Monday, November 7, 2016

Yorkshire Pudding

Kur bie për herë të parë në kontakt me kuzhinën angleze ose e dashuron, ose e dashuron :), nuk ke zgjidhje tjetër. Kështu ka ndodhur dhe me mua, 16 vjet të shkuara, kur për herë të parë duhet të shkoja për studime në këtë vend e të jetoja tërësisht me zakonet dhe ushqimet vendase. Mëngjeset angleze janë mëngjese shumë të plota dhe të çuditshme që nga i famshmi English breakfast, groshët me domatë të pjekura për mëngjes apo “black pudding” që më mirë nuk po ja u shpjegoj se çfarë është :) (mund ta zbuloni vet :)), por me shije shumë të mirë. Pjatat kryesore të drekës si ajo me mish gici shoqëruar me reçel molle do ishte një “fatalitet” për shijet me të cilat jemi mësuar ne, por unë e shijoja këtë kuzhinë në të gjitha format e saj të servirjes. Një nga recetat angleze që më la pa mend ato kohë ishte Yorkshire Pudding. Në ato vite kur dhe interneti apo informacioni që ti mund të gjeje për receta gatimi ishte pak i vakët, të riprodhoje Yorkshire pudding dukej impossible :). Ky pudding ka 3 përbërës bazë për çdo mëngjes normal. Por mënyra e pjekjes dhe servirja është një wow, një pufkë gjigande krokante nga jashtë dhe bosh nga brenda :). Unë sot Yorkshire pudding do e servirja me mjaltë, reçel, krem djathi etj, por kur për herë të parë jam prezantuar me të e kam ngrenë të mbushur me të famshmin “gravy”, me mish dhe perime. Provojeni këtë recetë aq të thjeshtë dhe me aspak shpenzime për ti ofruar një darkë të gëzuar familjes tuaj.

Përbërësit për 12 puddings
4 vezë
200 ml qumësht
200 gr miell
Kripë
1 filxhan kafe vaj vegjetal
Përgatitja
Fillimisht nxehim sobën në 220 gradë. Në tavën me format e cupcakes hedhim vajin vegjetal në tre format e para, e ngrejmë tavën në një kënd afër 90 gradë dhe në këtë mënyrë vaji do rrjedhë në të gjithë format e cupcakes në masë të barabartë. E kam ilustruar më poshtë me foto. E fusim tavën në furrë për 10 – 15 minuta derisa vaji të nxehet tërësisht.


Ndërkohë rrahim vezët me miellin dhe qumështin, kripën derisa të arrijmë një masë pa kokrra.
E hedhim masën në një gotë të tillë si në foto për ta patur më të lehtë derdhjen nëpër format e tavës
Nxjerrim tavën nga furra dhe menjëherë mbushim format me masën e pudding. Masa do fillojë të nxjerrë bulëza nga vaji i nxehtë. Kjo është në fakt ajo që duam :)

Fusim në furrë dhe pjekim për 15 – 20 minuta derisa pudingu të ketë marrë këtë pamje. Ju lutem mos e hapni furrën për asnjë moment gjatë kësaj kohe. Ju bëftë mirë.



SHARE:

3 comments

  1. Per here te pare keto I kam pare tek Ina Garten, e cila I aromatizoi me trumze. Mua me pelqyen, por kalamajve te mi ju duken si byrek me qumesht (por pa peta :-) )

    ReplyDelete
  2. Hahah mund te duken vertet si byrek me qumesht, por krokante ama 😍

    ReplyDelete
  3. This comment has been removed by the author.

    ReplyDelete

Blogger Template Created by pipdig