Friday, November 13, 2020

Spring Rolls


Receta që ju propozoj sot është Spring Rolls. Spring rolls është një byrek që i bëhet nje mbledhje në formë cilindri. Këto byreçka piqen në tigan në vaj të nxehtë. Besohet që është një recetë kineze, por tashmë gjendet në shumë restorante etnike. Ky gatim shoqërohet mjaft mirë me salcë djegëse të ëmbël “sweet chilly jam” të cilën e përgatita vet në shtëpi (në supermarket kushton sh shtrenjtë për një sasi të vogël, ndërkohë që në shtëpi bëhet vet mjaft kollaj). Recetën e sweet cilly do e hedh në instagram dhe do e kaloj linkun këtu.

Ky byrek në versionin e tij më të shëndetshëm vjen me petë orizi, perime dhe karkaleca J. Unë do sjell një version më kalorik, të cilin e provova në të dyja versionet, të skuqur dhe të pjekur. Për të evituar konsumimin e ushqimeve të skuqura, unë do i bëj më shpesh të pjekura sepse dolën nam. Gjithësesi më poshtë do i keni të sqaruar të dyja llojet e gatimit.

Për këtë byrëk une përdora petë të thjeshta, product vendi. Më poshtë në foto do keni dhe paketimin e petës. Fillojmë më përbërësit dhe shpjegimin.

Përbërësit:

1 pako petë

Mbushja:

2 gjokse pule

1 qepë mesatare

2 trupa selino

2 speca të kuq

Xhinxher

3-4 thelpinj hudhër

Gjysëm lakër të bardhë të grirë

Karrotë të prerë imët

Salcë soya

Përgatitja:

Në një tigan me shumë pak vaj fillojmë kaurdisim qepën, specat e prerë në shirita dhe selinon. Në një tenxhere tjetër vendosim për të zjerë gjoksin e pulës. Kur qepa fillon e zbutet shtojmë, hudhër dhe xhinxher në copa, mishin e pulës të bërë në fije, salcën soya 2-3 lugë. Trazojmë mirë dhe vijojmë duke shtuar karrotën dhe lakrën e prerë hollë, pjesë pjesë duke lejuar që lakra të ul volumin para se të shtojmë tjetër. Kur lakra është gatuar komplet, heqim tiganin nga zjarri.







Ndërkohë petët e gatshme që kemi blerë, siç janë tufë i presim në 4 copë si në foto, në mënyrë që të përftojmë petë në formë thuajse katrore.

Po të duam anësoret e petës i lyejmw me një furçë me ujw para se t'i mbledhim byreçkat (opsionale)

Fillojmë mbushjen e byrekëve duke bërë palosjen si në foto. Unë preferova t’i bëj gjithë byrekët para se ti pjek ose skuq ato. Ju veproni si të jetë më e mira për ju.










Versioni me skuqje



















Versioni me pjekje









SHARE:

Thursday, November 5, 2020

Rosë e pjekur jo tradicionale

 

Unë e mbaj veten për vajzë me shije fshati, por gjatë gjithë jetës time i kam bërë lëmsh emrat e shpesëve apo shpendëve të fshatit. Për leksionin më poshtë u bë shkas receta që do ju servir sot me rosën nga rrjeti i dyqaneve Natyral.

Leksion nga mami Lika:

Rosa bën rika. Rosa ka burrë rosakun. Rosa haet në çdo kohë/muaj të vitit. Rosës i marrim vezët për konsum.

Pata bën biba. Pata ka burrë patokun. Kur nuk kishim vezë rose hanim dhe vezë pate në kohën tonë – citon mami Lika 😊. Biba dhe pata në Myzeqe preferohet të konsumohet nga muaji Maj dhe gjithë beharin. Shprehja për Vit të Ri e myzeqarëve është: Përshesh pate, mish kaposhi.

 

Pas këtij leksioni kuptova që unë nuk paskam gatuar ndonjëherë rosë në shtëpinë time. Unë vetëm kam ngrënë rosë gatuar nga të tjerët 😊. Ajo që paska gatuar mami Lika gjatë gjithë muajve Maj ndër vite paska qenë Bibë 😊.

Një etapë e re në jetën dhe kuzhinën time ku filloj të gatuaj rosën për herë të parë, ndaj e fillova me rosën më të mirë në treg. Rosa nga rrjeti i dyqaneve Natyral rritet krejtësisht në gjendje të lirë dhe ka një shije perfekteeee. E them tani që po shkruaj këtë postim ku nga rosa jonë nuk kanë  mbetur as kockat se ja servirëm qenit të oborrit 😊. Kur produkti është i kësaj cilësie duhet ti gëzojmë të gjithë 😊.

Gatimi sot nuk është tradicional sepse nuk është recetë shqiptare. Është recetë e të preferuarit tim Jamie 😊.

Do ju sqaroj hap pas hapi gatimin, servirjen dhe si do e ruaj yndyrën që doli nga rosa.

Përbërësit për marinimin e Rosës:

Rosë nga rrjeti i dyqaneve Natyral

Kripë, piper miks, spec i kuq (jo djegës)

Perime:

3-4 Karrota

2-3 trupa Selino

1 kokërr qepë e kuqe

1 kokërr e plotë hudhër

Përgatitja:

Rosa vjen e pastruar nga dyqani bashkë me të brendshmet, tamam siç do na e sillte gjyshja nga fshati 😊


Me një thikë të mprehtë bëjmë çarje të lehta në formë rombi mbi të gjithë rosën. Fërkojmë trupin e rosës sipas radhës me kripë, piper miks që e bluajmë në moment dhe spec të kuq pluhur. E vendosim rosën në pozicionin shpina lart dhe gjoksi poshtë 😊, kështu mishi i gjoksit nuk do thahet gjatë fazës së parë të pjekjes. Shtojmë 150 ml ujë ose një gotë të vogël dhe e vendosim rosën bashkë me të brendshmet në anësore të tavës në mes të furrës, në temperaturë 180 gradë për rreth 1 ore e 20 minuta.








Pas kësaj kohe, e nxjerrim tavën nga furra, shtojmë perimet e grira në copa të mëdha dhe e kthejmë rosën me gjoks përpjetë si rosë nga Vlora 😊



E pjekim dhe rreth 30 minuta të tjera me perimet, duke hapur derën e furrës cdo 10 minuta dhe me lugë hedhim mbi gjoksin e rosës nga yndyra që rosa ka lëshuar në tavë. Në këtë mënyrë mishi i gjoksit të rosës do qëndrojë i butë dhe “juicy” ose i lëngshëm siç thotë Jamie 😊.










Pas pjekjes e nxjerim rosën nga furra dhe e kalojmë në një tave tjetër. Nxjerrim perimet dhe të brendshmet veçantë duke patur mundësinë të kullojmë yndyrën që ka dalë nga gatimi i rosës. Me një pjesë të yndyrës unë gatova oriz (pilaf) dhe pjesën tjetër do e ruaj në ngrirje se siç thotë dhe Jamie me yndyrën e rosës mund të pjekësh patatet ose perimet me të shijshme ndonjëherë 😊.












Ja dhe servirja jonë. Po të ishte se do e haja vetëm orizin me rosë do ja kisha hedhur gjithë perimet mbi oriz, por duke qenë se janë dhe dy çunat që shijojnë i mbajta perimet veçantë për mua dhe bashkëshortin 😊. Rosa shoqëruar me pilafin dhe perimet e pjekura në lëngun e saj, një gatim aq festiv sa duhet renditur në listën e gatimeve kryesore që fillojmë e përgatisim përgjatë gjithë festave Nëntor – Dhjetor ose sa herë duam të impresionojmë të dashurit tanë 💓.

 Ju bëftë mirë.💓

















SHARE:
Blogger Template Created by pipdig