Sunday, February 5, 2017

Mëngjesi Bonbon

Mëngjeset Bonbon prej të paktën 10 vitesh janë njëlloj. Rutinën e mëngjesit e kam të shenjtë, ajo duhet të fillojë medoemos me Bledin, tek e njëjta kafe, tek e njëjta tavolinë, duke shfletuar shtypin, apo ndonjë libër që kam mundësi ta lexoj para gjumit dhe në mëngjes. 3 muajt e fundit kam në duar trilogjinë e MURAKAM, “IQ84”, një libër që megjithëse të këput duart nga pesha, nuk të bëhet ta lëshosh . Ndiej sikur në mëngjes bëj bisedat më të frytshme, marr vendimet më të duhura për çdo aktivitet të familjes, filloj ditën më bukur dhe më e sigurtë, nëse mëngjesi fillon çdo ditë njëlloj, tek e njëjta kafe, tek e njëjta tavolinë, nën shoqërinë e njeriut të jetës.
Dhe meqë nuk i pëlqej shumë mëngjeset e rrëmbyera mundohem që të përgatis çdo gjë në darkë, rreth veshjes, ushqimit që do marr me vete unë dhe fëmijët dhe mëngjesit tonë. Me çunat jo gjithmonë kemi sukses të hanë një mëngjes të bollshëm, por 1 vezë, një lugë mjaltë apo qumësht ja u japim dhe me ca të bërtitura ☺.
Prej 10 ditësh kam vendosur të bëj këtë mëngjes që do ju tregoj më poshtë, që më merr më pak se dy minuta kohë. Një mëngjes që mund ta konsumoj tek kafja e përditshme ose në punë. Ky mëngjes nuk është vetëm i shpejt, por dhe i shëndetshëm.

Përbërësit për 2 persona:
4 lugë gjelle tërshërë e imët
1 banane
1 gotë qumësht
Kanellë
Përgatitja:
Përbërësit bazë të këtij mëngjesi janë ato më lart. Por mund t’i shtosh sipas asaj që ju gjëndet në shtëpi 1 lugë fara chia të cilën e shton tek tërshëra kur e vendos për ta regjur, një lugë mjaltë, pluhur arrë kokosi, qumësht bajame në vend të qumështit të lopës (kushton më pak se 300 lekë të reja 1 litër), kivi në vend të bananes, rrush të thatë, fruta të tjera të thata, gjalp kikiriku. Këto janë një mori përbërësisht që mund t’i kombinosh tek “oat, banana and milk shake” “qumësht i rrahur me banana dhe tërshërë”, por unë preferoj përbërësit më lart të cilën më gjenden pothuajse gjithmonë në shtëpi.
Vendosim tërshërën në një tas, hedhim ujë dhe e lëmë të zbutet për gjithë natën. Në mëngjes shtojmë gjithë përbërësit në “blender” përzjerësin elektrik (tërshërën, bananen, qumështin, kanellën). Përziejmë për 1 minutë.



Mëngjesi është gati. Blini një shishe me gryk të gjerë tek Jumbo, hidheni mëngjesin tuaj të shëndetshëm aty dhe mund ta merrni me vete nëse nuk keni kohë ta konsumoni në shtëpi. Shijoni dhe pamjen e re të blog-ut meqë kemi hyrë në muajin e dashurisë :). Ju bëftë mirë.


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig