Tuesday, November 29, 2016

Pulë me erëza indiane dhe oriz basmati

Personalisht më pëlqen shumë të miksoj erëzat. Shoqja ime e fëmijërisë Juljana, e cila jeton në Canada është një guru për erëzat, origjinën, miksimin e tyre dhe çdo gjë që i bën mirë shëndetit dhe bukurisë. Sa herë që gatuaj recetën e famshme “chicken curry” asnjëherë nuk kontrolloj listën e erëzave që duhet të përfshijë, pasi çdo përzierje e këtyre erëzave vetëm shton shijen e veçantë gatimit tuaj. Këtë herë unë kam zgjedhur kofsha të vogla pule për ta sjellë recetën, por në përgjithësi përdor gjoksin e pulës së prerë në kubikë.
Shoqëruesi ideal i “chicken curry” sipas traditës është orizi basmati. Vetë fjala basmati do të thotë “aromatic” apo “fragrant”, ndaj dhe orizi ka një aromë shumë të fortë të arrorëve, ndonjëherë mua më duket dhe si aromë e rëshirës së pishave :), ndjesitë mund të jenë të ndryshme.
Në familje e pëlqejmë të gjithë basmatin, por nuk është se e gatuajmë shpesh, më shumë mbetemi tek orizi ynë tradicional.

Përbërësit
5-6 kofsha pule të vogla
1 kokër qepë
2-3 thelpinj hudhër
100 ml domate pure
Kerri
Koriander
Kumin pluhur
Xhinxher pluhur
Kanellë
Fare kopëre (fennel seeds)
Piper të kuq
Piper të zi
1 lugë çaji sheqer kaf

Për orizin
2 kupa oriz basmati
3 kupa ujë
Kripë
1 lugë gjalp

Përgatitja
Nxjerim mbi banakun e punës gjithë erëzat dhe mishin. Grijmë qepën dhe hudhrat dhe i hedhim në një tenxhere me vaj. Mbi to vendosim kofshët e pulës dhe shtojmë erëzat me radhë nga një të kapur gishtash. Trazojmë dhe pasi pula me qepën të ketë marrë ngjyrë shtojmë domaten pure, ujë sa mishi të mbulohet. Rregullojmë dhe kripë, hedhim sheqerin dhe lëmë të ziejë në zjarr të avashëm për rreth 30 minuta.


Në një tenxhere tjetër përgatisim orizin basmati. Basmati duhet shpëlarë përpara se ta hedhim në ujin që zjen, në mënyrë që të largohet niseshteja e tepërt. Unë harrova ta bëj dhe përsëri orizi më doli  i shkoqur :). Masa e zierjes së basmatit është 1 kupë basmati, 1 e ½ kupë ujë.
Këshillë: kripën për orizin do e hedhim në ujë përpara se të shtojmë orizin dhe do e rregullojmë sasinë e nevojshme të kripës në këtë moment. Nëse shtojmë kripë për të rregulluar shijen në fund, orizi mund të mos e thith dhe të na dalë i kripur.
Në ujin që zien hedhim basmatin, një lugë gjalp dhe e lëmë në flakë të ulët.

Një sekret që ma ka mësuar Juli, nga shoqja e saj Indiane Azy, që orizi basmati të dalë i shkrifët, kur e ka pirë pothuajse të gjithë ujin, e ulim flakën në minimum, e mbulojmë me një pecetë dhe kapak dhe e lëmë të gatuhet në këtë mënyrë për 3-4 minuta, pa trazuar asnjëherë.
E lini orizin në qetësi pas këtij proçesi për disa minuta, pastaj me një pirun e shkriftoni. Rezultatin do e shikoni në foto.


Ndërkohë që orizi është gati dhe pula ka përfunduar. Servirni dhë ju bëftë mirë.

Tek kjo foto, e kam gatuar recetën me gjoks pule.


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig