Wednesday, February 1, 2017

Byrek me spinaq

Shumë mirë mund të ankoheni që ju lodha me recetat e byrekut, mjaft të ndryshoni harxhën dhe përgatitja është e njëjtë. E vërtetë 😉. Ka plot lexues si unë 14 vjet më parë, që nuk kisha gatuar një vezë ☺, por shijoja vetëm pjatat e mami Likës.
Byreku është një nga ushqimet tona tradicionale dhe tradita duhet shkruar e përmirësuar që mos të humb. Shumë nga lexuesit e mi jetojnë jashtë, por janë të përditshëm në blog dhe recetat e traditës i lexojnë plot ëndje.
Çunat e mi e shijojnë shumë byrekun me spinaq dhe kur po e përgatisja më pyetën nëse do ta postoja në blog apo jo? Nuk po ja u prish edhe sepse jam e bindur që ky gatim e meriton një postim ☺.
Unë vet, nuk kam ditur të hap petë deri 3 vjet më parë dhe nuk e kisha marrë mundimin as të mësoja. Vetëm për të shijuar byrekun ja vlen ta tentosh. Juli shoqja ime në Kanada të vetmen porosi që më kërkoi këtë herë ishin 2 peca ose okllai, për të hapur petët e byrekut ☺. Sigurisht që ja nisa me qejfin e madh që tradita jonë nuk humbet as në emigrim.

Përbërësit:
500 gr miell
2 tufa të mëdha me spinaq
200 gr djath
Nenexhik të freskët (edhe i tharë bën punë)
Vaj ulliri për hapjen e petëve.

Përgatitja:
Zëmë brumin për byrek, e mbledhim me qese gatimi dhe e lëmë në qetësi për të pakten gjysëm ore.
Lajmë spinaqin dhe e grijmë. Në përgjithësi unë e “vras” spinaqin me duar pasi i hedh dhe pak kripë. Këtë herë kisha shumë spinaq, ndaj preferova ta ziej për 3-4 minuta sa të ulja volumin, në zjarr mesatar. Shtojmë djathin, rregullojmë me kripë, nenexhik dhe harxha është gati.

Ndajmë brumin në toptha për petë dhe në varësi të numrit të tyre përcaktojmë me sa zemra do e bëjmë byrekun. Unë në përgjithësi shtroj 3 deri në 4 petë poshtë, nga 2 petë për zemër dhe 3 petë lart. Sa herë që do shtroni harxhat do shtoni 2-3 lugë me vaj ulliri, pasi unë nuk kam shtuar asnjë pikë vaj gjatë përgatitjes së saj.



Pjekim byrekun në 200 gradë në fund të furrës, derisa të marrë ngjyrë të artë. E kthejmë byrekun përmbys në një tavë tjetër në mënyrë që peta e sipërme e cila është gjithmonë pak më e fortë nga pjekja të zbutet. Nëse përtoni të kryeni këtë proçes, provoni të spërkatni me pak ujë petën e sipërme kur sapo e nxirrni byrekun nga furra dhe mbulojeni me pecetë ose një tepsi tjetër që të zbutet mjaftueshëm. Ju bëftë mirë.






SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig