Saturday, November 10, 2018

Byrek me presh sipas mami Likës.

Në fillim të sezonit të preshit 😜, ju drejtova blog-ut tim për recetën siç e bën mami Lika dhe u habita që byrekun më të pëlqyeshëm të Luis nuk e kisha përfshirë në recetat e mia. Padyshim që do ja dedikoja një postim në blog sepse është traditë e kuzhinës tonë dhe megjithëse të gjithë kemi specifikat tona në përgatitjen e harxhës, biem dakort që byreku me presh është IN në çdo familje gjatë sezonit të dimrit. Në shtëpinë tonë preshi si perime konsumohet dhe pëlqehet shumë nga fëmijët si në gjellë, si byrek. Ndërsa ne të rriturit shijojmë çdo specialitet tjetër të tij në supë, pispilit, rizoto, në sallata me ullinj apo si shoqërues perfekt të groshës 😋. Neve nuk e bejmë me vezë byrekun me presh, as me djathë e gjëra 🙂 e duam thjesht fare, presh, qumësht, oriz dhe piper të zi. Padyshim i shkon djathi, veza, gjizë por këtu po ndajmë mënyrën sesi e bëjmë ne më shpesh. Kërkoj ndjesë mami Likës që ja kisha harruar byrekun me presh dhe po ja postoj kaq vonë 😍.

Përbërësit:
4-5 presh të plotë
1 gotë qumësht
1 filxhan kafe oriz
350 gr miell
1-2 petë të pjekur (opsionale)
Kripë, piper
Vaj & gjalpë

Përgatitja:
Fillimisht zëmë brumin e byrekut me miell, kripë, pak vaj dhe ujë të vakët. E lëmë brumin në qetësi derisa të bëhet gati harxha. Pastrojmë dhe grijmë preshin të plotë në copa të vogla. Unë e hedh në një tenxhere ku kam shtuar një gotë të vogël me ujë dhe e lë në zjarr të avasht sa të zbutet i gjithi dhe uji të avulloj. Në këtë moment i shtoj një lugë gjelle gjalp brumë, orizin, qumështin, rregulloj me kripë dhe piper dhe e heq nga zjarri. Pra nuk e lë në zjarr që të ziejë orizi me qumështin.



Fillojmë hapim petët e byrekut. Unë e bëra me dy zemra. 3 petë poshtë, zemër, 2 peta të pjekura (petët e pjekura janë opsionale, por kur ke shumë harxhë dhe ajo është pak e ujshme, petët e pjekura bëjnë një lidhje të mirë të byrekut), zemër dhe 2-3 petë të fundit. Ndërkohë që krijojmë këto shtresa spërkasim herë pas here me vaj për gatim ku kemi shtuar pak gjalp të tretur. Byrekut me presh i shkon shumë për shtat aroma e gjalpit.






Vendosim byrekun për të pjekur në 200 gradë në furrë të parangrohur dhe uluni të pini një kafe 😜.



Shijoni byrekun me presh sipas mami Likws dhe kalofshi bukur ❤.









SHARE:

3 comments

  1. Valbona kam provuar disa nga recetat e tua, me kane dale te shkelqyera, bravo, te thjeshta te sqaruara shume mire, faleminderit.

    ReplyDelete

Blogger Template Created by pipdig