Tuesday, December 22, 2020

Panetone Krishtlindje 2020

 


E di qe keni dy javë që më prisni të shkruaj recetën, por dhe unë kam dy javë që testoj recetën e re sepse Panetone nuk është një gatim dosido do kohën e duhur dhe më besoni në kaq panetone dhuratë që kam bërë në këto dy javë, 2 ishin dështim në pamje (jo në shije hahah).

Kam testuar forma të ndryshme që t’ju vi sa më në ndihmë juve dhe vetes 😍. Kjo recetë do patjetër pajisjen e brumit. Nëse unë përtoj ta përdor gjithë vitin, në Dhjetor i nxjerr fundin kur i thonë 😇. Përbërësit më poshtë duhen peshuar të gjithë. Panetonja nuk bëhet dot me sy, do saktësi në matjen e gjithë përbërësve.

Panetonen gjithmonë e testoj me dy shije. Tradicionale me rrush të thatë dhe portokalle të karamelizuar dhe vetëm  me çokollatë se kështu e duan çunat.

Duke ju uruar Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 💓🙏, po vijoj me recetën.

Përbërësit për të zënë brumin e majasë ose Biga

50ml ujë

50 gr miell manitoba (miell që përdoret për panetone ose pizza)

1 lugë çaji mjalt

8-10 gr maja të freskët

Përbërësit për brumin

300 gr miell Manitoba

170 ml qumësht

4 të verdha vezësh

90 gr sheqer

150 gr gjalp

Lëkurë limoni, portokalle

8 gr kripë

Përbërësit për mbushjen tradicionale:

100 gr rrush të thatë të zbutur më parë në ujë

80 gr lëkurë portokalli e karamelizuar

Përbërësit për mbushjen me çokollatë:

150 gr çokollatë në copa (butona)

80 gr lëkurë portokalli e karamelizuar opsionale

Përgatitja:

Krijojmë bigën në një tas ku shtojmë ujë në temperaturë ambjenit, miellin,mjaltin dhe majan. Përziejmë dhe lëmë tasin për rreth 1 orë të mbuluar me qese në temperaturë ambjenti. Shikojeni herë pas here derisa brumi të dyfishojë masën dhe të krijojë bulëza sipër.




Në brumatriçe me rrahësen e si në foto shtojmë 300 gr miell, majanë që ka ardhur dhe qumështin (në temperaturë ambjenti). Rrahim brumin për 5 minuta i cili do rezultoj një brum i fortë.

Më pas shtojmë të verdhat e vezëve (në temperaturë ambjenti) një nga një me pak sheqer dhe vijojmë rrahjen e brumit për rreth 8 minuta. 2 minuta për çdo të verdhë veze. 



Pasi vezët dhe sheqeri mbarojnë, ndërrojmë thikën e brumit dhe vendosim thikën si në foto. Në një tas përgatisim gjalpin ku shtojmë lëkurën e portokallit, limonit dhe kripën dhe i trazojmë bashkë.


Tek brumatriçja pasi kemi ndyrshuar thikën, shtojmë gjalpin lugë lugë dhe vijojmë rrahjen në shpejtësi pothuajse maksimale (po e latë me shpejtësi të vogël, brumi lëshohet). Për të kaluar tek luga e dytë do prisni derisa brumi të ketë përthithur lugën e mëparshme të gjalpit. Ky proçes mund të zgjasë 20-30 minuta. Më pas brumi është gati, ka një shkëlqim të bukur dhe brumatriçja nuk ju nevojitet më.



Mbi tavolinën e punës shtojmë pak miell dhe mbi të hedhim brumin e sapo përgatitur. Shtojmë mbi brum mbushjen që duam ose çokollatë, ose rrush dhe portokalle dhe bëjmë 3 palosjet e zakonshme nga të gjitha anët si në videot më poshtë.









Kjo është mbushje me çokollatë & lëkura portokalli të karamelizuar.

E vendosim brumin në një tas dhe ose e lëmë në frigorifer për gjithë natën nëse po e zini brumin e panetonës në mbrëmje ose në temperaturë ambjenti derisa masa të dyfishohet. Në temparaturë ambejnti dyfishimi i masës ndodh për 2-3 orë.


E marrin brumin përsëri, hedhim pak miell mbi tavolinën e punës, bëjmë përsëri 3 palosjet dhe këtë herë e vendosim tek letra e vet për pjekje. Unë ju sugjeroj lektrën për panetone me diametër 16 cm. Unë e provova dhe me diametrin 18, por rezultoi pak më e madhe për këtë masë brumi. Panetonen vendosini që tani në një tavë sepse kur të fryhet do e keni të vështirë të lëvizni kartonin e panetones tek tava ku do e mbështesni për ta pjekur.



E lëmë brumin të vijë ose ne një ambjent të ngrohtë, ose brenda furrës me dritën hapur dhe një tas më ujë të ngrohtë që ndihmon ardhjen më shpejtë të brumit. Lëreni brumin të vijë deri 1 gisht nën letër. Bëni një kryq me anë të një brisku dhe vendosni gjalp mbi kryq para se të vendosni panetonen tuaj për ta pjekur.






Vendoseni panetone në katin e fundit të furrës, në temparaturë 170 gradë për 45 minuta. Kontrolloni më një shkop shishqebapi nëse panetonja ka kulluar.





Në këto moment mirë do ishte të kishit dy shtiza nga ato që punojnë mamat tona triko hahaha (siç ja mora unë mami Likës), por dhe shkopinj shishqebapi bëjnë punë sepse panetonja duhet kthyer me kokë poshtë që të kollojë. Unë përdor një tenxherë më të thellë se lartësia e panetones si në foto.

Kur panetonja ftohet plotësisht kthejeni me kokë lart. Nëse keni durim duhet që panetoja të rrijë një ditë të ftohet para se ta shqyeni 😆, por e di që dhe ju si unë nuk jeni kaq të duruar 😍.


Për të evituar pasiguritë mund ta piqni panetonen tuaj ose në tavën e kuqe kaq të bukur që mora tek Tescoma ose në format si pemë Krishtlijesh ose si lule që i gjeni tek Neranxi.

Për ata që nuk gjejnë dot letra shoqja ime bëri këtë sajesë si në foto dhe i funksionoi shumë mirë.





Shijoni fotot e panetoneve të mia dhe Paçi një Vit të Ri të Gëzuar. 🙏🙏🙏

                                                           Ju dua! 💓💓💓


























SHARE:
Blogger Template Created by pipdig