Saturday, November 10, 2018

Byrek me presh sipas mami Likës.

Në fillim të sezonit të preshit 😜, ju drejtova blog-ut tim për recetën siç e bën mami Lika dhe u habita që byrekun më të pëlqyeshëm të Luis nuk e kisha përfshirë në recetat e mia. Padyshim që do ja dedikoja një postim në blog sepse është traditë e kuzhinës tonë dhe megjithëse të gjithë kemi specifikat tona në përgatitjen e harxhës, biem dakort që byreku me presh është IN në çdo familje gjatë sezonit të dimrit. Në shtëpinë tonë preshi si perime konsumohet dhe pëlqehet shumë nga fëmijët si në gjellë, si byrek. Ndërsa ne të rriturit shijojmë çdo specialitet tjetër të tij në supë, pispilit, rizoto, në sallata me ullinj apo si shoqërues perfekt të groshës 😋. Neve nuk e bejmë me vezë byrekun me presh, as me djathë e gjëra 🙂 e duam thjesht fare, presh, qumësht, oriz dhe piper të zi. Padyshim i shkon djathi, veza, gjizë por këtu po ndajmë mënyrën sesi e bëjmë ne më shpesh. Kërkoj ndjesë mami Likës që ja kisha harruar byrekun me presh dhe po ja postoj kaq vonë 😍.

Përbërësit:
4-5 presh të plotë
1 gotë qumësht
1 filxhan kafe oriz
350 gr miell
1-2 petë të pjekur (opsionale)
Kripë, piper
Vaj & gjalpë

Përgatitja:
Fillimisht zëmë brumin e byrekut me miell, kripë, pak vaj dhe ujë të vakët. E lëmë brumin në qetësi derisa të bëhet gati harxha. Pastrojmë dhe grijmë preshin të plotë në copa të vogla. Unë e hedh në një tenxhere ku kam shtuar një gotë të vogël me ujë dhe e lë në zjarr të avasht sa të zbutet i gjithi dhe uji të avulloj. Në këtë moment i shtoj një lugë gjelle gjalp brumë, orizin, qumështin, rregulloj me kripë dhe piper dhe e heq nga zjarri. Pra nuk e lë në zjarr që të ziejë orizi me qumështin.



Fillojmë hapim petët e byrekut. Unë e bëra me dy zemra. 3 petë poshtë, zemër, 2 peta të pjekura (petët e pjekura janë opsionale, por kur ke shumë harxhë dhe ajo është pak e ujshme, petët e pjekura bëjnë një lidhje të mirë të byrekut), zemër dhe 2-3 petë të fundit. Ndërkohë që krijojmë këto shtresa spërkasim herë pas here me vaj për gatim ku kemi shtuar pak gjalp të tretur. Byrekut me presh i shkon shumë për shtat aroma e gjalpit.






Vendosim byrekun për të pjekur në 200 gradë në furrë të parangrohur dhe uluni të pini një kafe 😜.



Shijoni byrekun me presh sipas mami Likws dhe kalofshi bukur ❤.









SHARE:

Thursday, November 8, 2018

Rizoto me fruta deti:

Unë nuk jam ndonjë gatuese e thekur e frutave të detit, pse të mburrem kot. Ne Fierakët në përgjithësi shijojmë mishin e kuq, të pulës, pata, rosa, thëllënza etj. 😀
Por kur vendos të bëj receta të tilla o e bëj siç duhet o nuk e bëj fare 😝. Për recetat si rizoto, në mendimin tim nuk ka as përbërës dhe as masa preçize. Ti duhet të luash me shijen bazë, por mund t’i shtosh apo pakësosh përbërësit sipas dëshirës. Vera e bardhë, djathrat, majdanosi, piperi duhet të jenë “me patjetër” për një rizoto siç duhet, ndërsa në rastin kur pjatës i shtojmë dhe karkaleca, kungulli nuk duhet të mungojë si perime për të shijuar një pjatë me pamje dhe shije restoranti 😋. Fëmijet e mi tekanjozë që nxjerrin çdo copë perime jashtë pjate, e shijuan. Mos harroni që rizoto është një gatim që shërbehet menjëherë nga tigani në pjatë.  Nëse e hani të ftohtë një pjatë të gatuar me kaq vëmendje dhe dashuri, nuk keni për të shijuar të njëjtën shije siç është e sapo servirur dhe e ngrohtë. Në rastin e kësaj pjate vlen tamam shprehja “nuk ekziston një shans i dytë, për një përshtypje të parë” që do duhet ta themi “ka vetëm një pjatë të ngrohtë të sapo bërë rizoto, për një shije të vërtetë të parë”….ja futa kot më duket 😀.

Përbërësit:
400 gr karkaleca të mëdhenj ose 8 copë
200-300 gr kallamarë
300 gr oriz
1 filxhan kafe verë e bardhë
10 kokrra domatë të vogla
2 kunguj
1 lugë gjellë pluhur vegetë perimesh
3 lugë gjelle djath i grirë
Vaj ulliri për gatim
Majdanos dhe piper për sërvirje

Përgatitja:
Fillojmë me pastrimin e karkalecave. Kujdes, mos i hidhni lëvozhgat (bishtat dhe kokën) e karkalecave sepse me to do krijojmë lëngun që do ziejë rizoton. Lërini dy karkaleca të plotë për dekorim. Pastrojmë dhe presim në copa kallamarët. Frutat e detit janë gati.
Lajmë domatet dhe kungujt. I presim kungujt në kubikë dhe domatet në gjysma.
Në një tigan të thellë, shtojmë një lugë vaj ulliri dhe pasi vaji të jetë nxehur hedhim karkalecat. I gatuajmë këto të fundit për 3 minuta dhe i nxjerrim nga tigani.

Në të njëjtin tigan shtojmë 2 lugë vaj ulliri dhe hedhim kungullin e prerë në kubik. E lëmë kungullin të gatuhet për një minutë dhe shtojmë kallamarët e prerë.


Pas 3-4 minutash kaurdisje, shtojmë orizin. Kaurdisim duke trazuar herë pas herë. Pasi orizi ka marrë një skuqje të lehtë shtojmë verën. Kur vera avullon, shtojmë me garuzhde ujin që kemi përfituar nga zierja e lëvoreve të karkalecave. Rregullojmë me vegetën e perimeve dhe kripë shtesë sipas dëshirës. Vini re që uji në rizoto, shtohet pjesë pjesë. Përthithet garuzhdja e parë, shtojmë të dytën e me radhë derisa orizi të ketë përfituar butësinë që dëshironi.



Në mes të zierjes së orizit shtojmë domatet dhe 3 minuta përpara përfundimit të saj, shtojmë karkalecat që kaurdisëm në fillim fare. Ky është momenti për të shtuar dhe djathin e grirë, piper dhe majdanos të grirë.


Servireni dhe shijojeni menjëhere me një gotë verë të bardhë. Ju bëftë mirë.❤





SHARE:
Blogger Template Created by pipdig