Monday, July 16, 2018

Bathë në tavë – në kujtim të xhaxhait tim


Tava me bathë në shtëpinë tonë na sjell ndërmend çdo muaj Maj të vitit, ku tradicionalisht gatuhet tava me bathë disa herë gjatë muajit dhe tava me oriz dhe bibë (zogu i patës). Nuk e di sesa tipike është tava me bathë në familjet tuaja ose në zonat prej nga vini, por në familjen tonë Fierake nuk ka kaluar muaj Maj për aq sa unë mbaj mend, mos të gatuanim tavën tonë të preferuar. E di që jam pak si vonë me ketë recetë të gatuar dhe fotografuar 2 muaj më parë nga unë, por sot që i erdhi radha do mbetet gjithmonë në ditarin tim të gatimeve si një recetë dedikuar xhaxhait tim që sivjet bën 4 vjet i ndarë nga kjo jetë. Xhaxhai im Nasi, ndryshe nga sa mund të mendoni se do them, nuk e “duronte” dot tavën me bathë, e cila i kujtonte fëmijërinë dhe varfërinë e skajshme, ku Maja (siç i kemi thirrur gjyshes tonë) ja gatuante gjatë gjithë stinës së pranverës, në mungesë të bulmetit apo perimeve jo të shumta në këtë stinë. Kur xhaxhai ishte ende në këtë jetë bënim shpesh shaka “hajde sot për drekë nga ne se kemi bathë” “bobobo bathë mos mbifsh thoshte se aq shumë kam ngrënë nga duart e nënës dhe aq shumë më kujton varfërinë me të cilën jemi rritur”.
Nëse 60 vjet më parë batha ka qenë ushqim i të varfërve, sot është nga bishtajoret më të kërkuara në dieta për shkak të përbërësve të saj me shumë ujë, fibra, proteina dhe sasi të pakonsiderueshme të yndyrës
Bathën e freskët në muajin maj unë e siguroj nga kontaktet e mia në fshat, ajo nuk gjendet lehtësisht në tregun e fruta perimeve. Një arsye tjetër përse u ula me ngulm sot ta shkruaj këtë recetë është dhe Juli, shoqja ime në Kanada, që kishte blerë bathë të freskët dhe donte recetën myzeqare të gatimit 🤗. Diçka që duhet të mbani mend kur gatuani bathën. Nëse keni siguruar bathë shumë të njoma që do të thotë kokrra e bathës e ka cipën të hollë mund ti gatuani bashkë me to. Nëse batha ka një lëkurë të trashë dhe pak të zbardhur në ngjyrë, duhet që pasi ti zjeni ti pastroni bathët nga cipat një më një.
Përbërësit:
Bathë kokërr
½ kg qepë e njomë
2 tufë kopër
1 filxhan çaji kumbulla të vogla të tharta
Vaj ulliri
1 lugë çaji spec i kuq
2 lugë gjelle miell
Kripë

Përgatitja:
Ziejmë bathët. Siç ja u shpjegova më lartë nëse batha kokërr ka cipë të hollë mos i pastroni ato. Në të kundërt pas zierjes do duhet ti qëroni kokrrat e bathës një për një nga cipa e trashë. Në rastin tim bathët ishin shumë të njoma dhe nuk kishin nevojë për proçesin e heqjes së lëkurës. I shtroni bathët në tavën e gatimit, mbi to hidhi kumbullat dhe filloni me përgatitjen e gjellës.



Në një tigan me vaj ulliri (ose vaj për gatim) shtoni qepët e njoma të grira bashkë me gjethet jeshile. I kaurdisim qepët në flakë të ulët me kapak sa ato të ulin volumin dhe të “vriten” pak.
Në këtë moment shtojmë specin e kuq, kripën dhe dy lugë miell dhe trazojmë mirë.




Shtojmë një gotë ujë, dy tufat e koprës së grirë dhe rregullojmë masën me kripë nëse ka ende nevojë. Fikeni zjarrin. Gjellën që sapo gatuam e shtojmë mbi bathët dhe tavën e fusim në furrë të parangrohur më parë në 200 gradë.


Tava është gati kur krijon një cipë sipër dhe ka tharë gjysmën e lëngut të parapjekjes. Lëreni tavën me bathë në qetësi për 10 minuta dhe servireni me pak vaj ulliri sipër dhe bukë të thekur sipas dëshirës. Ju bëftë mirë.
p.s. kështu është mënyra sesi e gatuan mami Lika. Sado të mundohem unë ta bëj si ajo, tava e mami Likës është gjithmonë më e mira. Nuk di se çfarë i bën mami që e nxjerr aq të shijshme, që unë nuk e arrij dot megjithëse kam vite që e gatuaj dhe në shtëpinë time.  #mamafoodisthebest










SHARE:

5 comments

  1. Bona te lumshin duart si per receten ashtu edhe per permbajtjen e shkrimit.

    ReplyDelete
  2. Faleminderit Julka. E kisha shume me merak rrefimin e dashurise per taven me bathe.

    ReplyDelete
  3. Pershendetje keto jan hide apo kumbulla , se mua me duken si hide .

    ReplyDelete
    Replies
    1. Pershendetje.Jane kumbulla, por ngaqe kane ndejtur ne ngrirje, kur i nxjerr marrin kete ngjyre. Jane thjesht kumbulla sheqeri qe jane te kesaj periudhe.

      Delete

Blogger Template Created by pipdig