Friday, January 24, 2020

Sultjash me oriz të zi – Black rice pudding

Në tentativat për ushqim të shëndetshëm ditor, sidomos gjatë ditëve që je në punë dhe ke një mundësi zgjedhjesh të pafundme për ëmbëlsira nëpër rrugët e Tiranës, mendon të sajosh gatime të ëmbla vet që i ke të kontrolluara në sasinë e sheqerit apo përbërësit e tjerë. Jo se ndodh që të jemi të kujdesshëm përditë me ëmbëlsirat, por kur na krijohen mundësitë e marrim veten me të mira 😍. Shkak për këtë ëmbëlsirë u bë mungesa e një orizi “normal” në shtëpi për sultjashin tradicional dhe sugjerimi që Adeola e Kuzhina e Shtëpisë Time më bëri për sheqerin e kokosit. Mendova pse mos të bëj një sultjash ndryshe që dhe po nuk e hëngrën pjesëtarët e tjerë të familjes do e shijoj për veten time. Ndaj receta më poshtë vjen si një “neps” i shëndetshëm i shijes time 🤗😍. Mua më pëlqeu shumë dhe ndaj vendosa ta ndaj si recetë me ju, servirur në dhuratën aq të çmuar që ma ka bërë mami Lika, kompletin e saj të parë të filxhanëve të çajit kur kanë hyrë në shtëpinë e re pas martesës. Ky komplet mbahet vetëm për bukuri sepse unë nuk mund t’ja fal vetes nësë ciflosen apo dëmtohen nga përdorimi i shpeshtë 😍😍. Fiksime Bonboni 😂🤗

Përbërësit për 4 tasa:
200 gr oriz të zi
1 litër qumësht, opsionale mund të përdorni qumësht bajame, soja ose qumësht orizi
2-3 lugë gjelle sheqer kokosi
3 lugë gjelle miell kokosi

Përgatitja:
Në një tenxhere pak të thellë (sepse gjatë zierjes qumështi fryhet dhe mund të derdhet) shtoni qumështin e ftohtë, orizin dhe lërini të ziej në zjarr të avashtë për rreth 40 minuta derisa qumështi të ketë shteruar dhe orizi të jetë zbutur. Orizi zi nuk bëhët “qull” 😀 ndaj dhe zbutja shkon deri në masën e orizit “al dente”.




Këshillë: mbi buzët e tenxheres vendos mes për mes një lugë druri ose lugë gatimi si në foto. Kjo ndihmon që qumështi dhe nëse frytet gjatë zierjës mos të derdhet nga tenxherja 🤗.
Kur orizi të jetë zbutur shtoni sheqerin dhe miellin e kokosit. Ndani nëpër tasa. Për zbukurim dhe shije padyshim mund ti shtoni fletë bajame (unë nuk kisha).


Shënime personale: Se do pyesni të gjithë veten po si mund të jetë shija e këtij sultjashit. Për mua ishte fantastikeeeeee. I hëngra vet tasat sepse sultjashi për burrat e familjes time duhet të vijë vetëm në ngjyrën dhe pamjen tradicionale. Sheqeri kokosit kishte një shije shumë të mirë dhe ndryshe. Dhe ajo ja shtoi lezetin sultjashit.

Mos hezitoni ta provoni nëse keni oriz të zi në shtëpi dhe jeni në regjiim ushqimor 🤗❤. Ju bëftë mirë.🤗🙏















SHARE:
Blogger Template Created by pipdig