Do lejoj ta emërtoj tiramisunë sipas emrit tim, sepse në të vërtetë
tek receta e përgatitjes së kremit kam ardhur vet, duke parë disa receta
Tiramisu, kam ruajtur ato elementë që më kanë pëlqyer më shumë. Meqë maskarpone
është krem djathi me shije neutrale, unë preferoj t’i shtoj vetëm vezë të freskëta
dhe siç e kam theksuar tek receta e mëparshme “La Bomba”, të verdhat e vezës bashkë
me sheqerin, unë i kaloj në banjomari, duke krijuar një krem që quhet “zabaglione”.
Disa nga recetat përdorin krem qumështi në vend të të bardhës së
vezës. Kur janë vezë të freskëta unë preferoj këtë të fundit, në vend të “pana
të ëmbël”, e cila është zëvendësuesi më i zakonshëm i kremit të qumështit që
nuk është dhe aq i kollajtë për tu gjetur në dyqan.
Tiramisu është një ëmbëlsirë që bëhet shumë shpejt dhe që mund të
ndihmojë gjithë familja dhe djemtë e mi nuk u kursyen në përgatitje dhe "ekzekutim" të saj :). Tava ku ne shtrojmë
tiramisu është pak e madhe dhe meqë unë qëllimisht dua të ekzagjeroj në sasi me
kremin e tiramisu, përbërësit për tavën që do shikoni në foto janë:
Përbërësit:
500 gr djath mascarpone
4 vezë fshati
1 pako me biskota savoiardi
5 lugë sheqer
kafe e çastit
30 ml konjak
kakao pluhur
Përgatitja
Ndajmë të verdhat nga të bardhat e vezëve dhe shtojmë 3 lugë sheqer
tek të verdhat, të cilat i kemi hedhur në një tenxhere të vogël. Vendosim
tenxheren me të verdhat në një tenxhere më të madhe me ujë që po zien dhe
trazojmë më një rrahëse vezësh për 4-5 minuta, derisa sheqeri të tretet e të jetë
krijuar një krem i trashë. Nga ana tjetër rrahim të bardhat e vezës, derisa ato të
mpiksen aq sa mos të bien nga tasi kur e kthejmë me kokë poshtë, shtojmë 2 lugët
e mbetura me sheqer dhe rrahim dhe për 2 minuta të tjera. Në këtë proçes dy çunat
e mi ndihmuan me shumë dashuri :).
Në një tas hedhim maskarponen, shtojmë zabalionen, rrahim me rrahës
elektrik për 2 minuta. Shtojmë të bardhat e vezëve dhe trazojmë. Kremi është gati.
Në një enë tresim pak kafe të çastit, shtojmë konjakun dhe lëmë mënjanë.
Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shtrojmë tiramisunë. Hedhim pak krem në
fund të tepsisë. Fillojmë të zhysim biskotat një nga një tek kafeja dhe shtrojmë
në tepsi. Hedhim mbi to shtresën e parë të kremit, pluhurim me kakao. Vazhdojmë
proçesin përsëri të shtrimit të biskotave, por në drejtim tjetër.
Hedhim shtresën e fundit të kremit, pluhurosim
me kakao dhe vendosim në frigorifer për gjatë gjithë natës.
Tiramisu
është gati në mëngjes, e freskët, me shijen e veçantë, perfekte për tu shoqëruar
me kafen aq të dashur të mëngjesit. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment