Monday, February 1, 2021

Ashure/Hashure sipas Bonbon

 

Që të evitoj diskutimin mbi emërtimin e saktë, po i vendos të dyja emërtimet që njoh, të ëmbëlsirës kaq të dashur dhe kaq të njohur për të gjitha familjet shqiptare.

Këtë recetë ja dedikoj mikes time Entela, e cila ka 4 vite që po e pret me zell të madh që unë ta postoj 😍. Në 4 vite mund ta kem berë me dhjetra herë recetën, por duhet frymëzim dhe kohë të dashur lexuesit e mi që të ulesh të shkruash dhe të fotografosh. Mbrëmë isha në kulmin e nepsit për një ashure alla Bonbon dhe e frymëzuar për foto 😘

Të gjithë dimë si ta bëjmë ashuren klasike, por unë sot kam dëshirë të ndaj mënyrën time. Më duhet të them këtu që përbërësit që unë shtoj tek ashurja si fruta të thata ndryshojnë çdo herë sipas furnizimeve që kam në shtëpi. Këtë herë surprizova veten me lëkura portokalli të karamelizuara që më lejoni t’ju them i dhanë një shije fantastike ashures dhe me karaifil të bluar. Cilado të jetë lista e përbërësve me fruta të thata që i shtoj ashures, kanella është erëza më e sigurtë që do i shtoj gjithmonë 😋.Më poshtë ndiqni recetën time hap pas hapi si dhe setin fotografik të ashures 💓.

Përbërësit:

300 gr grurë për ashure

1.5 litër ujë

200 gr sheqer kaf

3 lugë gjelle me maj niseshte

Frutat dhe erëzat e përdorura:

Arra

Rrush i thatë

Fik i thatë

Bukë fiku

Lëkura portokalli i karamelizuar

Kanellë

Karaifil pluhur

Përgatitja

Në një tenxhere shtojmë grurin dhe ujin. Gruri që shitet sot për ashure zjen shpejt, kështu që besoj për 30 minuta kokrrat e grurit do kenë shpërthyer 😊. Nëse do i vini kapak tenxheres ku zjeni grurin mos e mbyllni tamam atë sepse gruri krijon shkumë gjatë zierjes. Pasi gruri zjeu unë shtova dhe një gotë ujë shtesë sepse pashë që kishte ende nevojë për ujë.


Pasi gruri ka zjerë shtoni frutat e thata në copa dhe sasinë e sheqerit. Nëse e doni më të ëmbël shtoni sasi shtesë sheqeri.


Në një tas tresni niseshten me ujë të ftohtë dhe shtojeni tek tenxherja e cila është ende në zjarr duke e trazuar sepse masa fillon e trashet menjëherë. Në këtë fazë unë i shtoj ashures një lugë plot kanellë në
tenxhere (unë e dua shumë kanellën).




Ndajeni ashuren në tasa sa është e nxehtë dhe servireni sipër me kanellë shtesë ose arra dhe bajame të pjekura.
Në zyrën time ashurja u vlerësua 10 me yll 😍😍. Tani pres vlerësimet tuaja kur të provoni recetën. Ju dua💓💓

















SHARE:
Blogger Template Created by pipdig