I kemi hyrë përdorimit të maskarpones pak si shpesh këto kohë, ndaj le
ta mbyllim me “cupcakes” kekët e vegjël që gatova darkën që ishim ftuar tek
Ilir B. Për mua çdo lloj recete të kekut të zakonshëm mund ta kthejmë në kekë të
vegjël, sa herë që duam të bëjmë figurë të mirë, duam të kënaqim fëmijët që e
shijojnë sikur po konsumojnë diçka të veçantë, kur organizoni festa fëmijësh në
shtëpi, cupcakes të ëmbël apo të kripur do ju zbukurojnë tavolinën, veçse do ju
kërkojë më shumë kohë përgatitja e tyre.
Kur përgatisni cupcakes do ishte mirë të kishit një lugë akulloreje, për
të lehtësuar proçesin e mbushjes së formave . Me përmasat e një keku të zakonshëm,
mund të nxirrni të paktën 18-20 cupcakes. Kekët e vegjël janë një mënyrë për t’i
joshur fëmijët të hanë dhe kekë me fruta apo të kripur me perime, vetëm nga
servirja interesante që kanë. Me çunat e mi funksionon 😍.
Përbërësit:
250 gr maskarpone
100 gr çokollatë e zezë
100 gr miell
70 gr sheqer kaf
70 gr vaj vegjetal
3 kokrra vezë
1 lugë baking powder
1 e kapur e vogël gishtash me kripë
Përgatitja
Shkrijmë çokollatën në banjo mari ose i hedhim një lugë ujë brenda enës
dhe trazojmë mbi zjar të avashët sa të shkrijë. Shtojmë mascarponen, vajin dhe
trazojmë.
Në një enë rrahim vezët me sheqerin. Shtojmë përzierjen e çokollatës, miellin, baking powder, kripën dhe trazojmë me rrotullime të lehta.
Me një lugë mbushim masat e cupcakes. Vendosim në furrë për 15-20 minuta në 180 gradë.
Shërbejmë ashtu siç janë të ngrohta, pasi i kemi hedhur sipër sheqer pluhur. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment