Me servirjen e kësaj pjate do dukeni si shefa të vërtetë. Shkak që sot vij me këtë recetë u bë një kanaçe me "fagiolini fini", mashurka të holla jeshile “baby
beans”, që im shoq i kishte blerë për fasule, sipas porosisë time. Unë e hap pa e vënë re etiketën dhe e dija që po mos ta përdorja në ndonjë sallatë, do e hidhja pas 2-3 ditësh në frigorifer. Por ja që të vjen në ndihmë "Tip Hero" me videot e tij dhe kanaçja me mashurka nuk shkon dëm 😍.
Patatet në recetë mund t'i gjeni kollaj në tregun e fruta perimeve.
Në shqip i kanë quajtur patate belge (sipas printimit në paketim), ndërsa
në anglisht “yellow flesh potatoes”.
Një kg më kushtoi 287 lekë. Receta sipas Tip Hero, http://tiphero.com/honey-balsamic-sheet-pan-chicken/ (këtu gjeni videon) kishte dhe domate qershi, por çmimi i tyre sot ishte 500 lek/kg. Mund t'i kisha blerë nëse domatet qershi do kishin shijen kyç të pjatës. Siç do ta shihni dhe vet marinimi që i bëhet pulës, lëngu i të cilës i shtohet perimeve sipër, e zbeh fare prezencën e domateve në recetë, ndaj mua mu duk shpenzim i tepërt 😍. Dhe meqë tani dola sikur jam gjirokastrite, po ju tregoj nje barcaletë që Ilir B. e ndau me ne gjatë "sushi night".
Pyesin një gjirokastritë si ja bënin me të ftohtin e madh që kaluam.
- Po ja tha mblidhemi të gjithë rreth sobës.
Po kur të ftohet akoma dhe më shumë e pyesin?
- Po atëherë do e ndezim sobën. 😍😍😍
Me shumë respekt ndaj gjirokastritëve se i dua shumë, kam vjehrrën nga Gjirokastra 😍.
Ndiqni recetën më poshtë:
Përbërësit
1 kg patate belge
1 kanaçe me mashurka jeshile të holla “baby beans”
4 gjokse pule
3 lugë vaj ulliri
Kripë, pipër
Për marinadën
40 ml uthull balsamik
1 lugë gjelle mjalt
2 lugë gjelle vaj ulliri
½ lugë çaji piper i kuq
½ luge çaji trumzë e tharë
½ lugë çaji rozmarinë e tharë
½ luge çaji pluhur hudhër dhe 1 thelpi hudhër e shtypur (me dorë)
Kripë, piper
Përgatitja
Lajmë mirë patatet, i presim në copa, pa i qëruar. I shtojmë kripë,
pipër, vaj ulliri dhe i vëmë për të pjekur në 180 gradë, në mes të furrës për
30 minuta.
Ndërkohë mishin e pulës e vendosim në një nga qeset që mbyllen me
zinxhir, Fino.
Përgatisim marinadën. Në një tas hedhim gjithë përbërësit
që kam listuar dhe trazojmë përpara se ta hedhim tek pula. E shtojmë marinimin
tek pula, përziejmë mirë, mbyllim qesen dhe e lëmë për 30 minuta në marinim.
Heqim
patatet nga furra, hedhim mbi to mashurkat, vendosim pulën e marinuar dhe lëngun
në qese ja shtojmë përsipër tavës. Pjekim për një 30 minutësh tjetër.
Tava është gati. Provojeni dhe do më besoni për aromën që do shpërndahet
në kuzhinën tuaj. Një pjatë si në restorant, me ngjyra, shije dhe një kosto të
përballueshme për katër persona. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment