Friday, December 30, 2016

Bakllava “qëmoti” sipas mami Likës

Është hera e parë që kur kam hyrë në derën e burrit :))), që në shtëpinë time bëhet një bakllava si prej qëmoti, petë më petë, të shpërndara në çdo cep të shtëpisë :). Dhe nuk kishte si të mos i fotografoja shpërndarjen e petëve, që duhen tharë përpara se të shtrohen në tepsi.
Ka shumë vite, që për kollajllik të gjithë bëjmë bakllavanë me recetën turke, ndaj nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të përjetosh momentet e fëmijërisë, bashkë me fëmijët e tu.
Unë mendoj, por këtë e mendon dhe mami Lika, që nuk ka një recetë të vetme, të sigurtë që qarkullon për bakllavanë, edhe për modelin që hapet petë më petë. Të gjithë kemi një element, apo një përbërës që i shtojmë më shumë apo më pak. Vetëm në shënimet e mija në dy vjet që bëj bakllanë vet (atë turke), kam mbi 10 receta bakllavaje nga bisedat që ndaj me miq, ku diku ka më shumë vezë, diku ka vetëm të verdha vezësh, diku lëng limoni, e diku tjetër pak uthull. Thënë sa më lart, edhe bakllavaja e mami Likës, është një nga ato shumë receta që mamat apo gjyshet tona kanë përshtatur sipas eksperiencës apo recetave të trashëguara.
Dua të sqaroj këtu, që mami Lika nuk ka fare lidhje me pastiçeri Lika :). Me gjithë respektin, nuk do preferoja asnjëherë një bakllava që nuk është përgatitur në kushtet e shtëpisë, në natën e ndërrimit të viteve.

Përbërësit
1 kg miell
3 të verdha vezë fshati + 1 vezë e plotë
1 filxhan kafe vaj vegjetal
1 majë luge kafe kripë
1 majë luge kafe sheqer
Ujë të vakët aq sa të zihet brumi
Niseshte për të hapur petët
500 gr gjalp të shkrirë + 1 filxhan çaji vaj vegjetal

Shërbeti
2 kg sheqer
1 liter e 600 ml ujë

Përgatitja
Në mes të miellit hedhim gjithë përbërësit dhe ujë të vakët, aq sa të mbledhim brumin. E punojmë brumin për 5 minuta. E mbulojmë me një pecetë pambuku dhe e lëmë të vijë për rreth 2 orë në një ambient të ngrohtë. Bëjmë gati vendin e punës. Presim brumin në toptha, i mbajmë topthat e mbuluar dhe një nga një fillojmë të hapim petët, duke i spërkatur me niseshte. Petët e bakllavasë duhen hapur në një ambient të ngrohtë, ndaj dhe ne i hapëm brenda në sallon :).
I shpërndajmë petët e hapura mbi divanë ose tavolina të tjera të shtëpisë, ku kemi shtruar më përpara peceta të pastra. Në këtë mënyrë petët fillojnë e thahen dhe janë gati për t’u shtruar në tepsi.




Ne na dolën 45 petë dhe i vendosëm 10 e nga 10 duke krijuar 3 zemra me arra.

Presim bakllavanë dhe i hedhim sipër gjalpin të cilin e kemi shkrirë më parë dhe kemi shtuar një filxhan çaji, vaj vegjetal.

  




Fillimisht pjekim në mes të furrës, në 180 gradë, për rreth 35-40 minuta, sa të fillojë yndyra të ziejë në sipërfaqe dhe peta të marrë ngjyrë të artë (kjo mund të variojë në minutazh, në varësi të sobës). Kur peta merr ngjyrën e artë e ulim gradacionin në 150 gradë dhe mbulojmë bakllavanë me letër alumini. E lini në këtë gjendje për të paktën 3 orë. Një orë para pjekjës përfundimtare e heqim letrën e aluminit dhe herë pas here i kontrollojmë petët në mes, derisa ajo të shkërmoqet si biskotë. Kjo tregon pjekjen përfundimtare të bakllavasë dhe i jep një pamje pak të "zhubravitur" :))) qëndrës së bakllavasë, nga kontrolli i vazhduar që i bëjmë petës, për t'u siguruar në pjekjen e plotë. E lëmë bakllavanë të ftohet, ndërkohë që përgatisim sherbetin.


Vendosim ujin dhe sheqerin të ziejë dhe e lëmë në zjarr 15 minuta nga pika e vlimit. Shërbetin e nxehtë e hedhim mbi bakllavanë e ftohtë. E lëmë për tërë natën derisa shërbeti të jetë përthithur nga peta, përpara se ta servirim. 
Ju bëftë mirë dhe GËZUAR VITIN E RI 2017.



SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig