Tuesday, November 29, 2016

Pulë me erëza indiane dhe oriz basmati

Personalisht më pëlqen shumë të miksoj erëzat. Shoqja ime e fëmijërisë Juljana, e cila jeton në Canada është një guru për erëzat, origjinën, miksimin e tyre dhe çdo gjë që i bën mirë shëndetit dhe bukurisë. Sa herë që gatuaj recetën e famshme “chicken curry” asnjëherë nuk kontrolloj listën e erëzave që duhet të përfshijë, pasi çdo përzierje e këtyre erëzave vetëm shton shijen e veçantë gatimit tuaj. Këtë herë unë kam zgjedhur kofsha të vogla pule për ta sjellë recetën, por në përgjithësi përdor gjoksin e pulës së prerë në kubikë.
Shoqëruesi ideal i “chicken curry” sipas traditës është orizi basmati. Vetë fjala basmati do të thotë “aromatic” apo “fragrant”, ndaj dhe orizi ka një aromë shumë të fortë të arrorëve, ndonjëherë mua më duket dhe si aromë e rëshirës së pishave :), ndjesitë mund të jenë të ndryshme.
Në familje e pëlqejmë të gjithë basmatin, por nuk është se e gatuajmë shpesh, më shumë mbetemi tek orizi ynë tradicional.

Përbërësit
5-6 kofsha pule të vogla
1 kokër qepë
2-3 thelpinj hudhër
100 ml domate pure
Kerri
Koriander
Kumin pluhur
Xhinxher pluhur
Kanellë
Fare kopëre (fennel seeds)
Piper të kuq
Piper të zi
1 lugë çaji sheqer kaf

Për orizin
2 kupa oriz basmati
3 kupa ujë
Kripë
1 lugë gjalp

Përgatitja
Nxjerim mbi banakun e punës gjithë erëzat dhe mishin. Grijmë qepën dhe hudhrat dhe i hedhim në një tenxhere me vaj. Mbi to vendosim kofshët e pulës dhe shtojmë erëzat me radhë nga një të kapur gishtash. Trazojmë dhe pasi pula me qepën të ketë marrë ngjyrë shtojmë domaten pure, ujë sa mishi të mbulohet. Rregullojmë dhe kripë, hedhim sheqerin dhe lëmë të ziejë në zjarr të avashëm për rreth 30 minuta.


Në një tenxhere tjetër përgatisim orizin basmati. Basmati duhet shpëlarë përpara se ta hedhim në ujin që zjen, në mënyrë që të largohet niseshteja e tepërt. Unë harrova ta bëj dhe përsëri orizi më doli  i shkoqur :). Masa e zierjes së basmatit është 1 kupë basmati, 1 e ½ kupë ujë.
Këshillë: kripën për orizin do e hedhim në ujë përpara se të shtojmë orizin dhe do e rregullojmë sasinë e nevojshme të kripës në këtë moment. Nëse shtojmë kripë për të rregulluar shijen në fund, orizi mund të mos e thith dhe të na dalë i kripur.
Në ujin që zien hedhim basmatin, një lugë gjalp dhe e lëmë në flakë të ulët.

Një sekret që ma ka mësuar Juli, nga shoqja e saj Indiane Azy, që orizi basmati të dalë i shkrifët, kur e ka pirë pothuajse të gjithë ujin, e ulim flakën në minimum, e mbulojmë me një pecetë dhe kapak dhe e lëmë të gatuhet në këtë mënyrë për 3-4 minuta, pa trazuar asnjëherë.
E lini orizin në qetësi pas këtij proçesi për disa minuta, pastaj me një pirun e shkriftoni. Rezultatin do e shikoni në foto.


Ndërkohë që orizi është gati dhe pula ka përfunduar. Servirni dhë ju bëftë mirë.

Tek kjo foto, e kam gatuar recetën me gjoks pule.


SHARE:

Keku i Lolës

Keku i Lolës të merr në qafë nga pamja dhe ka përbërës që na gjenden të gjithëve në shtëpi. Në përgatitjen dhe pjekjen e këtij keku nuk gabon kurrë. Këtë recetë ma ka dhënë një prind fëmije në kopësht me emrin Lola. Nuk e di nga bëhet Lola tani, por një gjë të mirë na e la, recetën e këtij keku :).
Receta origjinale e kekut është pak më ndryshe nga ajo që unë bëj, pasi kam ulur gati 1/3 e sasisë së sheqerit dhe një kokër vezë më pak. Gjithmonë kështu e kam gatuar këtë recetë sipas modifikimeve Bonbon :) dhe rezultatet janë siç do t’i shihni në foto. Për shijen duhet ta provoni vetë në shtëpitë tuaja dhe do më jepni të drejtë.
Ajo që duhet të mbani parasysh kur përgatisni kekun e Lolës është cilësia e kakaos. Mos e blini atë në supërmarket apo dyqanet e vogla të lagjeve. Blijeni tek Neranxi sepse ka një shije më pranë kakaos së vërtetë. Cilësia e kakaos bën ndryshimin në këtë recetë. Ka disa dyqane me produkte natyrale dhe organike në Tiranë, por që unë nuk i kam vizituar ende, që t’ju drejtoj në këto dyqane për cilësinë më të mirë të kakaos.

Përbërësit
120 gr kakao
12 lugë gjelle sheqer
12 lugë gjelle miell
4 vezë
1 kupë qumësht (150 ml)
1 kupë vaj (150ml)
1 bustinë pluhur pjekës
100 gr copa çokollate
Përgatitja
Pasi i matim të gjithë përbërësit, fillojmë ti rrahim një nga një vezët, sheqerin, vajin, qumështin, miellin, kakaon, pluhurin pjekës me një mikser normal. Rrahim për 2-3 minuta.
Heqim një kupë nga masa e kekut që kemi përgatitur, pasi do ja shtojmë kekut në fund.
 Hedhim gjysmën e copavë të çokollatës në përzierjen tonë.
Shtrojmë letër gatimi Fino në tepsinë ku do pjekim kekun. Këtë herë provova letrën e gatimit Fino, e cila siguroi një pjekje perfekte të kekut.

Pjekim në 180 gradë për 25-30 minuta. Kthejmë kekun përmbys në një pjatancë. Pjekja siç e shihni në foto super :).
Shtrojmë mbi kekun e pjekur masën që hoqëm më parë dhe zbukurojmë me copat e çokollatës sipas dëshirës. Kekun e Lolës e përgatitëm sot për festën e Çlirimit, ndaj po postoj dhe foto të tavolinës tonë. Ju bëftë mirë dhe GËZUAR









SHARE:

Pasta Carbonara

Unë nuk shquhem për njohuri shumë të mëdha të kuzhinës italiane, por provoj të gatuaj ato pjata që mendoj se fëmijët do i pëlqejnë. Disa nga recetat tipike na i ka gatuar halla Ela sa herë vjen nga Italia, kështu që kemi shansin që t’i testojmë shijet nga duart e hallës :). Këtë verë halla Ela i gatoi fëmijëve pastën carbonara dhe Henri i pëlqeu shumë. Meqë kemi vezë të freskëta fshati në shtëpi dhe më besoni carbonara do vetëm vezë të tilla, po e shfrytëzojmë rastin të sjellim recetën carbonara për familjen dhe për ju :)

Përbërësit
3 vezë fshati
150 gr proshutë crudo
150 gr djath grana të grirë
½ qep
2 thelpinj hudhër
1 pako spageti
Kripë, piper
Vaj ulliri
Përgatitja
Foto me përbërës më lartë, ka një kokër vezë më pak dhe një pana tepër :). Përbërësit e saktë janë të shkruara tek lista e përbërësve.
Vendosim makaronat të ziejnë në ujin që valon dhe ku kemi hedhur kripë.
Në një tigan hedhim qepën e grirë dhe hudhrën. I kaurdisim në vaj ulliri. Pasi qepa dhe hudhra marrin ngjyrë i heqim nga zjarri. (ky është momenti që mund t’i shtosh verë të bardhë qepës së kaurdisur, por unë nuk ja hodha se kisha merak se nuk do ma pëlqenin fëmijët shijen).
Rrahim 3 vezët në një tas.
Kur pasta ka arritur minutazhin e zierjes i kullojmë dhe hedhim prap në tenxhere ku shtojmë menjëherë qepën e kaurdisur dhe vezët e rrahura. Trazojmë që veza e rrahur të përhapet në të gjithë masën e pastës dhe të mpikset në mënyrë të njëtrajtshme.
Hedhim më pas proshutën dhe djathin, vaj ulliri dhe servirim menjëherë. Unë i hodha sipër dhe fara të pjekura, i dhanë shumë shije. Ju bëftë mirë.



SHARE:

Monday, November 28, 2016

Mami Lika në kuzhinë

Këtë fundjavë të gjatë, shkuam ne tek mami Lika e cila fillon të përgatitet dy ditë para se çfarë do gatuaj për ne. Unë nuk mund t’i sjellë dot me foto gatimet e saj hap pas hapi se i gjeta të gatuara :). Diten e dielë mami na poqi pulën e detit me dy lloj përsheshesh, atë me bukë misri siç e hamë ne nga Myzeqeja :) dhe atë me miell gruri siç ja ha dhëndri. Se si mami Lika gatuan pulën e detit dhe përsheshet në dy mënyra do ja u tregoj për vit të ri.
Mami Lika dhe kuzhina janë një fjalë e vetme. Kush e njeh dhe ja ka provuar dorën e di mirë se çfarë them. Ajo që vras mendjen është se si i mban mend gjithçka që gatuan? Edhe gjëra që gatuhen rrallë ajo nuk ka nevojë të shfletoj receta. Sot në moshë dhe me diabet, ajo përsëri nuk heq dorë nga gatimet që ne, fëmijët e saj ja kërkojmë për nostalgji.
Nuk mund të harroj kur ishim të vegjël dhe kishte dasma nëpër fis, mami përgatiste në kushte shtëpie me qindra copë çokollata, amareta me çokollatë e deri tek llokumet. Mami ka patur fatin të punoj shefe në ushqimin social dhe në shtëpinë tonë gjendeshin ngjyrosës pastiçerie, esenca të ndryshme, rulona me letër çokollate dhe në prag festash shtëpia jonë kthehej në një pastiçeri të vogël :). Kam shumë nostalgji t'i kthehem me mamin përgatitjes së fondantit për çokollatat, punimin e brumit fondant me shpejtësi shumë të madhe, aq sa të digjnin duart, sepse duhet t’i jepje formë çokollatës sa më parë, pasi forcohej fondanti dhe gjithë lodhja mbi furnela të shkonte dëm. Kujtoj një grep që mami kishte sajuar kur i jepte formën e plotë çokollatave, pasi i zhyste në çokollatën e shkrirë. Kënaqësia më e madhe ishte kur ndihmonim mamin për të veshur çokollatat, se këtu fillonim e hanim fshehurazi unë me vëllain :).
Llokumet me arra siç i bënte mami në kushte shtëpie nuk i kam provuar as në Turqi, në atdheun e llokumeve :). Habiteshim të dy me vëllain sesi transformoj sheqeri me teknika të ndryshme gatimi, majë një furnele….AMAZING!!!!
Po të filloj të flas për kujtimet e vegjëlisë dhe mrekullitë që nxirrte mami Lika nga duart, ekonomiste në profesion, do më duhet të shkruaj libër, po ku i dihet hahaha
Këtë fundjavë nga mami Lika sjell vetëm një video sesi hapen petët e byrekut me një stil jo të zakonshëm :)
Mami që mos të ma prishte qejfin e zuri pak brum sa për demostrim. Meqë kjo ishte teknikë që mami e ka përvetësuar së fundmi, mendova t'ja u tregoj me video proçesin e hollimit të petëve.
Ju kërkoj ndjesë që nuk ka shumë dritë, por na ikën pak dritat në Fier dhe unë s’mund të prisja sa të vinin :).

Përgatitja
Zëmë brumin si zakonisht për byrek. E lëmë brumin të rrijë 30 minuta mbledhur me qese gatimi. E presim në toptha gjithë brumin. Marrin 4 ose 5 toptha dhe i hapim një nga një duke i hedhur sipër niseshte.
I vëmë copat e hapura njëra mbi tjetrën

Tani shijoni videon tek ky link https://youtu.be/NZ7ZwHLm98c
Kur petët i shtroni mbi tepsi do i lyeni me vaj si zakonisht. Rezultati, kur byreku piqet, do jene petët më të holla dhe më të shkrifëta që keni provuar ndonjëherë. 


SHARE:

Thursday, November 24, 2016

Makaronat e skuqura të mamit

Këtë herë nuk e kam quajtur recetë të mami Likës sepse të gjitha mamatë na i kanë gatuar në fëmijërinë tonë. Me makaronat e skuqura nuk bën dot “shpikje”, receta gatuhet në çdo shtëpi njëlloj :). Deri para disa vitesh, kur mamaja ime ma solli ndërmend, netëve të dimrit, kur përtoj të gatuaj për darkë, makaronat e skuqura janë një bekim për gjithë familjen. Shoqëruar me djath të bardhë, të 3 çunat e mi vihen në radhë për ta ngrënë me dëshirë të madhe :).
I vetmi truk që unë përdor për një shije më të mirë, janë paketat STAR me çfarëdolloj shije mishi apo perime që më gjendet në frigorifer.

Përbërësit
500 gr makaronë e vogël
1 paketë Star
1 filxhan kafe vaj
1 lugë gjelle gjalp
Ujë, kripë

Përgatitja

Hedhim vajin në tenxhere, në zjarr mesatar. Kur vaji ngrohet hedhim makaronat dhe trazojmë me lugë druri herë pas here që makaronat të marrin ngjyrën e skuqjes.
Ngrohim ujë në një tenxhere, aq sa masa e makaronave. Dmth masa ujë – makarona, për këtë recetë është 1 me 1. Unë përdora këtë gotë për të matur makaronat, po aq ujë të nxehtë i shtova makaronave për të zierë.
Pasi hedhim ujin, shtojmë paketën Star, kripë dhe lëmë të ziejnë derisa makaronat të kenë shteruar gjithë ujin. Në këtë moment i shtojmë dhe gjalpin dhe përziejmë. Servirim. Ju bëftë mirë.



SHARE:

Sunday, November 20, 2016

Kek me shërbet sipas mami Likës

Ky është keku që mamat tona e kanë gatuar kur ne kemi qenë të vogla. Keku me kos e vezë, ka qënë ëmbëlsira më e zakonshme dhe më e shpeshtë e asaj kohe. Ama kur i shtoje dhe shërbet, ëmbëlsira kthehej në një pjatë të veçantë që nuk kishe mundësi ta shijoje dhe aq shpesh.
Më ka qëlluar kur kisha çunat në çerdhe e kopësht të kërkoja shijen e kekut që ne kemi ngrënë kur kemi qënë fëmijë. Nuk e kam gjetur më. Ky kek, të risjell atë shije dhe meqë jemi në dimër dhe në stinë festash i bëjmë një tolerim dhe shërbetit :)

Përbërësit
5 vezë fshati
100 gr gjalp
150 gr sheqer
200 ml kos
300 gr miell
1 lugë kafe e prerë me sodë buke
Lëkura e 2-3 portokalleve

Për shërbetin
600 ml ujë
800 gr sheqer
Përgatitja
Rrahim vezët me sheqerin. Shtojmë gjalpin e shkrirë.
 Shtojmë kosin, miellin, sodën dhe lëkurat e portokallit.
 Ja dhe unë në sfond që fotografoj mamin :)
Shtrojmë masën në një tavë të lyer me gjalp. E pjekim në 180 gradë pëe 45 minuta, në mes të furrës, derisa keku të kullojë. E testojmë me një majë thike e cila duhet të dalë e pastër.
Meqë nuk i pëlqejmë ëmbëlsirat me shumë shërbet si familje, pregatisim shërbet aq sa duhet, jo të kullojë tepri kur ta hamë :). Vendosim ujin në tenxhere bashkë me sheqerin dhe e lëmë shërbetin të ziejë 15 minuta nga pika e vlimit.
Siç dihet kur përgatisim ëmbëlsira me shërbet ose keku ose shërbeti duhet të jetë i ftohur. Unë kisha kekun e ftohtë dhe i hodha shërbetin e ngrohtë, jo të nxehtë. Ju bëftë mirë.




SHARE:
Blogger Template Created by pipdig