Sunday, December 10, 2017

Panetone sipas Bonbon

Nuk e kisha menduar ndonjëherë që një nga ëmbëlsirat më të dashura për mua, në dukje e pamundur për t’u gatuar në shtëpi, mund ta gatuaja vet pa nevojën e asnjë pajisje të komplikuar si “Kitchen Aid” apo pajisjen  e bukëpjekjes (nuk kam asnjë nga këto dy pajisje në shtëpi).
Receta që unë kam zgjedhur në dukje e komplikuar, nuk ka ndonjë vështirësi nga ëmbëlsirat e zakonshme, përveç kohës dhe punimit të ardhjes së brumit.
Përbërësit janë bazikë, përbërës që i kemi të gjithë në shtëpi. I vetmi produkt që unë e gjeta tek Conad, por ka dhe tek SPAR është mielli “MANITOBA”, miell që ndihmon proçesin e ardhjes së brumit, më shumë se mielli i zakonshëm. Ndaj blijeni miellin për të patur një rezultat më të mirë. Mbushjen e panetones mund ta bëni me copa çokollate, me rrush të thatë të një cilësie të mirë dhe lëkurë portokalli e sheqerosur (por kjo duhet përgatitur më parë dhe une nuk e kisha gati 😊).
Unë përgatita dy panetone një me rrush të thatë dhe një me copa çokollatë. Ne kemi provuar vetem atë me rrush të thatë, tjetrën e përgatita për kolegët e mi dhe e provojmë nesër 😊.
Letrën e panetones e gjeni tek Neranxi për 40 lekë/copa.
Përgatitjen e panetones do e ndaj në 3 faza dhe përbërësit në dy faza për t’ju orientuar më mirë. Gjithashtu po postoj dhe linkun, ku u bazova për panetonen, me disa ndryshime të vogla që i përshtata vet. https://www.youtube.com/watch?v=vuOUU3z3xAQ&t=444s

Përbërësit për fazën e parë:
Për përgatitjen e majasë:
30 ml ujë i vakët
1 lugë çaj mjaltë
10 gr maja birre
40 gr miell
Përbërësit e tjerë:
120 ml ujë
60 gr gjalp i shkrirë
2 të verdha veze
120 gr sheqer
350 gr miell (50% miell Manitoba, 50% miell tipi 00)

Përbërësit për fazën e dytë:
1 e verdhë veze
20 gr sheqer
60 gr gjalp brumë në temperaturë ambjenti
50 gr miell
150 gr copa çokollatë ose 150 gr rrush i thatë

Kohëzgjatja: 10 orë

Përgatitja Faza e Parë

Fillojmë me përgatitjen e majasë. Në një tas shtojmë ujin e vakët, tresim mjaltin. Majaja që shikoni në foto është 25 gram, ndaj ndajeni për të marrë 10gr që nevojitet. Treteni dhe majanë tek përzierja me mjaltë. Shtoni miellin, trazoni. Mbulojeni tasin me qese dhe lëreni për të paktën 30 minuta sa përzierja të vijë, të dyfishojë masën e saj si në foto.




Këtu masa e majasë është gati.
Në një tas të madh ku kemi shtuar 120 ml ujë të vakët, shtojmë sheqerin dhe fillojmë trazojmë më dorë. Hedhim masën me maja, shtojmë vezët dhe përziejmë. Shtojmë gjalpin, miellin avash avash dhe punojmë masën me dorë. E hedhim brumin mbi tavolinën e punës të spërkatur me miell dhe e punojmë për disa minuta derisa brumi të mos jetë më ngjitës dhe të hapet si në foto.









Faza e parë mbaron këtu. E vendosim brumin në një tas të madh. E mbulojmë me qese dhe një mbulesë dhe e vendosim në një vend të ngrohtë për të paktën 2 orë thotë Benedetta në video. Unë e lashë për gjithë natën. 

Përgatitja Faza e Dytë:
Nxjerrim masën e brumit që ka disa orë që vjen. E hapim me dorë dhe mbi të hedhim vezën, sheqerin dhe punojmë me dorë. Më pas shtojmë pjesë pjesë gjalpin në temperaturë ambjenti dhe vazhdojmë ta punojmë me dorë. E vendosim masën e brumit mbi tavolinën e lyer me miell dhe punojmë me dorë për disa minuta. Në fund me dy palosje shtojmë frutat e thata ose copat e çokollatës. Në rastin e rrushit të thatë duhet ta zhysim për disa minuta në ujë të vakët që të zbutet. E shtrydhim mirë para se ta hedhim tek brumi dhe e pluhurosim përsipër me miell. Brumi është gati për tu vendosur në letrën e pjekjes.





















I mbulojmë me qese si në foto dhe i fusim në furrë të ngrohur në temperaturë 30 gradë për 4 orë. Furra duhet të rrijë gjithë kohës në temperaturë 30 gradë. Pas 4 orësh rezultati është ky. Aromën ndërkohë duhet ta imagjinoni vet 🤗.




 Përgatitja Faza e Tretë:
Faza e tretë është pjekja. Përpara se t’i fusim për të pjekur, me majën e thikës bëjmë një të prerë në formë kryqi mbi panetone. Në zemër të saj vendosim një copë gjalpë e cila do ndihmojë edhe më shumë ardhjen e panetones gjatë pjekjes. Vendosim panetonet bashkë të dyja fillimisht në 190 gradë për 10 minuta, pastaj në 160 gradë për 40-45 minuta. Panetonja duhet ftohur tërësisht përpara se ta hani. Benedetta tregon një mënyrë të sajën në video siç bëjnë gjithë shefat e mëdhenj, por unë i lashë të ftohen normalisht mbi banak 😍

Nuk është 100% panetonja që blini gati, por është panetonja më me dashuri që keni ngrënë ndonjëherë. 

Ju bëftë mirë dhe GËZUAR FESTAT E NJË VIT TË RI TË MBARË PËR TË GJITHË JU. JU DUA







SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig