Thursday, June 27, 2019

Pasta me Vongole


Unë nuk kam qenë ndonjëherë eksperte e pjatave të peshkut, por kam filluar avash avash t’ja marrë dorën e frymëzuar nga sarandiotja ime Rudina.
Këtë pjatë me shije deti e gatova gjatë ditëve që ishim ne plazh, sepse unë nuk jam dakort që kur je në plazh mund të hash ça të dalë përpara. Impenjimi im në këto ditë pushimesh është madje më i madh se në ditët e zakonshme kur jemi në Tiranë sepse fëmijët janë të predispozuar të hanë gjithçka që u serviret. Ditën që ju prezantova gatimin e kësaj pjate në instagram mora disa komente që pastat me vongole i pëlqejnë “të bardha”, domethënë pa domatet e vogla. Do e provoj dhe atë recetë patjetër meqë vera është e gjatë 🤗.
Këtë recetë mund ta bëni dhe me midhje, por meqë midhjet kanë shumë punë për tu pastruar vongole janë një opsion ideal dhe receta është gati në 9 minuta, aq sa i duhet linguinit të ziejë 🤗.

Përbërësit:
1 pako linguine
350 gr vongole
200 gr pomodorini
1 qepë ë vogël
4-5 thelpinj hudhër
1 tufë majdanos i freskët

Përgatitja:
Paralelisht me ujin që zjen për pastën, kemi vënë tiganin me vaj ulliri dhe 1 thelp hudhër për aromatizim. Shtojmë qepën e grirë shumë imët. Kur qepa “të vritet” pak shtojmë domatet e ndara përgjysëm. 
Pasi janë gatuar 2 minuta domatet, shtojmë vongolet, trazojmë dhe presim dhe 2 minuta derisa të hapet guacka e tyre.



Ndërkohë që pastat janë duke zjerë i kullojmë 2 minuta para minutazhit përfundimtar, i shtojmë përzierjen që tashmë e keni mësuar tek Pasta Rudina, 3-4 thelpinj hudhër të grirë imët dhe gjysëm filxhan kafe vaj ulliri dhe bashkojmë me salcën tonë me vongole dhe i lëmë në zjarr të gatuhen duke i trazuar dhe për 2 minutat e fundit.


Majdanosin e fresket të grirë ja shtojmë pasi kemi fikur flakën. 
Pasta është gati për tu servirur dhe shijuar. Ju bëftë mirë. 






SHARE:
Blogger Template Created by pipdig