Wednesday, September 11, 2019

Oriz i Skuqur me Pulë Terijaki – Chicken Teriyaki Fried Rice


Orizi i skuqur, i cili është një gatim kinëz, nuk është tamam “i skuqur”, por oriz i gatuar dmth zjerë veçmas dhe më pas “skuqur” për disa minuta në tiganin e thellë “wok”, bashkë me perime, vezë të skuqur, mish ose peshk dhe dhënë shije me salcat më tipike aziatike si Soy dhe Teriyaki.
Nëse të gjithë e njohim dhe e kemi përdorur apo provuar salcën soja, terijaki mund të quhet një derivat i salcës soja sepse mund ta përgatisim dhe në kushte shtëpie, nëse nuk e gjejmë në dyqan.
Mjaft të kemi salcë soja në shtëpi, mjalt, xhinxher pluhur, sheqer kafë, pluhur hudhër, ujë dhe për pak minuta zjerje të këtyre dhe një trashje të salcës me pak niseshte në fund përfitojmë salcën terijaki. Unë e gjeta gati salcën dhe jam e bindur që dhe ju do e gjeni, me pamjen e shishes që do ju tregoj me foto. 🤗
Kur moti fillon e freskohet sikur të ngrihet mendja për këto gatimet me shumë përbërës dhe me aroma pak të veçanta nga gatimet tona të përditshme. Për më tepër që gatimet aziatike mbeten gjithmonë të shëndetshme. Për Fried Rice që do ju tregoj sot më është dashur të përdor vetëm një lugë gjelle gjalp (në mungesë të vajit të susamit) dhe aspak kripë sepse kripë kanë mjaftueshëm salcat e përmendura.
Këtë recetë e gatova me aq dëshirë dhe “neps” sa do e kuptoni dhe nga fotot që kam qenë në formë në fundjavë hahah 🤪.
Se harrova, përse më shkoi mendja të gatuaja këtë recetë? Sepse kisha mbi 2 muaj që kisha blerë oriz për sushi dhe nuk isha ende gati të provoja sushit të bërë në shtëpi. Oriz i skuqur bëhet me çdo oriz që ju gjendet, integral, i bardhë, kokërrmadh apo kokërrgjatë, mjaft të jetë i zjer më parë 😍.


Përbërësit:
500 gr oriz, unë zgjodha orizin për sushi se ai mu gjend në shtëpi
1 gjoks pule (dhe 2 nuk ju gjen qameti 🤪)
3 vezë fshati
3-4 karrota
2-3 lule brokoli mesatare
½ qepë e kuqe
1 lugë gjelle hudhër e shtypur
1 filxhan kafe salcë terijaki
1 filxhan kafe salcë soja
1 lugë uthull balsamike e bardhë (opsionale)
1 lugë gjelle gjalp
Për ti zbukuruar sipër dhe dhënë shije:
Susam
Bishta qepe jeshile në copa të vogla


  


Përgatitja:

Fillimisht marinojmë mishin e pulës i cili do të rri në qetësi të paktën 1 orë. Ndajmë mishin në copa, shtojmë salcën terijaki dhe e fusim në frigorifer 1 orë. 




Hapi i dytë është përgatija e orizit. Meqë unë kisha një oriz pak të veçantë, po ju tregoj hapat si e gatova sipas përkthimit që do i bëj paketimit 😍.


1.       Shpëlajmë mirë orizin
2.       500 gr oriz i shtojmë 625ml ujë. E vendosim për të zjerë
3.     Kur orizi ka pirë gjithë ujin, vendosim kapak, ulim flakën në minimum dhe e gatuajmë dhe për 10 minuta të tjera
4.       Më pas e lëmë në qetësi për 10 minuta. Nuk kam shtuar aspak kripë veç ujit.

 

Vijojmë me skuqjen e pulës në një tigan që nuk ngjit pak të thellë nëse nuk keni “wok“. Nuk shtojmë asnjë lloj yndyre. Pasi pula është gatuar e heqim nga tigani dhe në të njëjtën enë shtojmë qepën e grirë në kubikë bashkë me karrotën. Vendosim kapak dhe e lëmë të gatuhet kështu, duke e trazuar herë pas here të paktën 5-6 minuta. Përsëri nuk kemi shtuar yndyrë. Kur qepa dhe karrota janë zbutur disi, shtojmë lulet e brokolit. I gatuajmë me kapak për 2 minuta të tjera perimet.
Rrahim vezët dhe pasi bëjmë vend në tigan si në foto, i trazojmë duke siguruar skuqjen e njëtrajtshme të vezës. Përziejmë vezët bashkë me perimet.













Shtojmë pulën, orizin e zjerë në tigan dhe sipas radhës salcën soja, gjalpin, pak uthull balsamik po patët (opsionale) dhe orizi i skuqur është gati pas një trazimi të mirë të gjithë përbërësve.





  • Servirni menjëherë me fara susami dhe bishta qepë të grira imët. Ju bëftë mirë dhe #stayhappy and #staycool ❤🙏🤗















SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig