Sunday, January 29, 2017

Mousse BonBon

Këtë fundjavë ishim ne për darkë tek Ilir B. Ogerta gatuan gjithmonë gjëra të veçanta dhe delikate. Nëse Ogi (siç i thërras unë shkurt) shkëlqen tek të kripurat, unë shkëlqej tek të ëmblat. Në këtë pikë bie dakort dhe Ilir B., i cili është një shijues pjatash shumë i kujdesshëm ose thënë shqip “nazeli” 😍. Tema e darkës ishte “Levrek deti i egër”, ndaj dhe ëmbëlsira që unë do çoja duhet t'i afrohej këtij standarti 😍.
Vendosa të bëj një recetë që jo vetëm nuk e kam gatuar ndonjëherë, por e kam provuar vetëm një herë në një restorant në Durrës para dy vitesh, i kërkova biles dhe recetën lokalit, por më thanë që është sekret 😍. Sekret ishte vërtet, por 3 përbërësit kryesorë unë ja ndjeva në shije. Mund dhe të kishte ndonjë përbërës tjetër që nuk ma kapi shija apo dhe proçedurën e përgatitjes së recetës të cilën e hamendësova, por në kuzhinë ashtu si dhe në dashuri lejohen të gjitha, apo është “luftë”?? 😍😍
Mousse Bonbon ka 3 përbërës kryesorë maskarponen, çokollatën e zezë dhe mafishet me vezë. Përmasat unë i tentova si më poshtë dhe funksionuan. Duke qënë se mousse do e çoja tek darka e përgatita në një tavë (për të evituar lëvizjen e 8 gotave të mbushura me mousse). Rezultatin do e shikoni vet. I shkoi aq mirë peshkut që kishte gatuar Ogi, duke mos e ulur standartin e tavolinës 😍.

Përbërësit:
250 gr maskarpone
150 gr çokollatë e zezë
2 të bardha veze
2 lugë sheqer
4-5 mafishe
Përgatitja:
Shkrijmë çokollatën në banjomari ose për thjeshtësi vëndosim tenxheren me çokollatën në zjarr, duke i shtuar brenda 2 lugë gjelle ujë. Pasi çokollata shkrin, hedhim maskarponen dhe trazojmë sa të krijohet një masë kremoze.

Rrahim të bardhat e vezës dhe kur masa të jetë fryrë shtojmë dy lugë me sheqer. Shtojmë kremin e çokollatës mbi vezët e rrahura dhe trazojmë me lëvizje rrethore poshtë lart. 

Unë e servira në tavë për arsyen që ju thashë më lart, por në rastin tuaj në gotat e servirjes do shtoni mafishe që e keni shkërmoqur më parë me dorë. Hedhim kremin mbi mafishe dhe e lëmë të ftohtet në frigorifer për të paktën 2 orë. 

Servirjen unë e bëra tek tasat e Ogit që shkëlqejnë si pasqyrë (me pak përqëndrim do gjeni pasqyrimin e duarve dhe celularit tim :), shoqëruar dhe me cupcakes me mascarpone (receta herë tjetër). 



Që mos të harroj edhe këtë të shtunë, megjithë vajin e livandos që digjej pranë nesh, fituesja e lojës me letra isha përsëri unë. Ilir B. thotë që unë jam një lojtare e keqe pokeri, por jo Mulani 😍. Ju bëftë mirë.


SHARE:

Thursday, January 26, 2017

Qofte me lëng sipas mami Likës.

Kjo është receta ime e qofteve, sigurisht e mësuar nga mami Lika. Receta e qofteve hyn tek ato ushqime tradicionale që trashëgohen brenda familjes, ndaj dhe une kur i gatuaj e  marr mamin në telefon për mos të harruar ndonjë erëz 😍. Sa herë që mami gatuante qoftet kur ishim të vegjël, gjysmat i bënte me lëng dhe pjesën tjetër na e linte ne fëmijëve ti hanim ashtu të thata. Duke u rritur filluan të më pëlqejnë dhe mua qoftet me lëng dhe këtë dimër vendosa t’ja u provoj dhe fëmijëve të mi.
E kam gatuar disa herë këtë vit si recetë sepse çunave u pëlqen shumë, ndaj "Qoftet me lëng" është një drekë e sigurtë për të katërt.
Kjo pjatë shoqërohet mjaft mirë me kos. Në kujtimet e mija të vegjëlisë mami e hidhte kosin e bërë kremoz nëpër tasa individualë dhe secili hidhte lugë-lugë mbi lëng sipas dëshirës. Provojeni dhe ju ta shoqëroni me kos këtë pjatë.

Përbërësit
500 gr mish i grirë
1 kokër qepë
1 tufë majdanos
4-5 thelpinj hudhër
1 kokër vezë
1 majë luge sodë buke
½ lugë kafe spec i kuq
Rigon, kripë, piper i zi
2-3 lugë gjelle galetë (thërrime buke e pjekur)
Vaj për skuqje

Për lëngun
3 – 4 lugë gjelle miell
2 thelpinj hudhër
4-5 lugë vaj për gatim
1 majë luge spec i kuq

Përgatitja
Në një grirës elektrik hedhim qepën, hudhrat dhe majdanosin. 
Mbi një pjatancë shtrojmë mishin e grirë. Sekreti qofteve të buta sipas mami likës është që kur blini mishin e grirë, ti thoni kasapit nëse do merrni për shembull 500 gr, 250 gr të jetë mish viçi dhe 250 mish gici. Qoftet bëhën me të buta në këtë mënyrë.

Sheshojmë pjesën e mishit në mënyrë që mbi to të shtojmë përzjerjen me qepë, majdanos dhe hudhër. Shtojmë me radhë kripën, piperin e  zi, specin e kuq, rigonin, sodën dhe një kokër vezë. Shtojmë dhe galetën, por nëse nuk keni zbusni një fetë bukë të zezë me pak ujë, shtrydheni nga uji i tepërt dhe thërrmojeni mbi masën e qofteve. Punojmë me duar duke e mbledhur si brumë dhe duke siguruar përhapje të njëtrajtshme të gjithë përbërësve. Mbledhim me qese gatimi dhe e lëmë në qetësi për të paktën 40 minuta.




U japim formë qofteve sipas dëshirës. Skuqim në vajë të ngrohur më parë, në flakë mesatare/të ulët për 4-5 minuta nga secila anë.




Në një tenxhere hedhim 4-5 lugë vaj, shtojmë 2 thelpinj hudhër,  3 lugë gjelle miell dhe kaurdisim për 2-3 minuta. Përpara se ti hedhim ujë, shtojmë një të kapur spec të kuq. Mbushim me ujë, rregullojmë me kripë dhe e lëmë të ziej. Kur lëngu fillon të ziejë, hedhim brenda qoftet e skuqura dhe i lëmë bashkë në zjarr për të paktën 5 minuta.
Servirim të ngrohta. Ju bëftë mirë.








SHARE:

Tuesday, January 24, 2017

Kek sfungjeri (sponge cake)



A keni provuar ndonjëherë të bëni recetën e kekut që është prapa paketimit të “miellit që fryhet vet”? Mielli që fryhet vet, ka shumë vite që ka hyrë në përdorimin tonë, por unë e blej vetëm kur ndaj mendjen të bëj këtë recetë.
Kjo recetë duhet bërë fiks me ato përbërës dhe sasi që thuhen në paketim. Maksimumi që ndryshoj unë këtu është aroma (herë portokall, limon, vanilje, esencë bajamesh etj).
Përgatiteni masën e kekut në një tas më të madh sesa tasi i zakonshëm, nëse doni që masa mos t’ju derdhet kur e përzjeni 😍.
Ky kek nuk zhgënjen asnjëherë. Del mafishe, i shkrifët, fryhet realisht shumë aq sa copa e kekut duhet të rri shtrirë në pjatë që të ruaj ekuilibrin 😍.
Mund të them pa frikë se shija dhe përbërja e këtij keku, ngjan shumë me panetonen Pandora.
Kujdes: Prisni derisa keku të ftohet plotësisht përpara sesa ta ktheni përmbys nga forma, nëse nuk doni që keku t’ju shkërmoqet i tëri mbi pjatancën e servirjes 😍.

Përbërësit:
500 gr miell që fryhet vet
250 gr gjalpë
250 gr sheqer
4-5 vezë
260 ml qumësht
Vanilje ose lëkurë portokalli

Përgatitja
Rrahim gjalpin me sheqerin, duke shtuar vezët një nga një për rreth 3 minuta.

Shtojmë qumështin dhe pak nga pak sasinë e miellit. Miksojmë dhe pasi masa të jetë bërë e njëtrajtshme grijmë sipër saj lëkurë portokalli. 


Lyejmë formën e kekut me gjalp, hedhim masën dhe sheshojmë sipërfaqen me një lugë. E pjekim në 180 gradë, në furrë të nxehur më parë, për 1 orë.

Lërë të ftohet të paktën për 20 minuta përpara se ta kthesh në pjatancën e servirjes. Servirni dhe ju bëftë mirë.













SHARE:

Sunday, January 22, 2017

Byrek me gjizë dhe djathë

Kjo recetë i dedikohet shoqes time Ledi (Enkelejda) e cila jeton në Australi dhe lexon çdo gjë që postoj :). Aty ku jeton Ledi, nuk është e kollajtë të gjesh gjizë Shqipërie, ndaj dhe Ledi më kërkoi të postoja recetën e byrekut me djathë. Unë e bëra sot byrekun dhe përdora produktet e bulmetit që kisha në frigorifer, por duke qenë se nuk kisha djathë mjaftueshëm për ta bërë gjithë byrekun i shtova edhe gjizë pa kripë. Ledi, për të bërë zemrën e këtij byreku do përdorësh gjithë përbërësit që unë do listoj dhe meqë nuk ke gjizë, do i shtosh 250 gr djathë të bardhë, të cilin do e thërrmosh.
Sot vendosa që byrekun ta shtroj si dredhanik, të lodh dhe të ha kohë më shumë, por kalamajtë e kanë më qejf kështu. Shumë receta byreku ju kam prezantuar këtë javë, ndaj do bëjmë pak pushim pas këtij postimi :))

Përbërësit
500 gr miell
4 vezë
150 gr gjizë pa kripë
150 gr djath dhie
1 lugë gjelle miell
100 ml kos
2 lugë gjelle gjalp të shkrirë
Vaj, kripë

Përgatitja
Zëmë brumin e byrekut dhe lëmë mënjanë për të paktën gjysëm ore, pasi e mbështjellim me qese gatimi. Në një tas rrahim vezët me kripë, shtojmë përbërësit e tjerë me radhë, djathin, gjizën, kosin dhe një lugë gjelle me miell. Rregullojmë me kripë. 


Meqë më gjendej, brenda kësaj harxhe unë thërrmova dhe një lugë gjalp dele.

Në një tas hedhim dy lugë gjelle gjalp të shkrirë, e zbusim në mikrovalë, shtojmë vajin dhe e lëmë mënjanë për të lyer petët.

Lyejmë fundin e tepsisë ku do shtrojmë byrekun. Hapim petët një nga një. Pikojmë me yndyrë gjysmën e petës si në foto. Palosim gjysmën tjetër  mbi të. Hedhim harxhën, palosim anët anësore, rrotullojmë. Përpara se ta shtrojmë në tepsi, e përdredhim petën e mbushur. 





Kështu vazhdojmë me çdo petë. Pasi e kemi shtruar gjithë byrekun, lyejme sipër me yndyrë dhe e fusim për të pjekur në 200 gradë derisa të marrë ngjyrë të artë.
 Ju bëftë mirë.






SHARE:
Blogger Template Created by pipdig