Monday, October 21, 2019

Biskota me tërshëre dhe mollë


Këtë recetë mezi prisja ta ndaja që mbrëmë në story në Instagram me ju, por meqë e kisha filluar ditën e dielë vetëm me gatime me tërshërë thashë të mos e ekzagjeroj 😍.
Meqë tashmë e dini që këto kohë po tregohem e kujdesshme ndaj ushqimit (për ti hequr ca kg) mendja më punon si të ha biskota, por që të jenë 100% healthy. Nuk mendoj vetëm për biskotat, por për çdo vakt në mënyrë që mos të më kthehet e ngrëna në bezdi. Tërshëra është një nga ato përbërës që për mua si person dembel në mëngjes më zgjidh vaktin dhe më mban mirë deri në drekë. Që mos ta hamë përditë o versionin “trahana” o version me kos ose qumësht dhe fara, këto biskota janë zgjidhja ideale. Unë i përgatita me 3 përbërës të tjerë, por ju kur vjen fjala për të shtuar fara të thata mund të shtoni çfarë t’ju gjendet në raftet tuaja të kuzhinës. Mua më pëlqeu shumë version im madje nuk i shtova as kanellë 🤗.
Shkak për këtë recetë u bënë disa mollë që kishin dy javë që rrinin në frutierë. Që kur fillojnë hurmat me farë dhe mandarinat, frutat e tjera sikur i evitojmë ti përdorim. Ndaj me rastin e spastrimit të mollëve sajuam dhe këtë recetë që do më sigurojë 3-4 mëngjese 😋.

Përbërësit:
3-4 kokrra mollë
150-200 gr tërshërë
100 gr arra të pastruara
6 - 8 kokrra hurma arabie
Pastrojmë mollët nga farat dhe lëkurat. Nëse keni një grirës të vogël si imi proçesin e grirjes e bëni në dy apo tri masa. Shtoni mollë, tërshërë, arra dhe hurma. Grini dhe kaq 🤗.

Në një tavë shtroni letër për pjekje, hidhni masën e biskotave, e shtroni me lugë dhe e prisni në kubikë para se ta piqni.






I piqni në 180 gradë për 30-40 minuta në varësi se sa të “thara” i doni. Për këtë arsye i kontrolloni herë pas herë. I lini të ftohen dhe paketoni mëngjesin tuaj dhe copat e tjera i vendosni në një kuti me kapak. Shijojini dhe paçi një fundjavë plot diell 🤗❤🙏.
















SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig