Wednesday, January 16, 2019

Krem Karamel sipas mami Likës


Nuk e di pse kam lënë për kaq kohë jashtë blog-ut një nga recetat më të përkryera të mami Likës “Krem Karamel”, ëmbëlsirë të cilën mami Lika e ka qarë gjithmonë. ❤
Edhe disa ditë më parë që vendosa ta gatuaj, nuk është se u kujtova vet. Ishte kushurira ime në Amerikë, e cila është në pritje të fëmijës së tretë, në mes të natës për ne ballkanasit e pasdite për Nadën në kontinentin tjetër 😛, më kërkoi recetën nga mami Lika. A mund ta lija në pritje unë një grua shtatzanë deri të nesërmen në mëngjes për recetën? Kurrsesi jo!
🤗Ndaj zgjova  mami Likën e cila ashtu përgjumësh më shpjegoi recetën në detaje. Në këto kushte, si grua nepsqare që jam 😛vendosa ta bëj dhe vet dhe me këtë rast "Krem Karameli" i mami Likës fiton dhe vendin e vet në blog 🤗. Përpara se t’ju rendis përbërësit më lini t’ju sqaroj. Nëse do bëni 1 litër e gjys qumësht do ju duhet ta vendosni furrën dy herë, por ja vlen 😋. Meqë unë kaq bëra po listoj përbërësit më poshtë:

Përbërësit për kremin:
1 e ½ litër qumësht
8 kokrra vezë
4 lugë gjelle sheqer
1 bustinë vanilje

Përbërësit për karamelin:
100 gr sheqer

Shënim: nëse do të bëni 1 litër qumësht do shtoni 6 vezë. Sheqerin e pakësoni vet sipas shijes.


Përgatitja:
Nëse nuk keni enë të vogla që futen në furrë, mund ta bëni krem karamelin në një tave të madhe xhami. Shijon njëlloj, thjesht nuk e përmbysni dot 😍.
Unë në foto ju kam nxjerrë 3 modele të ndryshme ku mund të piqni krem karamelin. Lyejm tasat paraprakisht me gjalp.
Në një tenxhere të vogël shtojmë sasinë e sheqerit për karamelin dhe pa e trazuar asnjëherë, por veç rrotullimeve të tenxheres në mënyrë që masa të karamelizohet në mënyrë homogjene, krijojmë karamelin në flakë mesatare. Kur karameli të jetë gati e shtojmë atë lugë lugë menjëherë nëpër tasa.



Ndërkohë që do rrahim 8 vezët në një tas bashkë me sheqerin (4 lugë), vendosim qumështin të ngrohet sikur do e zini kos (bëni testin me gishtin e vogël, për nxehtësinë e duhur). Hiqeni qumështin nga zjarri kur të jetë ngrohur mjaftueshëm sa ta durojë gishti dhe me garuzhde e shtoni atë ngadalë tek vezët, duke mos ndaluar rrahjen me mikserin elektrik. Vijoni kështu derisa të mbaroj i gjithë qumështi. Masa është gati. Ndajeni atë nëpër tasa. Mund të krijohet pak shkumë gjatë këtij proçesi. Mos e hidhni atë poshtë. Hiqeni mënjanë dhe më pas shtojeni tek ena më e madhe si në rastin tim ku do piqni karamelin.





Vendosini tasat e vegjël në një tepsi, mbusheni tepsinë më ujë të nxehtë dhe futeni në furrë të ngrohur në temperaturë maksimale, 
Uleni furrën në 250 gradë dhe i lini të piqen derisa krem karameli të ketë zënë një shtresë të artë sipër. I lini të ftohen në temperaturë ambjeni. 

Më pas i fusni ato në frigorifer dhe i servirni me fruta ose thjesht sipas dëshirës:
Shënim: përpara se ta ktheni formën tuaj në një pjatë, me majën e një thike ngacmoni anësoret e kremit që janë ngjitur pas formës tuaj dhe më pas përmbyseni atë. Ju bëftë mirë.








SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig