimet më tradionale dhe të dashura të stinës mbyll këtë vit. Mbyllje me ëmbëlsi dhe me produktet e bahçes, likoja e portokallit është një “must“ në shtëpi. Ndonëse sot nuk qerasim më si dikur, kjo liko është ëmbëlsirë më vete në çdo kohë. Siç e kam theksuar në recetën Reçel Portokalli (kliko), kur të përgatisni dhe likon, lëkurën që do gërryeni mos e çoni dëm, por kthejeni në një supër esencë, të cilën mund ta përdorni gjatë gjithë vitit në përgatitje keku dhe biskota me shije portokalle. Po vijoj me recetën se në këtë sezon të ngarkuar nuk kemi shumë kohë për lexime.

Përbërësit:
2 kg portokalle

Për shërbetin
1 kg portokall i pastruar nga lëngu dhe farat, i shkuar në varg i kulluar
1 kg sheqer
700 ml ujë
Përgatitja
Portokallet i lajmë dhe me një rende të imët i heqim cipën sipër. Lëkurën e përfituar e bëjmë esencë sipas shpjegimit këtu.
Më pas portokallet i ndajmë në 4 copa dhe me një gërshërë gatimi presim fijet e bardha dhe shtrydhim lëngun dhe farat nëse ka.
Siç e kërkon dhe tradicionalja me një gjëlpërë ku kemi shkruar pe, fillojmë i mbërthejmë portokallet si varg, duke i lidhur fundet e tyre. Kjo mënyrë ndihmon që likoja portokallit të ruajë formën e bukur të palosjes në servirje. Vargjet i vendosim në një tas me ujë dhe e lëmë të paktën 1 ditë të plotë duke e ndërruar ujin disa herë gjatë ditës. Kjo do ndihmojë në nxjerjen e hidhërimës që ka lëkura.








Pas 24 orësh vargjet i ziejmë 2 apo 3 herë në varësi të hidhërimit që ka lëkura vetëm me ujë, 5 minuta nga pika e vlimit duke e derdhur ujin dhe rimbushur përsëri për zierjen e dytë. Më pasi vendosim vargjet në një kullesë dhe i lëmë të kullojnë për të paktën 1 orë. 
Pasi portokallet kanë kulluar i peshojmë ato. Unë do ju jap masat për 1 kg portokallë të kulluar. Ju më pas rrisni ose zvogëloni sasinë e sheqerit sipas peshës së portokalleve tuaja. Për 1 kg portokalle të kulluar shtojmë 1 kg sheqer dhe 700 ml ujë. I trazojmë dhe i vendosim për të zjerë pa kapak, në zjarr të mesëm të avashtë, derisa lëngu i likos të lidhet duke e provuar në një pjatë. Hedh pak lëng nga likoja dhe e ndan me lugë mes për mes. Nëse të dy anët afrohen me ngadalë pranë njtj likoja është bërë gati (pyesni mamatë ose gjyshet tuaja për këtë teknikë, ato do më kuptojnë shumë mirë J). Vendoseni likon të nxehtë nëpër vazo dhe i ktheni ato me kokë poshtë ose bëni proçesin e sterilizimit duke u orientuar këtu

Nga mot Gëzuar dhe qoftë 2020 një vit i bekuar për të gjithë shqiptarët. Ju dua  


















SHARE:

