Tuesday, June 2, 2020

Reçel me Luleshtrydhe


Luleshtrydhja është një frut aq i bukur dhe aromatik sa të vjen “gjynah” ta hash 😊. Por ja që duhet ndonjëherë dhe ta gatuajme duke qenë një frut që nuk rron gjatë. Unë kisha marrë luleshtrydhe me shumicë dhe një pjesë vendosëm ta bëjmë reçel, pjesën tjetër e kemi fut në ngrirje të lare dhe pastruar nga bishtat për ta përdorur si smoothie ose për ti ngrënë si toptha të vogël akullore (Luis i ka shumë qejf luleshtrydhet e ngrira).

Versioni i reçelit që po ju sjell sot është shumëëë i thjeshtë dhe me pak sheqer. Të gjithë e dime që sheqeri siguron atë lidhjen afatgjatë kur gatuajme reçel, por dhe e zbeh shijen dhe ngjyrën e frutit. Unë jam për shijen e reçelit që vjen si freski dhe që e ruan sa më shumë ngjyrën dhe aromën. Per t’i dhënë jetëgjatësi reçelit tuaj mjafton të bëni sterilizimin e vazove dhe sa herë që hapni për konsumim një vazo e ruani atë në frigorifer. Nuk po ju lodh më receta më poshtë:

 

Përbërësit:

1.4 kg luleshtrydhe të pastruara

500 gr sheqer

1 kokër limoni (opsionale)

Përgatitja:

I lajmë luleshtrydhet pasi i kemi pastruar bishtin. Më pas i ngajmë ato në copa. Unë këtë herë ndava në copa vetëm luleshtrydhet e mëdha, të voglat i lashë siç ishin.

Shtojmë sheqerin mbi luleshtrydhet duke i trazuar në mënyra që sheqeri të shpërndahet në të gjithë masën e tyre. E vendosim tasin për gjithë natën në frigorifer. Të nesërmen do të gjeni luleshtrydhe që notojnë në lëngun e tyre ngjyrë dashuri.

Ky proçes do ndihmojë që fruti të ruajë ngjyrën aq të bukur që ka dhe të ziejë më lëngun e vet.


  




Vendosim tenxheren në zjarr të avashëm dhe i “rrimë mbi kokë” herë pas here për të hequr shkumën që krijohet. Proçesi i zierjes mua më zgjati më shumë se 1 orë, pasi duke patur pak sheqer kërkon më shumë kohë që reçeli të lidhet gjatë zierjes. Nëse doni të shtoni lëng limoni e bëni atë 10 minuta para përfundimit të zierjës. Unë nuk i shtova se reçeli kishtë ëmbëlsi të lehtë. Shkumën që keni hequr mos e hidhni. Shtojani kosit, apo ndonjë kek apo tërshërë të zjerë që mund të gatuani.



Mua më dolën dy kavanoza dhe meqë do i konsumoj menjëherë thjesht po i ruaj në frigorifer. Për një ruajtje disa mujore bëni proçesin e sterilizimit të cilin e gjeni këtu.

Ju dua















SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig