Saturday, December 23, 2017

Biskota me xhinxher Bonbon

Kjo është hera e dytë qe i gatuaj këto biskota për këtë vit, hera e parë ishte për një event bamirësie, sot është si biskota festive e Krishtlindjeve.
Në vitet e kaluara gjithmonë kam bërë Biskotat e Krishtlindjes që i gjeni dhe në blog dhe për ato jam bërë specialiste 😊. Por me recetën që do ju prezantoj sot të biskotave tipike të kësaj feste ato me ginger, më besoni që do bëheni dhe ju specialista 😍. Kur thashë hera e dytë që i gatuaj për këtë vit duhet t’ju saktësoja që është dhe hera e dytë ne jetë që i gatuaj kaq tradicionalisht. Ndihem shumë e lumtur që përshtata një recetë që nuk do as “molassa” një ekstrakt i sheqerit të kuq (e gjeni, por me çmim pak të kripur, nëse e doni) dhe as me gjalpin në temperaturë ambjenti që biskota të dalë siç duhet. Mënyra sesi biskotat e mia me xhinxher përgatiten, nuk do ju marrë më shumë se 5 minuta. Padyshim që molassa do zëvendësohet me “shurupin e artë”, e cila mund të përgatitet edhe ditë ose javë më parë. Ruan formën, shijen për javë të tëra.
Përgatitja e biskotava siç dhe e kuptuat ndahet në dy faza, përgatitja e shurupit të artë dhe më pas biskotat. Mos hezitoni ti provoni se do përfitoni biskotat më të mira me xhinxher në formë, shije dhe ngjyrë. Më në fund dhe unë arrita ta bëja brumin e këtyrë biskotave në ngjyrën aq të bukur të karamelit, siç i shohim kur i përgatisin shefat e mëdhenj.

Përbërësit për “shurupin e artë”
400 gr sheqer
240 ml ujë
2 feta limoni dhe portokalli

Përbërësit për 50 biskota me xhinxher
130 gr gjalp
6 lugë shurup i artë
120 gr sheqer kaf
1 kokërr vezë

Përbërësit e thatë
350 gr miell
½ lugë çaji sodë buke
1 lugë çaji xhinxher pluhur
1 lugë çaji kanellë pluhur
½ lugë çaji karafil pluhur
½ lugë çaji arrë moskat pluhur

Përgatitja
Fillojmë me përgatitjen e shurupit. Fillimisht shtojmë 100 gr sheqer dhe 25 ml ujë në një tenxhere të vogël. E lëmë të ziejë derisa uji të avullojë dhe sheqeri të fillojë të karamelizohet.
Shtojmë ujin dhe sheqerin e mbetur, fetat e limonit dhe portokallit dhe ziejmë për 15 minuta. E heqim shurupin nga zjarri dhe e hedhim në një kavanoz të pastër. Fillimisht shurupi do duket i hollë, por kur ftohet masa bëhet si mjalt. Me këtë masë shurupi mund të përgatisim dy herë këtë recetë me biskota. Shurupi duhet të jetë tërësisht i ftohtë para se ta përdorim tek biskotat.








Faza e dytë: Fillojmë me përgatitjen e brumit të biskotave. Në një tenxhere shtojmë gjalpin, shurupin e artë, sheqerin kaf dhe i vendosim në zjarr derisa përbërësit të jenë tretur, kryesisht gjalpi. Pasi përzierja ftohet (e vakët) e hedhim mbi  përbërësit e thatë miellin, erëzat, sodën. Shtojmë vezën dhe me një lug druri trazojmë. Për më pak se 1 minutë përzierje i gjithë brumi do mblidhet si në foto. Brumi është gati. E mbledhim me qese gatimi dhe e fusim në frigorifer për të paktën 30 minuta.









Për të përgatitur biskotat kemi dy mënyra ose do lyejmë banakun me miell sa herë do hapim brumin si dhe pecin e trashë që sherben për të sheshuar brumin ose metoda më efikase dhe e pastër është nëse brumin e biskotave pjesë-pjesë, e vendosim midis dy letrave pjekëse dhe me pec e sheshojmë sipër. Në këtë mënyrë përfitojmë dhe trashësinë e duhur të brumit dhe nuk bëhemi shumë rrëmujë në këndin e punës.


Sa herë që u japim formë biskotave, duhet që buzët e formave t'i lyejmë me miell, ndaj në një enë hedhim pak miell dhe e vendosim pranë këndit të punës . Fillojmë japim forma sipas dëshirës.

















Pjekim në 190 gradë për 12 minuta. Biskotat duhen ftohur pak përpara sesa ti vendosni në pjatancën e servirjes. Ju bëftë mirë. Gëzuar!






SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig