Monday, May 11, 2020

Semifreddo me fruta (qershi & luleshtrydhe)


E frymëzuar nga postimi i fundit që bëra në InstagramAkullore Biskotë dhe që është pëlqyer shumë nga familja, mendova përse mos të krijoj një semifreddo me frutat e stinës që duhet ta pranojmë ka një larmi të madhe.

Frutat që zgjodha janë ato më të bukura qershit e vendit dhe luleshtrydhet. Kjo recetë mund të përshtatet me çdo frutë tjetër me tulë të butë dhe aromatike si pjeshkë, kajsi, pjepër dhe manaferra të çdo lloji. Jemi në stinën e duhur që semifreddo mos të na mungojë asnjë fundjavë në frigorifer. Po them fundjave se përditë do ishte një tepri për linjat J.

Niveli vështirësisë në përgatitje të semifreddos ëshë minimal, ju duhen vetëm pjesëtarët e familjes rreth e rrotull që veç lëpijnë anët e enës ose lugës se silikonit sepse ky krem është aq i mirë dhe pa u ngrirë në frigorifer.

 

Përbërësit për kremin:

400 ml pana e ëmbël

250 gr mascarpone

1 lugë gjelle me majë qumësht të kondesuar

Lëkurë limoni ose lime (opsionale)

 

Përbërësit për reçelin:

150 gr luleshtrydhe

150 gr qershi pa bërthamë

Lëngu i ½ limoni

1 lugë gjelle sheqer

Përgatitja:

Hapi i parë është përgatitja e reçelit pasi duhet të jetë i ftohtë kur ti shtohet kremit të semifreddos. Frutave i shtojmë limonin, sheqerin dhe i lëmë në zjarr për 5 minuta. Reçeli ynë është gati.



Hapi i dytë është përgatitja e kremit duke rrahur fillimisht panën e ëmbël, por jo shumë të fortë sa të mpikset. Më pas i shtoni qumështin e kondesuar. Unë i shtova 1 lugë gjelle si në foto, por ju mund ti shtoni disa të tilla në varësi të ëmbëlsisë që dëshironi. Ne i duam gjerat me ëmbëlsi të moderuar dhe ndaj bëjmë shumë kujdes kur hedhim sheqerin (se na I lë familja pa ngrënë hahaha). Në fund i shtojmë kremin mascarpone dhe vijojmë më rrahjen me rrahësin elektrik dhe për 1 minutë.



 

Hapi i tretë bashkojmë reçelin e ftohur të frutave tashme me kremin. Një formë si në foto e veshim me qese gatimi duke i lënë dhe anë jashtë (sepse do mbulojmë sipërfaqen e semifreddo). Shtojmë masën tek tava, mbulojmë anët me qese gatimi dhe e vendosim në ngrirje për gjithë natën. 




 





Nxirreni semifreddon 5 minuta përpara servirjes. Vendoseni në një pjatancë. Dekorojeni sipër me frutat që ka brenda dhe mahnisni me pamje dhe shije familjarët tuaj. Semifreddo që ju mbetet, vendoseni në një pjatancë plastike dhe ruajeni përsëri në ngrirje derisa ta konsumuni të gjithën. Ju bëftë mirë dhe uroj nga zemra që të gjithë të jeni shëndoshë e mire dhe një rikthehim sa më të shpejt në normalitet.


 

   

 

  

  

 
   
  
  









 




SHARE:

Friday, May 1, 2020

Kek Irlandez me rrush të thatë


Mirë se ju gjeta. Para se t’ju flas për këtë recetë dua t’ju uroj të gjithëve që më lexoni shëndet për ju dhe të dashurit tuaj ❤. Kjo është receta e parë qe postoj në blog gjatë kohës së karantinës. Kam qenë aktive gjatë gjithë kohës me receta të reja, por në llogarinë time në Instagram. Ndërkohë të gjithë ju që më lexoni në blog nuk keni munguar asnjë ditë. Klikimet tuaja me mijëra në ditë më kanë gëzuar shumë. Faleminderit nga zemra ❤🙏.
Receta që ju propozoj sot është një ëmbëlsirë tipike që bëhet në Irlandë për Halloween. Irish Barmbrack është emri original i ëmbëlsirës, e cila njihet ndryshe dhe si kek për çaj. Kjo recetë piqet në formën e tavës si bukë dhe është e mbushur me aromat e forta të erëzave të përziera dhe fruta të thata. Frutat e thata që përdoren është rrush i thatë disa llojesh (i verdh, i zi, kokërr madh, kokërr vogël), i cili zhytet gjatë natës në çaj të zi të ftohur dhe uiski duke rezultuar të nesërmen në fruta të mbushura me aromë çaji dhe uiski 😊.
Ky kek nuk ka në përmbajtje as gjalp, as vaj, ndaj mos mendoni se e kam harruar tek përbërësit 😊. Duke qenë se ishte hera e parë që e gatuaja unë i ndejta strikt masave dhe rezultati ishte O ZOT. Është ai lloj keku që hyn në shijet e mia dhe kush e provoi, irlandezet që më dhanë recetën, kunata dhe vëllai thanë që ishte kek tamam për kafe ose çaj (kafenë e shtova vet meqë jam kafe pirëse 😊). Shijoni recetën.

Përbërësit:
225 gr miell
1 lugë çaji fryrës për kek
200 gr rrush të thatë (disa llojesh do ishte më mirë)
250 ml çaj i ftohtë
50 ml uiski
125 gr sheqer kaf (e detyrueshme se jep ngjyrë kekut)
1 kokërr vezë e madhe
1 lugë çaji erëza miks (garam masala)
1 lugë gjelle lëkurë portokalli
1 unazë rreth (opsionale) 😊

Përgatitja:
Para se t’ju shtjelloj përgatitjen po ju sqaroj punën e unazës 😊. Sa herë Irlandezët përgatisin këtë kek vendosin brenda një unazë. Kujt i bie unaza do martohet brenda vitit. Kështu që sigurohuni që nëse vendosni unazë rreth brenda kekut, këtë kek ta konsumojnë vetëm beqarë 😍😄.
Përgatisni çajin e zi, lëreni të ftohet, shtoni rrushin e thatë, uiskin dhe e lini gjithë natën në frigorifer. Sa më gjatë të rrijë bashkë kjo përbërje aq më mirë.
Në një enë shtojmë gjithë përbërësit e thatë, më pas shtojmë vezën, lëkurën e portokallit dhe rrushin e thatë me gjithë çajin. Nëse nuk keni garam masala, erëzat miks që mund t’i gjeni me këtë emër, i shton kekut tuaj kanellë, karaifil pluhur, ginger pluhur.




Me një lugë druri bashkoni gjithë përbërësit për 2 minuta dhe hidheni masën në një formë të vogël për bukë. 

Piqeni në 180 gradë në mes të furrës për rreth 1 orë. 


Lëreni të ftohet, të kullojë dhe më pas servireni. Sa më shumë ditë kalojnë aq më i shijshëm bëhet ky keku. Ju bëftë mirë dhe qofshi shëndosh e mirë ❤🙏.








 










SHARE:
Blogger Template Created by pipdig