Tuesday, July 18, 2017

Speca të mbushur sipas mami Likës

Mund ta quajmë pa e ekzagjeruar receta më tipike, tradicionale e gatuar në çdo shtëpi shqiptari. Specat e mbushur janë një gatim shumë i dashur për familjen time dhe ne nuk e konsiderojmë “gjellë”, që do të thotë duhet të gatuajmë dhe diçka tjetër nëse duhet të ulemi në tavolinë 😍. Kur kemi këtë gatim ne hamë gjithë ditën, të ulur mbi divan e duke parë TV, derisa i japim fund tavës, sikur të ishte një ëmbëlsirë që mund të haet në çdo orar të ditës.
Më duhet të pranoj që unë jo gjithmonë shkëlqej në përgatitjen e kësaj tave, njëherë qëllon që e thajë, njëherë qëllon që e nxjerr të lëngshme dhe njëherë tjetër sipas Bledit nuk i kam lënë specat të piqen mjaftueshëm.
Shpesh e pyes mami Likën për radhën e punës dhe për sasinë e ujit që është kyç për nxjerrjen e një tave me oriz të shkrifët dhe të zjerë sa duhet. Më duket sikur së fundmi kam gjetur formulën time të përgatitjes së kësaj tave, dhe në përdorimin e erëzave, dhe në sasinë e qepëve.
Teze Eli si e martuar në Tiranë prej 40 vitesh e bën me më shumë qepë se mami Lika që jeton ende në Fier ☺. Mezi kemi rënë dakort dhe në përzgjedhjen e erëzës kryesore që përmban kjo tavë “nenexhik” apo “rigon”. Bledi e ka ngrënë nga gjyshja dhe mamaja e vet me “nenexhik”, ndërsa unë nga mami im Lika me “rigon”. Ndaj pas disa vitesh martesë triumfoi rigoni dhe në shtëpinë tonë 😍.

Përbërësit:
10 – 12 speca për tu mbushur
6-7 kokrra domate për gjellë
2 qepë të mëdha ose 3 qepë mesatare
400 gr oriz
200-300 gr mish (opsionale)
Vaj për gatim
Kripë
Rigon
Piper

Përgatitja:

Pastrojmë dhe grijmë qepët. Në një tigan shtojmë vajin dhe fillojmë kaurdisim qepën në zjarr të avashëm. Tavat me oriz gatuhen shumë shpejt në furrë, ndaj duhet të sigurohemi që përbërësit e tjerë si qepa, mishi apo perimet të jenë thuajse të gatuara plotësisht kur futen në furrë, nëse nuk duam të na kërcasin në gojë :).
Shtojmë mishin e prerë në kubikë, vendosim një kapak mbi tigan dhe i lëmë përbërësit të gatuhen në zjarr ta avashtë. 

Vazhdojmë më tej me pastrimin e domateve nga lëkurat, grirjen (unë preferoj grirjen në copa me thike sesa me grirës elektrik, për këtë gatim). Kur mishi dhe qepa kanë marrë ngjyrë dhe kanë tharë ujin e tyre, shtojmë domatet, kripë dhe i lëmë të ziejnë derisa masa të lidhet, me kapak dhe në flakë të mesme.

Pastrojmë specat. Fundet e tyre i heqim mënjanë, i ndajmë në copa dhe ja shtojmë gjellës që po gatuhet.

Kur masa të jetë lidhur dhe shohim që perimet dhe mishi janë zierë, rregullojmë me kripë, piper dhe rigon të bollshëm. Kësaj mase unë i shtoj dy filxhana të mëdhenj çaji me oriz ose 400 gr. E fikim zjarrin në momentin që shtojmë orizin.
Në një tenxhere hedhim për 2 filxhana oriz, 4 filxhana me ujë dhe i lëmë të ziejnë. Mbushim specat një nga një, jo shumë ngjeshur. Orizin e mbetur e vendosim midis specave. Ndërkohë ndezim furrën në 220 gradë, në mes të furrës. Shtojmë kripë tek uji që zjeu dhe ja hedhim sipër tavës ku kemi shtruar specat. Rregullojmë me lugë shpërndarjen e njëtrajtshme të orizit në tavë.

Në mes të pjekjes nxjerrim tavën dhe rrotullojmë specat nga ana tjetër në mënyrë që të marrin pjekje nga të dy krahët. Tava është gati kur orizi ka thithur gjithë ujin. E fikim sobën dhe e nxjerrim tavën menjëherë nga furra (përndryshe tava do vazhdojë të gatuhet ende në nxehtësinë e furrës). Lëreni tavën të pakten 30 minuta në qetësi përpara se ta servirni. Ju bëftë mirë.






SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig