Mirë se ju gjeta. Para se t’ju flas për këtë recetë dua t’ju
uroj të gjithëve që më lexoni shëndet për ju dhe të dashurit tuaj ❤. Kjo është
receta e parë qe postoj në blog gjatë kohës së karantinës. Kam qenë aktive gjatë
gjithë kohës me receta të reja, por në llogarinë time në Instagram. Ndërkohë
të gjithë ju që më lexoni në blog nuk keni munguar asnjë ditë. Klikimet tuaja
me mijëra në ditë më kanë gëzuar shumë. Faleminderit nga zemra ❤🙏.
Receta që ju
propozoj sot është një ëmbëlsirë tipike që bëhet në Irlandë për Halloween. Irish Barmbrack
është emri original i ëmbëlsirës, e cila njihet ndryshe dhe si kek për çaj. Kjo
recetë piqet në formën e tavës si bukë dhe është e mbushur me aromat e forta të erëzave të përziera dhe fruta të thata. Frutat e thata që përdoren është rrush i thatë
disa llojesh (i verdh, i zi, kokërr madh, kokërr vogël), i cili zhytet gjatë
natës në çaj të zi të ftohur dhe uiski duke rezultuar të nesërmen në fruta të mbushura
me aromë çaji dhe uiski 😊.
Ky kek nuk ka
në përmbajtje as gjalp, as vaj, ndaj mos mendoni se e kam harruar tek përbërësit 😊.
Duke qenë se ishte hera e parë që e gatuaja unë i ndejta strikt masave dhe
rezultati ishte O ZOT. Është ai lloj keku që hyn në shijet e mia dhe kush e
provoi, irlandezet që më dhanë recetën, kunata dhe vëllai thanë që ishte kek
tamam për kafe ose çaj (kafenë e shtova vet meqë jam kafe pirëse 😊).
Shijoni recetën.
Përbërësit:
225 gr miell
1 lugë çaji
fryrës për kek
200 gr rrush
të thatë (disa llojesh do ishte më mirë)
250 ml çaj i
ftohtë
50 ml uiski
125 gr
sheqer kaf (e detyrueshme se jep ngjyrë kekut)
1 kokërr vezë
e madhe
1 lugë çaji
erëza miks (garam masala)
1 lugë
gjelle lëkurë portokalli
1 unazë rreth
(opsionale) 😊
Përgatitja:
Para se t’ju
shtjelloj përgatitjen po ju sqaroj punën e unazës 😊.
Sa herë Irlandezët përgatisin këtë kek vendosin brenda një unazë. Kujt i bie
unaza do martohet brenda vitit. Kështu që sigurohuni që nëse vendosni unazë rreth
brenda kekut, këtë kek ta konsumojnë vetëm beqarë 😍😄.
Përgatisni çajin
e zi, lëreni të ftohet, shtoni rrushin e thatë, uiskin dhe e lini gjithë natën
në frigorifer. Sa më gjatë të rrijë bashkë kjo përbërje aq më mirë.
Në një enë
shtojmë gjithë përbërësit e thatë, më pas shtojmë vezën, lëkurën e portokallit
dhe rrushin e thatë me gjithë çajin. Nëse nuk keni garam masala, erëzat miks që
mund t’i gjeni me këtë emër, i shton kekut tuaj kanellë, karaifil pluhur, ginger
pluhur.
Me një lugë druri bashkoni gjithë përbërësit për 2 minuta dhe hidheni masën në një formë të vogël për bukë.
Piqeni në 180 gradë në mes të furrës për rreth 1 orë.
Lëreni të
ftohet, të kullojë dhe më pas servireni. Sa më shumë ditë kalojnë aq më i shijshëm
bëhet ky keku. Ju bëftë mirë dhe qofshi shëndosh e mirë ❤🙏.
No comments
Post a Comment