Pa hyrë mirë muaji dhjetor në shtëpinë tonë ka vetëm aromë
Krishtlindjesh. Megjithëse kjo periudhë e vitit është si një periudhë “çoroditje”
mes planesh për festën e fundvitit, me bërje bilancesh sesi na iku një vit i tërë,
me ide të reja për t’i realizuar pas 1 janarit :), me blerje dhuratash,
elektroshtëpiakesh, perde të reja apo divanë të rinj :), kur vjen puna tek gatimet
dhe atmosfera në shtëpi të gjithë jemi dakort, që nuk ka si muaji dhjetor dhe
festat e fundvitit. Ajo që unë betohem që nuk do bëj më çdo fund viti, janë
blerjet e tepruara, sikur në datën 1 Janar nuk do ekzistojnë më dyqane. Sot në
8 dhjetor ende nuk kam bërë asnjë blerje për shtëpinë, madje ende nuk kam ide për
dhurata. Ca kartolina me shkrim dore nuk do ishin keq, si fenomen në zhdukje
:). Këshilla ime këtu, për veten dhe për ju është bëni blerje të zgjuara, mos
shpenzoni kot vetëm se ka “ulje çmimesh” :). Dhurata më e bukur që më ka ardhur
vjet, ka qenë një CD e përgatitur me shumë dashuri nga kushurira ime Odeta, me
këngët më të njohura të Krishtlindjes, tingujt e të cilave mbushnin shtëpinë me
atmosferë të vërtetë festash.
Le të flasim për ushqimin tani dhe më konkretisht për një pije :). Verën
e ngrohtë ose sic njihet “mulled wine”. Kur e provoni për herë të parë këtë verë
do kërkoni të dini patjetër recetën. Unë e kam provuar para 3 vjetësh në Francë
dhe ka 3 vjet që e bëj çdo vit në shtëpinë time. Kur e kam provuar vjet në
Tiranë, ishte shumë larg shijes së asaj që do ju tregoj sot
:).
Ka shumë receta për mulled wine të cilat ndryshojnë vetëm nga
kombinimi erëzave. Unë kam zgjedhur Jamie Oliver “Mulled Wine”, pasi është një
video që më argëton shumë.
Përbërësit
1e ½ litër verë ose 2 shishe
200 gr sheqer
6 copë yje Anise
10 copë karafila
2 shkopinjë kanelle
1 lugë fara kardamome
½ lugë çaji arrë moskat
Lëkura e një kokër portokallë bashkë me lëngun
Lëkura e një limoni
Përgatitja
Mos u trembni nga erëzat dhe
emrat e tyre. I mbani shënim siç ja u kam shkruar dhe i gjeni të gjitha tek
Neranxi :). Hedhim erëzat, sheqerin, lëkurat, lëngun e një portokalli dhe 300
ml verë në tenxhere. Lëkurat e portokallit dhe limonit, siç thotë dhe Jamie “peel
and twist”, i qëroni dhe përdridhni me dorë brenda në tenxherë që të nxjerrin
esencën e tyre.
Vendosim
tenxheren në zjarr dhe lëmë të ziejë për 7-8 minuta sa të krijohet një masë si
shurup. Më pas shtojmë gjithë verën e mbetur 1litër e 200 ml ose 1 shishe e
gjys dhe e vendosim në zjarr derisa të marrë valë.
Servirim, patjetër të ngrohtë :) me të gjithë përbërësit brenda, mund
të hiqni vetëm lëkurat e agrumeve. Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Festat :)
No comments
Post a Comment