Thursday, September 2, 2021

Tortë Ditëlindje me Krem Vanilje, Lajthi dhe Qershi


Torta e ditëlindjes së Bledit ishte një dashuri më vete. Shkak për ta përgatitur vetë ishte receta e Nila Iljazit, tortë me krem vanilje dhe reçel qershie.  Të dyja këto shije qëndrojnë aq mirë me njëra tjetrën sa nuk hezitova ta mendoj dy herë. Qershi vishnje kisha në ngrirje nga viti i kaluar. Ditëlindja e Bledit është në 17 Maj dhe qërshitë në këtë muaj vetëm në hënë mund ti gjesh J.

Përgatitja e kremit të vaniljes sipas recetës së Nilës ishte nja zbavitje më vete J. Miksim me rrahëse elektrike 2 minuta dhe kremi është gati për lëpirje J.

Për bazën e tortës dmth pandispanjën, jo vetëm për arsye dembelizimi, por dhe për arsye se torta del një sukses i paparë përdora miell të gatshëm tortash, e cila me shumë pak përbërës kthehet në një super pandispanjë. Unë poqa dy baza tortash duke krijuar kështu 4 disqe njëri mbi tjetrin.

Po vijoj me recetën më poshtë, duke ju garantuar që kjo tortë mund të përgatitet lehtësisht nga të gjithë ne.

Përbërësit për 1 bazë të tortës (e cila do pritet në dy disqe)

500 gr miell i gatshëm për torta me vanilje

150 ml vaj luledielli

200 ml uje (ose qumesht)

Shënim: Unë përgatita 2 baza të tilla, kështu që bleva 1 kg miell.

Përbërësit për kremin e vaniljes

500 gr pana për ëmbëlsira

750 gr maskarpone

5 lugë sheqer pluhur

vanilje.

Reçeli i qershisë
400 gr qershi nga frigoriferi

2 lugë sheqer kaf

lëng dhe lëkura e një limoni

1 lugë niseshte.

Lajthi, arra, apo bajame të pjekura si dhe copa çokollate të zezë për zbukurim.

Përgatitja

Fillojmë një ditë më parë me përgatitjen e pandispanjës, meqë do bëjmë dy baza të tilla kërkojnë kohën e tyre të pjekjes dhe të qëndrimit në qetësi.

Në një tas shtojmë gjithë përbërësit për pandispanjën. Trazojmë me rrahës elektrik dhe shtrojmë në një tavë me zbërthim anësor, ku kemi vendosur letër për pjekje më parë. Buzët anësore të tavës i kemi lyer me gjalpë. Tava ime ishte 22 cm. Bukur do ishte që bazën ta piqni në një tavë me diametër 20 cm.




Pjekja e pandispanjës bëhët në 180 gradë, për 45 min pa e hapur asnjëherë furrin.

E lëmë pandispanjën të ftohet tërësisht përpara sesa ta nxjerrim nga tepsia dhe e mbledhim me qese kuzhine deri momentin që do e përdorim. Veprojmë njëlloj dhe me bazën e dytë të tortës.



Përgatisim më pas reçelin e qershisë. Qershitë duhet të jenë të pastruara nga bërthamat. I shtojmë 2-3 lugë sheqer kaf, lëngun edhe lëkurën e një limoni dhe i lëmë frutat në qetësi. Pas 1 apo dy ore i vendosim qershitë të ziejnë për pak minuta sa tretet sheqeri dhe krijohet lëngu i kuq nga zierja. Tresim në ujë të ftohtë një lug niseshte. E shtojmë tek qershitë që po ziejnë. Trazojmë një minutë dhe heqim reçelin nga zjarri. E lëmë të ftohet tërësisht para se të ndërtojmë tortën.





Kremin me vanilje të tortës e përgatisim në momentin që do fillojmë montimin e saj. Thjesht trazojmë me rrahës elektrik panën e lëngshme, me mascarpone dhe sheqer pluhur me aromë vanilje. Kremi është gati.




Fillojmë ndërtimin e tortës fillimisht duke prerë dy pandispanjat në 4 disqe. Përpara sesa të vendosim diskun e parë mbi kartonin e servirjes, lyejmë pak me krem dhe ngjisim diskun e parë. Zbusim pandispanjën me qumësht me anë të një furçe. Me një kaush për torta shpërndajmë krem mbi disk duke filluar nga anët. Më pas nivelojmë me spatula dhe shtojmë reçel qershie, copa çokollate dhe lajthi të pjekura sa të doni . Kështu vijojmë me çdo katë sa të mbaroj ngritja e tortës. Më pas me anë të një spatula patinojmë tortën me kremin që del nga anët e tortës dhe me krem shtesë po qe nevoja dhe vendosim tortën për gjithë natën në frigorifer që torta të bëhet solide.











Të nesërmen në mëngjes me kremin e mbetur të ruajtur në frigorifer krijojmë lulkat mbi tortë. Zbukurojmë qëndrën e tortës me reçel qershije. Dhe anës tortës vendosim copëza çokollate të zezë për një pamje më profesionale.

Shijen besoj e merrni vet me mend me kaq dashuri dhe përkushtim (një ditë e tërë) që mu desh për realizimin e saj. Surprizoni të dashurit tuaj me një tortë të bërë në shtëpi. Nuk ka emocion më të bukur.

Falenderoj shoqet e mia Elvën dhe Erin (dy torta bërëset më të mira që njoh) që e gdhijnë me mua sa herë kam tortë për të bërë J. Pa monitorimin e tyre kjo tortë nuk do ishte kaq e bukur për syrin dhe e shijshme për tu ngrënë.

Gjak dhe Sharm




































SHARE:
Blogger Template Created by pipdig