Nuk ndodh shpesh, për mos të thënë nuk mbaj mend të këtë ndodhur
ndonjëherë që pulën e detit ta kemi pjekur me erëza të tjera veç rigonit dhe
lëngun e saj të mos e kemi bërë përshesh me bukë misri, në natën e ndërrimit të
viteve.
Ajo që ka ndryshuar është që kur mami Likës i hyri në derë dhëndri nga
Tirana, bën dy përshesh atë më bukë misri për babin tim dhe atë me kulaç për
burrin tim :))). Ne të tjerët mund të zgjedhim nga të dy llojet :).
Në familjen Furrari, një tavolinë festash që nuk ka mish me bollëk, është
tavolinë jo mikpritëse. Në këto kushte, kur unë ftoj tim atë për festa, duhet që
tavolina të ketë të gjithë llojet e mishit dhe mundësisht në sasira të
konsiderueshme (që të ngopemi mire :)).
Vetëm kështu tavolina mund të jetë e denjë për tim atë dhe për gjithë të
ftuarit e tjerë. Ndaj në një Vit të Ri, ku numri i të ftuarve është 11, 2 pula
deti, një qingj qumështi, bërxolla gici dhe romstek sipas mami Likës ishin në
lartësinë e duhur :). Ju zuri mishi e di, ju kërkoj ndjesë, por një ditë në vit
është….ja bëjmë hallall hahahah
Bashkë me mami Likën filluam pjekjet që të premten dhe sa mirë bëmë
sepse të nesërmen, ndërprerja e dritave pasdite ishte e disahershme.
Përveç pjekjeve të mishit, përgatitëm perimet për sallatën ruse (nuk jam ndonjë fanse shumë e madhe e kësaj
sallate), poqëm kulaçin e përsheshit (mami
Lika dontë të bënte dhe bukën e misrit
vet, si gjithmonë, por e ndalova :), unë bëra biskotat e Krishtlindjes, ndërkohë
që mami Lika përgatiti një ëmbëlsirë (që nuk ja di emrin tamam, por do i vë një
emër kur ta postoj :), përgatita disa sallatra dekorative me bazë djathi, do ju
postoj disa foto këtu, por do i bëj një postim të veçantë, salcën e kosit,
marinimin e mishit të grirë për romstek, marinimin e bërxollave, bashkim
tavolinash dhe karrigesh, ku i ke dhe ku s’i ke, 5 lavastovilie dhe 3 lavatriçe në 2 ditë. Ndërkohë që bënim
gjithë këtë aktivitet duhet të përgatisnim dhe drekën për të premten dhe të
shtunën (do hamë apo jo gjatë çdo vakti).
Im shoq më ndihmonte me psonisjet, ndërkohë që çunat na ndihmonin me dyluftimin
e zakonshëm, pas 2 orëve futboll (nuk
pushojnë gjithë ditën).
Ky është skenari në të gjitha familjet dhe megjithëse betohem çdo vit,
këtë vit do shkoj në lokal, kur ke prindër që mezi presin këto lloj festash për
t’u bashkuar me fëmijët, nuk të bën zemra të bësh ndryshe. Kështu janë lodhur
mamatë tona, kështu do vazhdojmë të lodhemi dhe ne bijat e tyre, sa herë mikëpresim
të dashurit tanë.
Në orën 6 pasdite menduam se mbaruam (2 orë më vonë, do fillonte proçesi ngrohjes të çdo tave përpara
servirjes), u bëmë gati vet për të pritur miqtë.
Darka u shtrua pak vonë rreth orës 9:30, por ja vlejti gjithë mundimi,
kur sheh sesi të dashurit e tu shijojnë çdo gjë. Dhe ndërsa pyesnin kush e ka
gatuar këtë, po atë, doli që 80% të pjatave e kishte gatuar drejtpërsëdrejti
mami Lika, unë kisha qënë thjesht ndihmës kuzhinjerja hahaha.
Sot do ju tregoj për kulaçin dhe përsheshin e mami Likës. Ju kërkoj
ndjesë që fotot nuk janë dhe aq të mira dhe jo shumë sqaruese (hap pas hapi), pasi siç lexuat më lart,
shyqyr që bëra dhe ca shkrepje :))
Foto e njërës prej pulave bashkë më përsheshin, ka ndonjë krah mangut,
ose ndonjë fitil mishi të hequr :))), pasi aroma e shpërndarë në shtëpi na
tundonte, dhe fshehur nëna Likës
pickonim ndonjë gjë :).
Tavolina më poshtë, është në proçes e sipër :))
Përbërësit për kulaçin
1 kg miell
½ lugë kafe me sod buke
Kripë
Ujë i ngrohtë, jo i vakët për të zënë brumin
Përgatitja
Ngjeshim brumin për kulaç, e lëmë 1 orë të vijë, mbuluar me një qese
gatimi në ambjent të ngrohtë. E hapim brumin mbi tavën e lyer me vaj dhe e lëmë
të piqet në 200 gradë, në fund të furrës, për rreth 45 minuta. Pasi piqet e lëmë
pakëz të ftohet dhe e shkërmoqim menjëherë në copa të vogla. Ky është momenti,
kur të gjithë shkëpusim nga një copë kulaç, ta hamë me pak gjalpë të shkrirë
:).
Marinojmë pulën me kripë dhe rigon duke e çarë në disa vende si në
foto. Në këto zgavra të vogla hedhim kripë dhe rigon. Mirë është që këtë marinim
ta bëjmë një natë më parë, por dhe 2-3 orë janë mjaftueshëm (nëse pula është e dobët, lyeni sipër me gjalp).
E vendosim pulën në temperaturën maksimale të furrës, derisa pula të fillojë të
marrë ngjyrë. E ulim temperaturën në 200 gradë dhe që mos të thahet, në këtë
moment, i vendosim letër alumini, për rreth 2 orë, duke e kontrolluar herë pas
herë, me majën e thikës tek gjoksi, nëse ka kulluar tërësisht. Gjysëm ore, përpara
sesa ta heqim nga pjekja, ja heqim letrën e aluminit, për një ngjyrë më të
bukur pjekje.
Pasi pula e detit është pjekur, merret lëngu që ka nxjerr gjatë
pjekjes dhe hedhim në tenxheren ku do përgatisim përsheshin. Grijmë dy trupa
preshi dhe i shtojmë tek lëngu, bashkë me të brendshmet e pulës, të cilat i
kemi zjerë më parë. Preshi thuajse skuqet dhe zjehet në lëngun e pulës. Kur
preshi të jetë zbutur, hedhim rreth 2 litra ujë, rregullojmë me kripë dhe e lëmë
të ziejë për disa minuta.
Kulaçin e copëtuar, e kemi thekëruar më parë në furrë, ashtu të copëtuar.
E hedhim drejt e në lëngun që po zjen, duke e fikur flakën. Shtojmë rigonin,
trazojmë derisa copat të kënë pirë gjithë lëngun.dhe e lëmë të mbuluar me
kapak.
Nëlloj veprohet dhe me përsheshin me bukë misri, veçse në këtë rast
kur shtojmë copat e bukës së misrit, e lëmë të ziejë rreth 5 minuta, pasi buka
e misrit është pak e ashpër. Paralelisht gatuhen të dy përsheshet :)
Shijoni fotot më poshtë, bashkë me disa sallata dekorative.
GEZUAR DHE NJË VIT I BEGATË PËR TË GJITHË JU. Bonbon Taste
No comments
Post a Comment