Mirësejugjeta për këtë vit. Pas betejës së Vitit të Ri, të gjithë nuk
duam të futemi në kuzhinë për të paktën një javë. Ndaj dhe receta që do ju sjell
sot e kam gatuar natën e Vitit të Ri. Ditët në vijim, si në çdo familje tjetër,
kemi ngrënë ato që kanë mbetur dhe sot më
në fund kishim grosh :).
Pas ditëve të Vitit të Ri, mezi mësohemi me ritmet në shtëpi dhe në
punë. Fillojmë bëjmë përmbledhjen e gjërave që gatuam, përgatitëm, dhuratat dhe
betohemi që vitin tjetër do harxhojmë më pak, nuk do shpërdorojmë dhe nuk do e
lodhim shumë veten. Kështu u betova dhe këtë vit, si çdo vit :).
Biskotat qe do ju prezantoj sot, janë pak a shumë version i kurabijes
tonë, por me fruta të thata dhe vetëm me sheqer pluhur brenda dhe jashtë. Këto
janë biskota shumë të mira si shoqëruese të kafësë, çajit apo kur ju vijnë
mikesha në shtëpi, përgatitën shumë lehtë, piqen po kaq shpejt dhe bëjnë figurë
shumë të mirë.
Përbërësit
200 gr gjalp brumë në temperaturë ambjenti
100 gr fruta të thata (arra, bajame)
250-300 gr miell
70 gr sheqer pluhur brenda biskotave
1 lugë gjelle niseshte
1 lugë gjelle niseshte
1 majë lugë kripë
1 majë luge sodë buke
Sheqer pluhur për të lyer biskotat
Përgatitja
Që të fillojnë të përgatisim brumin e biskotave, duhet që gjalpi të
jetë i butë aq sa të punohet me miellin dhe sheqerin. Shtojmë sheqerin tek
gjalpi dhe punojmë për 2-3 minuta. Hedhim kripën, sodën, niseshten (i mban biskotat më të buta) dhe miellin dhe punojmë e
mbledhim me dorë. Do shikoni që brumi do mblidhet menjëherë e do ju lëjë duart
e pastra. Shtojmë frutat e thata të cilat i kemi copëtuar dhe pjekur (jo domosdoshmërisht duhet t'i pjekim) më parë në një tigan që nuk ngjit. Fotot për të përshkruar
paragrafin më sipër janë vetëm dy, pasi ka qenë dita e vitit të ri dhe më
dolën nga mendja t’i bëja foto çdo proçesi :).
Krijojmë biskotat si në foto. Pjekim në 180 gradë, në mes të furrës për
rreth 25 minuta ose derisa biskotat të kenë marrë këtë ngjyrë.
Ashtu siç janë të ngrohta i zhysim në sheqerin pluhur. I vendosim në
një pjatancë dhe janë gati për t’u servirur. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment