Thursday, August 29, 2019

Bibë me oriz në tavë sipas mami Likës


Kjo recetë i dedikohet babi Vasilit dhe gjyshe Dadës.
Erdhi dhe radha e një prej gatimeve më tipike të familjes tonë. Muaji maj ose le të themi më mire gjithë pranvera konsiston në gatime që bëhen një herë në vit. Jo se nuk mund ti gatuajmë dhe gjatë periudhave të tjera të vitit, por lezetin e kanë në pranverë.
Pranvera fillon me Pashkën Ortodokse dhe gatimet e saj tipike, vijon me muajin Maj ku në familjen tonë tava me Bathë do gatuhet disa herë, vijon me tavën me bibë dhe me japrakët me gjethe rrushi. A nuk kam të drejtë kur them pas kësaj renditje që këto gatime shijojnë vetëm në pranverë.
Për tavën me bibë kam veçse ndjesi festive sepse në familje është si festë sikur po pjekim gjel deti 🤗🙏😍. Edhe sikur ti bëja naze shijes, tradita e familjes do më “detyronte” ta haja tavën e ta ktheja në një gatim të familjes time. Gjatë gatimit të kësaj recete dhe fotografimit në shtëpinë time mami Lika ka bërë dhe disa video mesazhe që mund ti gjeni në llogarinë time në Instagram (klikoni).
3 janë përbërësit më kryesorë të tavës, biba, orizi dhe kopra 😋. Nuk ka erëz tjetër më dominante se kopra në tavën me bibë, të paktën unë nuk e kam provuar asnjëherë me ndonjë erëz tjetër.
Mami Lika gjatë gatimit të tavës na mësoi dhe një sekret të gjyshes së saj Dada, të cilën do ja u shtjelloj më poshtë:


Përbërësit:
Bibë 2 kg
600gr apo 1 kg oriz (në varësi të njerëzve që do hanë)
2 qepë mesatare
2 tufa kopër
Spec i kuq, Piper i zi, kripë
Vaj për gatim

Përbërësit për kremin sekret:
2 vezë fshati
1 gotë kos

Përgatitja:
Pastrojmë bibën shumë mirë sidomos pjesën e pendëve që ka në trup (biba ka shumë të tilla), e presim në racione dhe e vëmë të ziejë derisa të zbutet.



Në një tenxhere kaurdisim qepën derisa të zverdhet, shtojmë specin e kuq (1 lugë çaji), piper të zi dhe orizin. Trazojmë mirë dhe e shtrojmë orizin në tepsinë ku do pjekim bibën. Hedhim dhe tufat e koprës së grira, përpara se të shtojmë lëngun e bibës.




Mbi oriz vendosim thelat e bibës dhe masim ujin ku kemi zjerë bibën që të sigurojmë masën 1 oriz 2 ujë. Rregullojmë me kripë dhe vendosim tavën në furrë të nxehur. Në 15 minutat e para e lëmë tavën në maksimumin e furrës tonë, më pas e ulim temperaturën në 200 gradë.






Kur orizi të ketë thithur gjithë ujin e tava të duket sikur është drejt fundit, nxirreni tavën dhe sipër shtojini përzierjen 2 vezë fshati dhe 1 gotë kos – sekreti gjyshe Dadës.








Rifuteni tavën në pjekje derisa kremi të marrë ngjyrë të artë. Servireni tavën 10 minuta pasi ka dalë nga furra dhe mos harroni të ftoni njerëzit tuaj të dashur. Biba në tavë nuk haet kurrë vetëm ❤🙏🤗. Ju bëftë mirë. ❤🙏❤















SHARE:

Monday, August 5, 2019

Supë me qiqra dhe lakër të zezë sipas Dorinës


Për këtë supë, super të shijshme u bë shkas Ferma Jonë dhe Dorina, my sis ose my girl ❤, siç e konsiderojmë në familjen tonë. Puna ime e re është ngjitur me Ferma Jonë, duke më servirur çdo mëngjes furnizimet e freskëta të fermës. Këtë fundjavë pashë “Kale” sipas meje dhe lakër e zezë (black cabbage) sipas Dorinës, e cila për arsye të punës së saj në Londër ka shumë njohuri mbi frutat dhe perimet. Pasi i hymë kërkimit zbuluam se Kale dhe Lakra e zezë i përkasin së njëjtës familje, por kanë ndryshime përsa i përket kultivimit, shijes, vlerave dhe ruajtjes në gjëndje të freskët. Për sa thashë më lart konsultohuni vet me google, mua më lejoni të vijoj me drekën aq të shijshme që realizova të shtunën me perimet e Ferma Jonë.
Nuk e kisha menduar se do ju sillja një recetë supe në kulmin e vapës, por një supë që bëhet për 15 minuta dhe që ka shije behari, ja vlen të listohet në gatimet e verës. Mjaft të siguroni lakrën e zezë dhe do keni siguruar supën hit të verës 😍🤗. Ferma Jonë ka furnizim të vazhdueshëm 🙏.

Përbërësit për 4 persona:
1 qepë e vogël
4-5 domate italiane (stërgjatëshet)
3-4 thelpinj hudhër
400 gr qiqra të zjerë
300 gr lakër e zezë
4-5 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja:
Kaurdisim qepën në vajin e ullirit. Kur qepa të fillojë të zbutet shtojmë domaten e grirë dhe hudhrat. Pasi ziejnë 5 minuta, shtojmë qiqrat e zjera dhe 1 gotë të vogël me ujë. E lëmë supën të ziejë dhe 5 minuta të tjera dhe në fund shtojmë lakrën e zezë të grirë në copa.






Në fillim mami Lika ndau gjethet nga kërcelli, por kur pamë se ça shije i dha gjethja supës, ne grimë dhe kërcellat 😍#nofoodwaste. Lëreni supën të ziejë për 7/8 minuta pasi i keni shtuar lakrën dhe shërbejeni 5 minuta pasi të ketë mbaruar zierjen.🤤🤗



Supën me qiqra e shoqëruam me bishtajat e njoma të marra po tek Ferma Jonë. Pasi i pastrova, i zjeva dhe i dhashë shije me kripë, limon dhe vaj ulliri. Provojeni, por vetëm me mashurka të njoma të fermës 🤗😍🙏.











SHARE:
Blogger Template Created by pipdig