Monday, December 16, 2019

PAN BRIOCHE sipas Ejonës

Ketë vit nuk do ju sjell receta panetonesh se i keni dy receta në blog nga vitet e kaluara dhe të dyja recetat janë për panetone që nuk kanë nevojë domosdoshmërisht për pajisjen e rrahjes së brumit. Në këtë sezon festash do ju sjell Pan Brioche të Ejonës, me të cilën inagurova mikser që më dhuroi Delimano. Ejona ka blog-un e saj si unë, Mandarina ku do gjeni receta fantastike, sidomos veganët dhe vegjetarianët 😍🤗. Ejona nuk e ha mishin 😎.
Pan Briosh të Ejonës e kisha provuar që nga koha kur të dyja punonim në të njëjtën ndërmarrje 😋 dhe kisha vendosur ta bëja kur unë të bëhesha me mikserin tim. Ejona më kishtë këshilluar që kjo recetë e një mikut të saj francez është delikate dhe duhet punuar me pajisjen e duhur. Ndaj unë nuk ju këshilloj ta bëni me dorë nëse nuk keni pajisjen e punimit të brumit. Nëse shpesh herë unë i modifikoj recetat bazë, nga kjo recetë nuk kam lëvizur asnjë grimë sepse nuk mund të futësh duart në një recetë autentike franceze 😍.
Në postim do hedh dhe foto të miat që i kam bërë nga qejfi pajisjes së dhuruar nga Delimano, ndaj durim hahah.

Përbërësit:
4 kupa miell, idealisht miell Manitoba
4 vezë
250 g gjalp
1 bustinë maja
1/4 kupë qumësht i vakët
1/3 kupë sheqer 
1 lugë çaji kripë
½ majë lugë erëza të përziera masala (opsionale)
1 e verdhë veze për të lyer brioshin para pjekjes





Përgatitja

Tek qumështi i vakët shtoni majanë dhe e lini atë të aktivizohet. Më pas tek roboti kuzhinës shtoni gjithë përbërësit e tjerë veç gjalpit. Trazoni brumin për 10-15 minuta pa ndërprerje derisa brumi të filloj e të shkëputet nga anët e enës së inoksit.

Ky është momenti ku pjesë pjesë shtoni gjalpin në temperaturë ambjenti. Kur të shihni që nga rrahja e brumit 2-3 minuta, gjalpi është përthithur nga brumi, shtoni pjesën tjetër derisa të mbaroni sasinë e gjalpit.



Mos u ngatërroni nga prania e dy masave të brumit se nga qejfi gatova dy Pan Brioche 😋🤩
E vendosni brumin në një enë të thellë dhe mbulojeni me qese kuzhine, në një vend të ngrohtë (brenda sobës e fus unë), për rreth 2 orë sa të arrij 2-fishin e volumit.
Pasi brumi të jetë dyfishuar, punojeni me dorë për 2 minuta dhe mbulojeni sërish me qese kuzhine e lëreni të pushojë në frigorifer përgjatë gjithë natës.
Ditën tjetër, nxirreni nga frigoriferi, ndajeni në topa të vegjël ose jepni formë gërsheti dhe lëreni të vijë në temperaturë ambienti për rreth 2 orë, mbuluar përsëri me qese kuzhine.

Lyejeni sipërfaqen e brumit të brioshit me të verdhë veze dhe piqeni në furrë të parangrohur në 200 gradë për rreth 10 minuta, pastaj uleni temperaturën në 180 gradë Celsius dhe lëreni të piqet edhe për 20-25 minuta  të tjerë, ose deri sa të jetë pjekur plotësisht. Sipërfaqja duhet të jetë e pjekur shumë mirë.
Këshillë: nëse shihni se gjatë kohës së pjekjes sipërfaqja skuqet shumë për shkak të vezës, mbulojeni sipërfaqen me letër alumini dhe lëreni kështu deri në pjekjen e plotë të bukës.

Lëreni Pan Brioche të ftohet tërësisht përpara sesa “ta shqyeni”, pardon...ta hani me elagancë si francezët hahaha.
Unë vdes për aromë buke, por kur kjo bukë është dhe recetë franceze nepsi im mbaron kur mbaron dhe thërrimja e fundit e bukës 😋😋. Ju bëftë mirë.❤❤🙏🙏









Po ju postoj dhe ca foto gjatë regjistrimit të dy videove që bëra në IGTV në Instagram (kliko fjalën për videon). Fotot janë për tu argëtuar 🤪











SHARE:
Blogger Template Created by pipdig