Friday, December 9, 2016

La Bomba

Do not try this at home!!! :) – Mos e provoni në shtëpitë tuaja!!! :)
Në muajin e festave lejohen të gjitha mëkatet. La Bomba është një mëkat që duhet provuar një herë në vit :). Nëse të pëlqen panetone dhe kremi i tiramisu, La Bomba i sjell të dyja në një. Personalisht më pëlqejnë të gjitha llojet e panetoneve, por tradicionalja me fruta të thata mbetet më e preferuara për mua. Sa fillon sezoni i shitjes së panetones e derisa mbaron, i blejmë disa në shtëpinë tonë, nuk i rezistojmë dot :)
La Bomba, të cilën vet unë zgjodha ta quaj kështu, pasi “panetone e mbushur” më tingëllonte si “spec i mbushur” :))), çuditërisht ma ka mësuar shoqja ime e klasës së parë Rozana. Them çuditërisht se nga 100 receta që unë i kam mësuar asaj, ajo shkon e më tregon për La Bomba….sikur nuk na mjaftonte panetonja, duhet t’i shtonim dhe kremin Tiramisu :). Përgatitja e kësaj recete, jo vetëm që nuk të lodh, por është një argëtim më vete.

Përbërësit
1 panetone
Mascarpone 250ml
3 të verdha veze
2 të bardha veze
3 lugë gjelle të prera sheqer

Përgatitja
Fillojmë me përgatitjen e kremit tiramisu. Fillimisht ndajmë të verdhat e vezëve nga e bardha. Rrahim 2 nga të bardhat e vezëve dhe lëmë mënjanë.
Tek të verdhat hedhim 3 lugë të prera sheqer dhe fillojmë të përgatisim kremin zabaglione. Vendosim të verdhat e vezës në banjo mari dhe i rrahim për 3-4 minuta derisa e verdha të kthehet në krem dhe të dyfishojë masën e vet. Sapo masa fillon të krijojë bulëzime hiqeni nga zjarri, mos e lini të ziejë.
Zabaglionen e hedhim mbi kremin mascarpone dhe trazojmë me mikser elektrik. Më pas shtojmë lug lug të bardhën e vezës të rrahur duke e bashkuar me kremin me një lugë druri apo silikoni, më lëvizje rrethote lartë poshtë, jo duke e përzjer. Kremi është gati. Përpara se ta përdorim e vendosim të paktën 30 minuta në frigorifer.


Tani vjen pjesa më argëtuese dhe tunduese :). Presim panetonen nga lart. Me një thikë presim zemrën brenda :) dhe e copëtojmë sikur do bëjmë përshesh. Dhe ne fakt vërtet do bëjmë përshesh :))).


Hedhim copat e panetones tek kremi tiramisu. Si mund ti rezistosh kësaj pamje???
E mbushim panetonen me gjithë masen dhe vendosim pjesën që premë përsipër si kapele :). Pluhurosim me sheqer pudër sipas dëshirës. Mirë do ishte që përpara sesa ta servirnim panetonja të rrinte në frigorifer një apo dy orë, po duruat padyshim :). Ju bëftë mirë.






SHARE:

1 comment

Blogger Template Created by pipdig