Kjo është një ëmbëlsirë greke me mjalt dhe gatuhet në prag
Krishtlindjesh. Ka aromat e duhura të festës dhe prej disa vitesh mami Lika e përgatit
gjithmonë në këtë vigjilje. Ndërsa për mua, ky është viti i dytë që e bëj vet
dhe prej dy vjetësh përdor recetën e Nadës. Receta është autentike me shkrim
dore :), shkruar kushedi se kur :). Nada është kushurira ime e dytë, nga ana e
mami Likës :), por është sikur ta ketë lindur mami Lika. Mami Lika mund të presë
një turmë miqsh për drekë, pa njoftim fare. Sesi e mbush tavolinën pa u ndjerë,
vetëm mami Lika dhe Nada e di :). Nada ka dhe një talent tjetër dekorimin e
pjatave, po jo dekorim, art më vete :). Nëse do ketë durim të na bëj ca foto për
këtë vit të Ri, do i dedikoj një postim vetëm dekorimit të Nadës që të lë pa
mend.
Nada, mos harro që ne këtej jemi në Shqipëri, duam art vetëm me gjëra shqipëtare,
jo Amerikane :).
Receta më poshtë, shoqëruar dhe me foton që më ka nisur Nada.
Përbërësit
1 filxhan çaji vaj ulliri
1 filxhan çaji vaj misri
Lëkura e grirë e një portokalli
2 lugë kafe pluhur pjekës
1 lugë kafe sod buke
1 filxhan çaji sheqer
6 filxhan çaji miell 00
1 filxhan çaji miell Semola
1 filxhan çaji miell Semola
1 teke konjak
½ filxhan çaji lëng portokalli
150+100 gr arra të grira
Kanellë, karaifil pluhur
Për shërbetin
2 filxhan çaji sheqer
2 filxhan çaji mjalt
2 filxhan çaji ujë
Lëngu i gjysëm limoni
Lëkura e gjysëm portokalli
Përgatitja
Në një tas të madh hedhim pa ndonjë radhë të përcaktuar të gjithë përbërësit
dhe 150 gr arra të grira imët si në foto. Mbani parasysh që të përdorni të njëjtën
masë sa herë kemi thënë “filxhan çaji”. Kjo është masa ime.
Me një lugë druri trazoni përzjerjen. Përdorini dhe pak duart për ti
bashkuar mirë gjithë përbërësit. Kjo është masa e duhur, si masë brumi biskotash.
Fillojmë t’i japim forma melomakaronave, duke vendosur brum në mes të gishtave dhe duke e punuar për 30 sekonda nga një dorë tek tjetra. Forma që marrin melomakaronit janë si më poshtë.
Pjekim në 180 gradë në mes të furrës për 35-40 minuta, aq sa ato të
marrin ngjyrë të artë në pjesën e poshtme. 100 gr arra të grira i ndajmë në dy pjesë. Njërën pjesë e shpërndajmë si
në foto mbi pjatancën e servirjes dhe mbi to vendosim melomakaronët e pjekur. Me këto përmasa mua më dolën 42 copë dhe tava u vu dy herë.
Bëjmë shërbetin ndërkohë që melomakaronët ftohen. Shërbeti i kësaj ëmbëlsire
nuk është tradicional jo vetëm në përbërës, por edhe në minutazhin e zierjes.
Hedhim sheqerin, mjaltin, lëngun e limonit, lëkurën e portokallit në
një tenxhere dhe shtojmë 2 filxhan çaji me ujë të ngrohtë. Vendosim mbi flakë
mesatare dhe trazojmë derisa mjalti dhe sheqeri të tretet. Sapo shërbeti fillon
të nxjerr bulëzat e para e heqim nga zjarri. Gjithë ky proçes zgjat jo më shumë
se 5 minuta.
Menjëherë
fillojmë e zhysim melomakaronët e ftohtë 1 minutë nga secila anë dhe me një lugë
i vendosim përsëri mbi pjatancë. Veprojmë kështu me të gjithë biskotat. Hedhim shërbetin
e mbetur mbi melomakarona (shumë pak
mbetet) dhe shpërndajmë mbi to arrat e mbetura të grira.
Fotot në vijim. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment