Në përgatitjen e lazanjës në shtëpinë tonë, unë nuk ndjek një recetë të
lexuar apo parë në ndonjë video gatimi. Thjesht kam përvetësuar stilin e mamit
dhe këshillat që kam marrë nga kunata ime në itali. Në përgatitjen e lazanjës
unë filloj me përgatitjen e kimës dhe më pas me përgatitjen e beshamelit. Të dyja
këto masa përfundojnë gatimin njëkohësisht
dhe janë gati për shtrim. Me këtë ritëm përgatitje dhe pjekje, lazanja në shtëpinë
tonë është gati për maksimumi 1 orë e 10 minuta. Nëse ndiqni shpjegimin tim si më poshtë, as rrëmuje
dhe as enë të hallakatura nuk do gjeni mbi banak, siç ndodh rëndom me përgatitjen
e lazanjës :).
Përbërësit për kimën
300 gr mish të grirë
1 shishe salcë domate pure
1 degë selino
1 karrotë
½ lugë çaji kanellë
Piper
Arrë moskat e grirë
Përbërësit për beshamelin
4 lugë gjelle gjalp
4 lugë gjelle miell
1200 ml qumësht
Arrë moskat
1 pana 200 ml
Kripë
Përgatitja
Pastrojmë karrotën dhe selinon dhe presim në kubikë. Vendosim mishin në
një tenxhere ku shtojmë një filxhan kafe me ujë dhe trazojmë sa mishi të marrë
ngjyrë për 2-3 minuta.
Këshillë: nëse doni që mishi grirë mos t’ju mblidhet
toptha toptha kur bëni kimanë, gjithmonë shtoni ujë kur gatuani mishin, pasi
vaji i nxehtë e forcon mishin e grirë dhe e mbledh në topa, duke mos e lënë të
shkrifët. Këtë ma ka mësuar tezja ime Arjeta dhe funksionon gjithmonë.
Shtojmë përimet e grira, kaurdisim 1 apo dy minuta përpara se të
hedhim salcën. Shtojmë salcën. Shplani shishen mirë :) dhe shtojani masës. Rregulloni
me kripë, piper, kanellë dhe arrë moskat dhe lëreni të ziejë në zjarr të avashët
për 15 minuta.
Në një tenxhere shtojmë gjalpin derisa të shkrij. Hedhim miellin. Trazojmë
derisa mielli të marrë pak ngjyrë. Heqim nga zjarri dhe lëmë 2 minuta në qetësi,
përpara se të shtojmë qumështin e ftohtë. E hedhim qumështin avash avash dhe
trazojmë pa e vënë në zjarr derisa të krijohet një masë kremoze. E vendosim tenxheren e beshamelit në zjarr,
shtojmë sasine e mbetur të qumështit, rregullojmë më kripë dhe arrë moskat dhe
e lëmë të ziejë duke e trazuar herë pas here.
Kur beshameli të jetë gati, i hedhim një pako pana për gatim 200 ml. Këtë
ma ka mësuar kunata që jeton në Itali dhe vërtet që i jep beshamelit një
kremozitet, qëndrueshmeri dhe ngjyrë shumë të bukur gjatë pjekjes.
Fillojmë me shtrimin e lazanjës. Siç më ka mësuar mami Lika gjithmonë
lyejmë fundin e tepsisë më pak kimë dhe beshamel. Këto përmasa mua me lejojnë të
krijoj tre shtresa me pete lazanje. Në çdo shtresë që unë hedh kima, hedh dhe
disa lugë beshamelë.
Tava është gati, hedhim dhe djathin e grirë sipër. Pjekim në mes të
furrës, në 200 gradë për 30 minutë ose sa të marrë ngjyrën e bukur.
Lazanja duhet të rri të paktën 20 minuta kur del nga furra, përpara se
ta servirim. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment