Sunday, January 29, 2017

Mousse BonBon

Këtë fundjavë ishim ne për darkë tek Ilir B. Ogerta gatuan gjithmonë gjëra të veçanta dhe delikate. Nëse Ogi (siç i thërras unë shkurt) shkëlqen tek të kripurat, unë shkëlqej tek të ëmblat. Në këtë pikë bie dakort dhe Ilir B., i cili është një shijues pjatash shumë i kujdesshëm ose thënë shqip “nazeli” 😍. Tema e darkës ishte “Levrek deti i egër”, ndaj dhe ëmbëlsira që unë do çoja duhet t'i afrohej këtij standarti 😍.
Vendosa të bëj një recetë që jo vetëm nuk e kam gatuar ndonjëherë, por e kam provuar vetëm një herë në një restorant në Durrës para dy vitesh, i kërkova biles dhe recetën lokalit, por më thanë që është sekret 😍. Sekret ishte vërtet, por 3 përbërësit kryesorë unë ja ndjeva në shije. Mund dhe të kishte ndonjë përbërës tjetër që nuk ma kapi shija apo dhe proçedurën e përgatitjes së recetës të cilën e hamendësova, por në kuzhinë ashtu si dhe në dashuri lejohen të gjitha, apo është “luftë”?? 😍😍
Mousse Bonbon ka 3 përbërës kryesorë maskarponen, çokollatën e zezë dhe mafishet me vezë. Përmasat unë i tentova si më poshtë dhe funksionuan. Duke qënë se mousse do e çoja tek darka e përgatita në një tavë (për të evituar lëvizjen e 8 gotave të mbushura me mousse). Rezultatin do e shikoni vet. I shkoi aq mirë peshkut që kishte gatuar Ogi, duke mos e ulur standartin e tavolinës 😍.

Përbërësit:
250 gr maskarpone
150 gr çokollatë e zezë
2 të bardha veze
2 lugë sheqer
4-5 mafishe
Përgatitja:
Shkrijmë çokollatën në banjomari ose për thjeshtësi vëndosim tenxheren me çokollatën në zjarr, duke i shtuar brenda 2 lugë gjelle ujë. Pasi çokollata shkrin, hedhim maskarponen dhe trazojmë sa të krijohet një masë kremoze.

Rrahim të bardhat e vezës dhe kur masa të jetë fryrë shtojmë dy lugë me sheqer. Shtojmë kremin e çokollatës mbi vezët e rrahura dhe trazojmë me lëvizje rrethore poshtë lart. 

Unë e servira në tavë për arsyen që ju thashë më lart, por në rastin tuaj në gotat e servirjes do shtoni mafishe që e keni shkërmoqur më parë me dorë. Hedhim kremin mbi mafishe dhe e lëmë të ftohtet në frigorifer për të paktën 2 orë. 

Servirjen unë e bëra tek tasat e Ogit që shkëlqejnë si pasqyrë (me pak përqëndrim do gjeni pasqyrimin e duarve dhe celularit tim :), shoqëruar dhe me cupcakes me mascarpone (receta herë tjetër). 



Që mos të harroj edhe këtë të shtunë, megjithë vajin e livandos që digjej pranë nesh, fituesja e lojës me letra isha përsëri unë. Ilir B. thotë që unë jam një lojtare e keqe pokeri, por jo Mulani 😍. Ju bëftë mirë.


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig