Friday, December 16, 2016

Pispili me presh

Dimri është stina e byrekut dhe pispilisë. Nëse për byrekun kemi më shumë variacione në përzgjedhje të zemrës që i hedhim, pispilinë unë e bëj me spinaq, me presh ose me lakra të egra. Lakrat e egra nuk i dalloj dot dhe sa herë i kam marrë vet, kanë qenë të hdhura :), kështu që kur mi sjell mami Lika gati nga Fieri të lara dhe të ziera i bëj byrek ose pispili.
Pispilinë me spinaq e gjeni tek postimet e mija të tetorit, sot do ju prezantoj pispilinë me presh. Ajo që unë kam merak kur përgatis një pispili është që mos të jetë i ashpër pas pjekjes. Duke qenë se baza e pispilisë është mielli misrit, nëse nuk i hedhim mjaftueshëm përbërës të lëngshëm, pispili do dalë i thatë dhe pak i ngurtë. Unë nuk hedh asnjëherë vezë tek pispili, qoftë ai me spinaq apo me presh. Produktet e qumështit dhe vaji ullirit janë të vetmit përbërës që unë shtoj. Receta më poshtë.

Përbërësit
5 trupa preshi
150 gr gjizë pa kripë
300 ml kos
300 gr miell misri
1 filxhan kafe vaj ulliri
Kripë

Përgatitja
Pastrojmë preshin. E presim në copa të vogla. E hedhim në një tenxhere me gjysëm gote ujë, pa yndyrë. I vendosim kapakun dhe e lëmë të ziejë në zjarr të avashëm për 30 minuta, derisa preshi të zbutet.

Në tenxheren ku kemi preshin e zjerë hedhim kripën, gjizën, 200ml kos, dhe 200 gr nga mielli i misrit. Hedhim vaj ulliri dhe trazojmë.

Shtrimin në tavë do e bëjmë siç kemi bërë pispiltiin me spinaq, por përpara se të fillojmë të hedhim një shtresë shumë të hollë mielli misri mbi tepsi, vendosa të shtroj letër Fino. Dihet që sa herë përgatisim pispilit do lodhemi pak me zbutjen dhe krruajtjen e tavës :), le ti japim vetes një shans për më pak lodhje :).
Krijojmë një shtresë të hollë me miell misri. E bëjmë kosin e mbetur dhallë dhe I hedhim disa lugë sipër. Shtrojmë masën me presh. Hedhim përsëri mbi të një shtresë të hollë me miell misri dhe e mbulojmë të gjithë masën me dhallë. Spërkatim me pak vaj ulliri sipër.

Po ta vini re tek kjo foto, mbi gjysmën e masës së harxhës kam hedhur shtresën e miellit të misrit, mbi të cilën më pas do shtroj dhallën.

Pjekim në 220 gradë, në mes të furrës, për 50 minuta ose derisa pispili të marrë ngjyrë. Servirim. Ju bëftë mirë.








SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig