Friday, December 30, 2016

Tavë me kukurec sipas mami Likës

Për Vit të Ri, përveç pulave të detit, ka lezet dhe pak mish qingji :). Dhe  kur qingjin e blen vet, të brendshmet e tij, mamaja ime i bën gjithmonë kukurec dhe kukurecin tavë me qepë të njoma. Kukureci është një lidhje e zorrëve të qingjit, ku brenda futen plënci dhe gjëndrat. Ndërkohë që shkruaj, mami Lika rrëfen :). 
Sesi mami Lika lidh vargun e kukurecit, nuk ja u demostroj dot se ma solli gati nga Fieri, por dhe kur jam në Fier, unë nuk i ofroj as gishtin që nevojitet si çengel, në mënyrë që mami Lika të punojë me lidhjen e tij. Premtoj që tek qingj i radhës për Pashkë, ta filmoj proçesin :).
Më duhej të jetoja disa dekada të jetës time, përpara se të lija mendjen pas tavës së kukurecit. Edhe fëmijë, edhe goxha e rritur, siç besoj të gjithë ju, kur shihja të brendshme, largohesha e tmerruar :))). Por sa më shumë rritemi, aq më shumë kthehemi tek ushqimet tona bazë dhe tradicionale.
Mami Lika, e kishte bërë gati “ndërtesën” apo gjellën e tavës, ndërkohë që unë nuk isha në shtëpi, por pa merak se do e shpjegoj shumë qartë :).

Përbërësit
Gjysëm kg qepë të njoma
1 tufë kopër
4 thelpinj hudhër
1 lugë gjelle miell
1 lugë gjelle spec i kuq pluhur
Kripë, piper

Përgatitja

Pastrojmë dhe grijmë qepën e njomë. E kaurdisim për 3-4 minuta në tigan. Shtojmë koprën e grirë, thelpinjtë e hudhrës, dhe lëmë në zjarr për ndonjë minutë. Hedhim specin e kuq dhe miellin, trazojmë derisa masa të bëhet uniformë. Shtojmë ujë avash avash, duke përzjerë. (2 gota ujë). Rregullojmë me kripë.
Kukureci është i zjerë më parë në ujë me kripë, për rreth gjysëm ore. Kësaj tave i shtohet dhe mëlçia e bardhë dhe kjo e zierë bashkë më kukurecin.
E presim kukurecin në copa. Hedhim mbi to gjellën me qepë të njoma. Shtojmë pak ujë tek tigani dhe ja hedhim përsëri tavës. Pjekim në fund të furrës, në 250 gradë, për 40 minuta.


Serviret e nxehtë :). Ju bëftë mirë. 







SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig