Saturday, January 26, 2019

Kek me banane dhe çokollatë Bonbon

Kur të kap frymëzimi për të bërë ëmbëlsira në mes të natës (ky është turni im i gatimit 😐) do i bindesh përbërësve që ka dollapi. Dhe kur dollapi yt ka 2 banane të pjekura dhe ti kujtohesh që nuk e ke pëlqyer asnjëherë kekun me banane....vendos t'i besosh shijes Bonbon e të bësh një kek siç ta ka ënda. Një kek që për surprizën time doli "o dio" dhe këto receta Bonbon e kanë vendin vetëm në blog. Keku me banane Bonbon nuk mbetet për të nesërmen 😋, ndaj bëjeni kur të gjithë janë në gjumë që të keni shansin ta shijoni me kafen tuaj të mëngjesit.
Ah të mos harroj, kjo recetë ka dhe një anë të mirë, bën pis vetëm një tenxhere, aty ku tret çokollatën 😋. Gjithë përgatitjen e kekut më pas e vijon brenda tenxheres 🤗. Meqë këtë recetë po e hedh nga celulari për shkak të kërkesave të larta në instagram (ku u prezantua për herë të parë), listën e përbërësve po ja u servir me foto 😍.

Përbërësit:



Përgatitja:
Çokollatën dhe qumështin e vendosim në zjarr derisa çokollata të tretet.
Menjëherë shtojmë sheqerin kaf dhe gjalpin që të treten nga nxehtësia e çokollatës.




Hedhim vajin dhe përziejmë.
Rrahim vezët kur masa të jetë ftohur (e vakët) dhe do shohim që kremi çokollatës do trashet kur të shtojmë vezët.
Shtypim bananet me anën e një piruni dhe i shtojmë ato tek masa e kekut.
Në fund fare përziejmë miellin dhe dy llojet e sodave.


p.s. shtojmë dhe një dorë bajame (opsionale me detyrim 😛)


Hedhim masën në një tavë të lyer me gjalpë dhe pjekim në 180 gradë për 45-50 minuta derisa keku të kullojë. Lëreni të ftohet tërësisht përpara servirjes sepse del një kek shumë i butë dhe i shkrifët. 



Shijoni me një gotë qumësht të ftohtë ose kafe padyshim 🤗. Aroma në shtëpi do ju zgjase gjysëm dite nga gatimi i këtij keku. T'ju bëjë mirë ❤.








SHARE:

Monday, January 21, 2019

Ton në furrë me patate


Këtë recetë ja u kisha premtuar 2 muaj më parë dhe nuk do e lija pa e postuar, pasi nuk na ndodh shpesh të kemi peshk ton të freskët në shtëpi…….”unless” vetëm nëse keni një çun teze si ky imi, Auloni 😝. Auloni si vlonjat që është na e ofron këtë mundësi që të provojmë dhe peshk jo shumë i zakonshëm për tavolinat tona.
Kur kërkova një recetë për peshkun ton, e di nga më erdhi receta më intriguese? Nga Iris Bardhi, të cilën nuk e njoh personalisht, por e kam ndjekëse në Instagram. Jo vetëm që receta ishte pak më ndryshe në sasinë e qepëve dhe të erëzave, por Irisi ishte në sallën e lindjes kur më shkroi  për të sjellë në jetë fëmijën e saj ❤❤😍🤗🙏. I uroj Irisit që t’i rrojë sa malet princi ose princesha që ka sjellë në jetë ❤💙. Për mua viti paska qenë i thënë të filloj vetëm me receta që mi sugjerojnë gratë shtatzëna. Ku ka më bukur. Tingëllon dhe shijon si një vit i begat, plot lajme të gëzuar siç është ardhja e një fëmije në jetë dhe padyshim i mbushur me dashuri . AMIN 🙏

p.s. këtë recetë mund ta përdorni dhe kur keni peshk tjetër si levrek apo merluc.

Përbërësit:
5 fileto toni
1 qepë e kuqe
1 lugë gjelle kaperi
3-4 gjethe dafine
Domate të thara
1 lugë gjelle spec i kuq pure
Piper i zi pluhur dhe kokërr
Piper i kuq djegës, pluhur
1 lugë gjelle miell
2 kokrra patate
Vaj ulliri për gatim



Përgatitja:
Tonin e pastrojmë dhe presim në copa. 

Në një tigan shtojmë vaj ulliri dhe hedhim qepën e kuqe të prerë hollë, bashkë me domatet e thara. Shtojmë kaperin me pak nga lëngu i tij, dafinën dhe salcën e specit.



I lëmë përbërësit të kauridisen bashkë për 2-3 minuta. Hedhim miellin dhe një gotë ujë, duke e trazuar për të krijuar një salcë të njëjtrajtshme. Hedhim piper të zi kokërr dhe pluhur, spec të kuq djegës dhe rregullojmë me kripë.
Qërojmë dhe presim dy kokrat e patates dhe i vendosim në tavë si në foto. Hedhim sipër gjellën që përgatitëm në tigan dhe e vendosim në furrë në 200 gradë, fillimisht me letër alumini sa patatet të zbuten pak dhe më pas e lëmë peshkun ton në furrë derisa të krijojë atë faqen sipër që tregon se tava është gati,

p.s. vendosa ta prezantoj këtë recetë me peshkun e pagatuar, sepse i gatuar peshku mund t’i ngjajë dikujt dhe si bërxollë ose biftek 😍🤗.

Shërbejeni këtë tave më verë të mirë, sallatë të mirë dhe padiskutim shoqëri të mirë. Ju dua ❤












SHARE:

Wednesday, January 16, 2019

Krem Karamel sipas mami Likës


Nuk e di pse kam lënë për kaq kohë jashtë blog-ut një nga recetat më të përkryera të mami Likës “Krem Karamel”, ëmbëlsirë të cilën mami Lika e ka qarë gjithmonë. ❤
Edhe disa ditë më parë që vendosa ta gatuaj, nuk është se u kujtova vet. Ishte kushurira ime në Amerikë, e cila është në pritje të fëmijës së tretë, në mes të natës për ne ballkanasit e pasdite për Nadën në kontinentin tjetër 😛, më kërkoi recetën nga mami Lika. A mund ta lija në pritje unë një grua shtatzanë deri të nesërmen në mëngjes për recetën? Kurrsesi jo!
🤗Ndaj zgjova  mami Likën e cila ashtu përgjumësh më shpjegoi recetën në detaje. Në këto kushte, si grua nepsqare që jam 😛vendosa ta bëj dhe vet dhe me këtë rast "Krem Karameli" i mami Likës fiton dhe vendin e vet në blog 🤗. Përpara se t’ju rendis përbërësit më lini t’ju sqaroj. Nëse do bëni 1 litër e gjys qumësht do ju duhet ta vendosni furrën dy herë, por ja vlen 😋. Meqë unë kaq bëra po listoj përbërësit më poshtë:

Përbërësit për kremin:
1 e ½ litër qumësht
8 kokrra vezë
4 lugë gjelle sheqer
1 bustinë vanilje

Përbërësit për karamelin:
100 gr sheqer

Shënim: nëse do të bëni 1 litër qumësht do shtoni 6 vezë. Sheqerin e pakësoni vet sipas shijes.


Përgatitja:
Nëse nuk keni enë të vogla që futen në furrë, mund ta bëni krem karamelin në një tave të madhe xhami. Shijon njëlloj, thjesht nuk e përmbysni dot 😍.
Unë në foto ju kam nxjerrë 3 modele të ndryshme ku mund të piqni krem karamelin. Lyejm tasat paraprakisht me gjalp.
Në një tenxhere të vogël shtojmë sasinë e sheqerit për karamelin dhe pa e trazuar asnjëherë, por veç rrotullimeve të tenxheres në mënyrë që masa të karamelizohet në mënyrë homogjene, krijojmë karamelin në flakë mesatare. Kur karameli të jetë gati e shtojmë atë lugë lugë menjëherë nëpër tasa.



Ndërkohë që do rrahim 8 vezët në një tas bashkë me sheqerin (4 lugë), vendosim qumështin të ngrohet sikur do e zini kos (bëni testin me gishtin e vogël, për nxehtësinë e duhur). Hiqeni qumështin nga zjarri kur të jetë ngrohur mjaftueshëm sa ta durojë gishti dhe me garuzhde e shtoni atë ngadalë tek vezët, duke mos ndaluar rrahjen me mikserin elektrik. Vijoni kështu derisa të mbaroj i gjithë qumështi. Masa është gati. Ndajeni atë nëpër tasa. Mund të krijohet pak shkumë gjatë këtij proçesi. Mos e hidhni atë poshtë. Hiqeni mënjanë dhe më pas shtojeni tek ena më e madhe si në rastin tim ku do piqni karamelin.





Vendosini tasat e vegjël në një tepsi, mbusheni tepsinë më ujë të nxehtë dhe futeni në furrë të ngrohur në temperaturë maksimale, 
Uleni furrën në 250 gradë dhe i lini të piqen derisa krem karameli të ketë zënë një shtresë të artë sipër. I lini të ftohen në temperaturë ambjeni. 

Më pas i fusni ato në frigorifer dhe i servirni me fruta ose thjesht sipas dëshirës:
Shënim: përpara se ta ktheni formën tuaj në një pjatë, me majën e një thike ngacmoni anësoret e kremit që janë ngjitur pas formës tuaj dhe më pas përmbyseni atë. Ju bëftë mirë.








SHARE:
Blogger Template Created by pipdig