Thursday, August 29, 2019

Bibë me oriz në tavë sipas mami Likës


Kjo recetë i dedikohet babi Vasilit dhe gjyshe Dadës.
Erdhi dhe radha e një prej gatimeve më tipike të familjes tonë. Muaji maj ose le të themi më mire gjithë pranvera konsiston në gatime që bëhen një herë në vit. Jo se nuk mund ti gatuajmë dhe gjatë periudhave të tjera të vitit, por lezetin e kanë në pranverë.
Pranvera fillon me Pashkën Ortodokse dhe gatimet e saj tipike, vijon me muajin Maj ku në familjen tonë tava me Bathë do gatuhet disa herë, vijon me tavën me bibë dhe me japrakët me gjethe rrushi. A nuk kam të drejtë kur them pas kësaj renditje që këto gatime shijojnë vetëm në pranverë.
Për tavën me bibë kam veçse ndjesi festive sepse në familje është si festë sikur po pjekim gjel deti 🤗🙏😍. Edhe sikur ti bëja naze shijes, tradita e familjes do më “detyronte” ta haja tavën e ta ktheja në një gatim të familjes time. Gjatë gatimit të kësaj recete dhe fotografimit në shtëpinë time mami Lika ka bërë dhe disa video mesazhe që mund ti gjeni në llogarinë time në Instagram (klikoni).
3 janë përbërësit më kryesorë të tavës, biba, orizi dhe kopra 😋. Nuk ka erëz tjetër më dominante se kopra në tavën me bibë, të paktën unë nuk e kam provuar asnjëherë me ndonjë erëz tjetër.
Mami Lika gjatë gatimit të tavës na mësoi dhe një sekret të gjyshes së saj Dada, të cilën do ja u shtjelloj më poshtë:


Përbërësit:
Bibë 2 kg
600gr apo 1 kg oriz (në varësi të njerëzve që do hanë)
2 qepë mesatare
2 tufa kopër
Spec i kuq, Piper i zi, kripë
Vaj për gatim

Përbërësit për kremin sekret:
2 vezë fshati
1 gotë kos

Përgatitja:
Pastrojmë bibën shumë mirë sidomos pjesën e pendëve që ka në trup (biba ka shumë të tilla), e presim në racione dhe e vëmë të ziejë derisa të zbutet.



Në një tenxhere kaurdisim qepën derisa të zverdhet, shtojmë specin e kuq (1 lugë çaji), piper të zi dhe orizin. Trazojmë mirë dhe e shtrojmë orizin në tepsinë ku do pjekim bibën. Hedhim dhe tufat e koprës së grira, përpara se të shtojmë lëngun e bibës.




Mbi oriz vendosim thelat e bibës dhe masim ujin ku kemi zjerë bibën që të sigurojmë masën 1 oriz 2 ujë. Rregullojmë me kripë dhe vendosim tavën në furrë të nxehur. Në 15 minutat e para e lëmë tavën në maksimumin e furrës tonë, më pas e ulim temperaturën në 200 gradë.






Kur orizi të ketë thithur gjithë ujin e tava të duket sikur është drejt fundit, nxirreni tavën dhe sipër shtojini përzierjen 2 vezë fshati dhe 1 gotë kos – sekreti gjyshe Dadës.








Rifuteni tavën në pjekje derisa kremi të marrë ngjyrë të artë. Servireni tavën 10 minuta pasi ka dalë nga furra dhe mos harroni të ftoni njerëzit tuaj të dashur. Biba në tavë nuk haet kurrë vetëm ❤🙏🤗. Ju bëftë mirë. ❤🙏❤















SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig