Tuesday, November 29, 2016

Pasta Carbonara

Unë nuk shquhem për njohuri shumë të mëdha të kuzhinës italiane, por provoj të gatuaj ato pjata që mendoj se fëmijët do i pëlqejnë. Disa nga recetat tipike na i ka gatuar halla Ela sa herë vjen nga Italia, kështu që kemi shansin që t’i testojmë shijet nga duart e hallës :). Këtë verë halla Ela i gatoi fëmijëve pastën carbonara dhe Henri i pëlqeu shumë. Meqë kemi vezë të freskëta fshati në shtëpi dhe më besoni carbonara do vetëm vezë të tilla, po e shfrytëzojmë rastin të sjellim recetën carbonara për familjen dhe për ju :)

Përbërësit
3 vezë fshati
150 gr proshutë crudo
150 gr djath grana të grirë
½ qep
2 thelpinj hudhër
1 pako spageti
Kripë, piper
Vaj ulliri
Përgatitja
Foto me përbërës më lartë, ka një kokër vezë më pak dhe një pana tepër :). Përbërësit e saktë janë të shkruara tek lista e përbërësve.
Vendosim makaronat të ziejnë në ujin që valon dhe ku kemi hedhur kripë.
Në një tigan hedhim qepën e grirë dhe hudhrën. I kaurdisim në vaj ulliri. Pasi qepa dhe hudhra marrin ngjyrë i heqim nga zjarri. (ky është momenti që mund t’i shtosh verë të bardhë qepës së kaurdisur, por unë nuk ja hodha se kisha merak se nuk do ma pëlqenin fëmijët shijen).
Rrahim 3 vezët në një tas.
Kur pasta ka arritur minutazhin e zierjes i kullojmë dhe hedhim prap në tenxhere ku shtojmë menjëherë qepën e kaurdisur dhe vezët e rrahura. Trazojmë që veza e rrahur të përhapet në të gjithë masën e pastës dhe të mpikset në mënyrë të njëtrajtshme.
Hedhim më pas proshutën dhe djathin, vaj ulliri dhe servirim menjëherë. Unë i hodha sipër dhe fara të pjekura, i dhanë shumë shije. Ju bëftë mirë.



SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig