Pas 2 vitesh që mami Lika ka fotografuar vet proçesin e përgatitjes së
trahanasë dhe pasi më në fund i mora dhe një rrëfim për të kuptuar unë e para
proçesin (Videon do e hedh në IGTV në Instagram), i erdhi dita postimit të
recetës 😍.
Kush ka provuar trahananë
nga duart e mamit nuk gjen dot qasje me trahananë e blerë. Momenti i përgatitjes
së saj është gati si një festim në gjithë shkallën e mamit pasi komshiet e bëjnë
njëherësh dhe ndihmojnë njera tjetrën. Është ajo periudhë e vitit ku mami Lika
thotë nuk lëviz dot nga shtëpia se do zë trahananë, do shkërmoq dhe do thaj
trahananë. Është aroma e trahanasë që mbush shtëpinë dhe ti e ndjen që ora ka mbetur
në vend dhe ti ndihesh prapë fëmijë. Është momenti i ndarjes së trahanasë me njerëzit
e tu të dashur. Një ushqim aq i thjeshtë, një vakt mëngjesor apo në darkë, që
mbledh të gjithë rreth tavolinës për ta shijuar ashtu të ngrohtë me gjalpë të
tretur, spec të kuq pluhur dhe djath. Ky është version ynë i trahanasë që është
shija e babit tim Vasilit. Dhe fëmijët e mi e hanë si unë, mbi trahana ne shtojmë
gjalpë të përvëluar, aromatizuar me piper të kuq pluhur dhe djath të bardhë.
Lumturi shumë e madhe kur shija ecën ndër breza.
Shënim: Sasinë mund ta zvogëloni ose zmadhoni
sipas dëshirës tuaj. Këto janë sasia e përbërësve që përdor mami Lika. Të
gjitha fotot në këtë postim janë bërë këtu e dy vjet më parë, me fotografe
Denisën që e falenderoj shumë qe mes angazhimit me punët dhe fëmijët e saj
gjente kohë t'i përgjigjej kërkesave të mia nga Tirana për të fotografuar trahananë në proçese
të ndryshme. Denisa ka bërë dhe disa video që do i ndaj në Insta Story.
Përbërësit:
20 kg miell i sapo bluar
10 kg qumësht lope që zihet i tëri kos
1 kg gjalp i tretur (siç bëjmë për bakllavanë)
1,5 kg kripë
Përgatitja:
Për t’ja u bërë më të thjeshtë, proçesin e përgatitjes së trahanasë do
e ndajë në katër faza.
Faza e parë:
Kjo është faza e punimit të brumit e cila fillon 3 ditë para ku qumështin
e kemi zënë kos dhe e lëmë 3 ditë të thartohet. Mami Lika thotë që kosi të
thartohet ashtu siç e duam për trahananë i shtojmë kripë (nga sasia që keni tek
përbërësit). Kripa ndihmon që kosi të thartohet më shpejt dhe siç duhet.
Meqë kemi sasi të madhe mielli i ndajmë të gjithë përbërësit në 4 apo
5 porcione të barabarta (pra 4 apo 5 tava në mes të shtëpisë) dhe fillojmë punojmë
brumin. Brumi duhet të jetë një brumë i fortë, aspak i butë ose i ngjitshëm.
Pasi kemi përgatitur gjithë sasitë e brumit në një thes bambuku që mami Lika e
ka kastile për këtë punë vendosim topat e brumit njëri mbi tjetrin duke i shtypur
me dorë. Thesin e pambukut e vendosim mbi banak ose siç bën mami Lika e cila
merr një tepsi e kthen përmbys në dysheme dhe mbi të vë thesin 🤗.
Hedhim kripën.
Shtojmë gjalpin
Shtojmë kosin.
Përziejmë.
Fusim brumin në thes pambuku.
Faza e dytë:
Në këto kushte trahanaja do rri 7 ditë. Çdo ditë në mëngjes do e shtypni
brumin fort me duar (sipër thesit) dhe do e ktheni brumin nga ana tjetër kur ta
vendosni mbi banak ose tepsi në mënyrë që sipërfaqja e brumit që rri në krye mos
të thahet nga temperaturat e larta të vapës. Pra çdo ditë shtyp brumin me dorë
dhe kthe nga ana tjetër për ta mbështetur thesin.
Faza e tretë:
Pas 7 ditësh e nxjerrim brumin, e copëtojmë si në foto dhe e hapim për
gjysëm dite mbi çarcaf apo mbulesë bambuku. Proçesi që vjen më pas është proçesi
i kalimit të trahanasë në shoshë (një lloj site me brima më të mëdha se sita
dhe më të ashpra. Atëherë proçesi fillon me një person (komshie në rastin e
mami Likës) që fillon e thërrmon copat e trahanasë si fillim mbi pecetën e
pambukut dhe këto copëza kalojnë në shosh duke siguruar në këtë mënyrë dëndësinë
e dëshiruar të kokrrës së trahanasë.
Faza e katërt:
Pasi trahanaja ka kaluar e gjitha në proçesin e sitjes me shosh, e hapim në një dhomë apo vend të sigurtë për 2 javë që ajo të thahet plotësisht dhe në këtë mënyrë evitojmë që të zëjë myk. Pas 2 javësh trahanaja është gati për tu përdorur, shpërndarë dhe për tu shijuar. Ruajeni trahananë tuaj në qese pambuku në një vend të freskët dhe të errët.
Dhoma ime tek prindërit në muajin Gusht 2017.
Dhoma ime tek prindërit në muajin Gusht 2019 😍🤗.
Sesi e gatuajme ne trahananë do ja u tregoj 1 ditë në Insta Story.
Përqafime nga unë dhe mami Lika. ❤❤❤🙏🙏🙏
perqafo mami Liken me duart e arta
ReplyDeletePatjetër Nikoleta #muchlove
Delete