Thursday, January 19, 2017

Byrek me qepë e domate

Një nikoqire e mirë, di gjithmonë të sajoj dhe mos të çoj dëm gjëra të mbetura në frigorifer. Kjo nuk ishte kompliment ndaj vetes 😍më tepër sesa me kohë mëson të krijosh një vakt të mirë vetëm me ato përbërës që të gjenden në shtëpi. Na ndodh shpesh ne mamave që kur blejmë domatë për gjellë, të blejmë më shumë sesa na nevojiten për një gatim. Domatet e mbetura që ndodh të jenë pak më të buta dhe si rrjedhojë edhe të shtypura, ose do prishen fare në ditët në vijim, ose do i pastrojmë, grijmë, vendosim në një tas e më pas në pjesën e ngrirjes në frigorifer. Mua më ndodh më shpesh e para ☺, por kur ndodh e dyta, pak më rallë, nuk ka më bukur, sesa të kujtohesh që disa domate të pastruara e gati për tu kthyer në ndonjë salcë për pasta apo byrek me qepë e domate, të presin në frigorifer. E çfarë na pengon të bëjmë një byrek ku përbërësit shtesë janë vetëm qepa dhe mielli? Praktikisht asgjë, vetëm përtesa 😍. Por unë nuk do përtoj, duke konsideruar që domatet janë gati 😊.

Përbërësit
350-400 gr miell
1,2 kg domate
2-3 kokrra qepë mesatare
Vaj, kripë, rigon
Përgatitja
Zëmë brumin për byrek dhe e lëmë mënjanë. Grijmë qepën, e hedhim në një tenxhere ku kemi shtuar vaj dhe e lëmë ta kaurdiset për disa minuta në flakë mesatare, me kapak. Shtojmë gjithë sasinë e domateve tek qepa. Vendosim kapakun dhe e lëmë masën të ziejë derisa të lidhet, rreth gjysëm ore. Nëse do kisha ndonjë spec të kuq, do e grija hollë dhe do e shtoja tek domatja. Nuk kisha, nuk e shtova. Speci është opsional. 
Rregullojmë harxhën me kripë, piper dha pak rigon dhe fillojmë hapim petët e byrekut, siç ju ka mësuar mami Lika. Unë e bëra me dy zemra, 9 petë gjithsej, nga 3 petë për çdo ndarje. Dalloni sa e hollë del peta me metodën e mami Likës?





Pjekim në 220 gradë në fund të furrës. Siç mami Lika më ka mësuar, byrekun e kthejmë përmbys në një tepsi tjetër, në këtë mënyrë pjesa sipër e byrekut që është pak më e forta nga pjekja do zbutet. Dhe ja ku është. Tepsia ku e ktheva është pakëz më e vogël :), por nuk na prish ndonjë punë të madhe. Ju bëftë mirë.








SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig