Sunday, February 12, 2017

Gjella e të dielës e fëmijërisë time

Unë kam patur fatin të mësoj nga dhuntia e mami Likës për të gatuar çdo ditë sikur të ishte e dielë, mami Lika e ka marrë këtë dhunti nga gjyshja që e rriti, Ndine (Dada).
Mami kujton shpesh që gjyshi asokohe kishte sajuar një çerep të vogël ku piqnin kekun. Sapo kishin dalë paketimet e para të kekut të gatshëm, rreth mesit të viteve 60. Tingëllon e çuditshme, por ja që ka patur ushqime të tilla dhe në ato vite 😍. Kabunia ka qenë ëmbëlsirë e shpeshtë tek shtëpia e gjyshes dhe mami kujton sesi Dada i piqte shkopinjtë e kanellës në buzë të tiganit dhe i bluante me mullirin e kafes për ta kthyer ne pluhur e më pas t'ja shtonte kabunisë. Byreku me qumësht apo qumështori, traditë e zonës së Myzeqesë, bëhej me djath nape në të dyja versionet i ëmbël apo i kripur. Pispiliti me lakrat që mblidhnim anës kanaleve tregon që Myzeqeja ka qenë dhe vazhdon të jetë ende hambari i Shqipërisë 😍.
Gjella që do ju prezantoj sot është gjella që mami ka gatuar çdo të dielë. Nuk ka njeri që ka ngrënë nga duart e mami Likës mos ta njoh këtë pjatë. Mezi e prisnim të dielën të hanim kaq shijshëm e servirur kaq bukur. Unë e kam servirur fiks siç e bënte mami Lika. Sot që e gatova dhe sa herë e rigatoj shija e fëmijërisë është e gjallë. Kështu shpresoj të jetë dhe për çunat e mi kur të rriten, të shijojnë e kujtojnë me mall shijet e fëmijërisë së tyre.

Përbërësit:
700 gr mish
2 kokrra qepë
150 ml domate pure
1.2 kg patate
1/2 kg speca
Kripë, piper, rigon
Vaj vegjetal, vaj ulliri
Përgatitja:
Çdo gjellë në familjen Furrari dhe atë Lasku nuk quhet e tillë, nëse nuk gatuhet në tenxhere me presion ☺.
Grijmë qepën në copa, e shtojmë në tenxhere bashkë me mishin ku më parë kemi shtuar vaj për gatim. Kaurdisim në zjarr të avashët, duke trazuar herë pas here derisa qepa të zbutet. Shtojmë domaten pure, kripë, piper, rigon dhe gjysëm gote ujë. Mbyllim tenxheren e presionit dhe pasi të ngrihet “çufi” ☺ e lëmë të ziejë për 40 minuta në zjarr të avasht.

Këtë pjatë mami Lika e ka bërë gjithmonë me patate të skuqura, por unë do i bëj të pjekura dhe kjo jo për arsye kalorish, por për faktin se nëse do të më dënosh në kuzhinë, më vë të bëj patate të skuqura.
Me të drejtë do pyesni nëse i kam kaq inat patatet e skuqura? Krejt e kundërta, vdes për to, por urrej t’i skuq sepse rri ruaj tiganin me padurim të madh dhe sapo mbaron një tigan e përlaj dhe kështu vijon deri në fund. Nëse ka diçka që nuk bëhet kurrë në kuzhinën time nga duart e mija, janë patatet e skuqura, për mos t’i shkaktuar vuajtje vetes :).
Patatet e pjekura që do t’ju tregoj sot bëhen shumë shpejt dhe pa dhimbje 🙂. Për këtë recetë do i pres patatet si për gjellë që të ruaj imazhin e patates së skuqur. I vendosim patatet për të zjerë në ujë me kripë dhe i lëmë të zbuten sikur do i bëjmë sallatë.
I kullojmë, dhe hedhin në një tavë të nxehtë ku kemi hedhur më parë vaj ulliri. Rregullojmë me kripë dhe pak rigon. I vendosim në furrë me ventilim sa më lartë furrës në 200 gradë dhe për 25-30 minuta i keni gati.


Ndërkohë skuqim specat. Servirim siç e ka servirur gjithmonë mami Lika, për ta mbajtur të gjallë jo vetëm shijen, por edhe pamjen ☺.
 

 

Siç thotë dhe shoqja ime Ledina, të lodhur me ushqimin gourmet, shijoni një tavolinë 100% alla shqiptarçe, siç i prisnim miqtë qëmoti 😍. Ju bëftë mirë.


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig