Tuesday, January 8, 2019

Vasilopita sipas teze Arit

Kjo është receta e parë që pagëzon blog-un për këtë vit dhe mban emrin e babit tim (Vasil) dhe është ëmbëlsira që në Greqi bëjnë për datën 1 Janar, ku fusin dhe monedhën brenda. Nga anët tona 😊, nga Fieri, në çdo 1 Janar bëjmë kulaçin me lekë, siç tashmë e dini nga që më ndiqni prej kohësh. Mbrëmë e udhëzuar dhe nga teze Ari që jeton në Greqi vendosa të bëj ëmbëlsirën tradicionale që mbart dhe emrin e ditës së babit. Teze Ari ka bërë disa përshtatje të vogla të kësaj recete sipas shijes së saj…e kush amvisë e mirë nuk e bën këtë gjë 😍?

Fillova ta bëj me shumë dashuri dhe përkushtim dhe me frikë në zemër se mos mungesa e theksuar e dritave që kishte dje Tirana do më penalizonte në pjekjen e kekut. Ky kek ka përbërës pak të rëndë krahasuar me ëmbëlsirat e tjera në sasi gjalpi apo vezësh, por ja vlen të provohet për aromat e limonit, portokallit dhe pak konjak 🤗. Kaq e mirë sa doli mund të kthehet në një ëmbëlsirë që mund të bëhet në çdo kohë jo vetëm në ditën e shënuar të saj.
Unë e gatova me shumë dashuri dhe vëmendje jo vetëm se është një ëmbëlsirë dedikuar një dite dhe emri të veçantë, por dhe si ogur të mirë “good start” i blog për këtë vit.
Nëse padyshim ka receta të panumërta të Vasilopitës, unë zgjedh t’ju propozoj vetëm recetën e tezes time e cila është një amvisë për tu patur zili. Sa herë vjen në Shqipëri vjen me një listë gatimesh që do i gatuaj patjetër për ne. Të dua shumë teze Ari ❤.

Përbërësit:
4 filxhanë çaji miell që fryhet vet
2 filxhan çaji sheqer
5 vezë
250 gr gjalp
½ filxhan çaji qumësht
Lëkura e dy portokalleve dhe 1 limoni
Lëngu i 2 portokalleve dhe 1 limoni
1 lugë çaji pluhur pjekës
2 lugë gjelle konjak
Pakëz kripë
Arra të grira (opsionale)
Rrush i thatë (opsionale)
Lëkura portokalli të karamelizuar (opsionale)


Kremi i Cokollatës:
100 gr çokollatë për gatim
100 ml krem qumështi
1 lugë vaj

Masa e filxhanit të çajit:


Përgatitja:
Tresim gjalpin dhe shtojmë sheqerin. Me një rrahëse elektrike rrahim vezët një nga një.
Grijmë lëkurat e portokallit dhe limonit. Shtojmë lëngun e agrumeve dhe qumështin.
Fillojmë shtojmë miellin ku kemi hedhur pluhrin pjekës dhe pakëz kripë me filxhan një nga një dhe vijojmë përzjerjen me rrahësen elektrike. 





Tani është momenti të shtoni konjakun dhe frutat e thata sipas zgjedhjes tuaj. Unë zgjodha arra të grira dhe lëkura portokalli të karamelizuar.
E vendosni të piqet në furrë për 1 ore e 10 minuta ose derisa të kullojë i tëri. Bëni kontrollin me majën e thikës ose një shkopi.
Mua më bën pak shaka dritat, por falë zotit nuk zgjatën shumë gjatë pjekjes së kekut.




Ndërkohë që keku piqet përgatisni kremin e çokollatës që është gati në 2 minuta. Shtoni kremin e qumështit dhe çokollatën në copa në zjarr mesatar, përzjeni dhe kremi është gati.
Kur keku të jetë gati, kthejeni atë përmbys në pjatancën e servirjes dhe lyeni me kremin e çokollatës sipër. 



Meqë çokollata e sapo gatuar ka një shkëlqim që nuk duket bukur në foto, i lashë ti bëja fotot sot në mëngjes. Po kur duhet të dalësh  nga shtëpia në 7 e 30 dhe gdhihesh pa drita 😭, rezultati është ca foto me dritë të zorshme të një mëngjesi të acartë (do i sistemojmë fotot prap kur ta gatuajmë për herë të dytë) . Ju bëftë mirë dhe paçi një VIT TË MBARË. Ju dua ❤





SHARE:

2 comments

  1. me fal por ke quan krem qumeshti? dua ta bej nsr kete ëmbelsirë,qenka speciale

    ReplyDelete

Blogger Template Created by pipdig